Artan Grubi, ish- zëvendëskryeministër nga radhët e BDI-së dhe Enver Bexheti, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Maqedonisë së Veriut, janë futur në listën e zezë të publikuar të hënën nga Departamenti i Shtetit Amerikan
“Në bazë të nenit 7031(c), Departamenti i Shtetit cakton publikisht Artan Grubin dhe Enver Bexhetin për përfshirjen e tyre në korrupsion të konsiderueshëm duke pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijallkov, drejtor i Drejtorisë për Siguri të Maqedonisë së Veriut dhe Kundërzbulimi.
Mijallkov u caktua në vitin 2022 për korrupsion të konsiderueshëm sipas nenit 7031(c), dhe OFAC e sanksionoi atë në përputhje me E.O. 14033.
Në kuadër të këtij aksioni janë caktuar edhe anëtarët e ngushtë të familjes së Grubit”, bëjnë të ditur nga Departamenti i Shtetit.
Një reagim të menjëhershëm ka bërë ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.
Ai ka thënë se ky vendim e ka prekur drejtpërdrejt dhe personalisht, gjersa ka shtuar se do të angazhohet maksimalisht me miqtë dhe partnerët “për të zbardhur plotësisht këtë çështje”.
“Do të angazhohem me gjithë përkushtimin dhe maksimalisht, së bashku me miqtë dhe partnerët tanë, me të cilët kemi ndarë vizionin dhe punuar ndër vite për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, për të zbardhur plotësisht këtë çështje. Transparenca dhe përkushtimi ndaj vlerave demokratike do të vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e çdo veprimi tim”- ka shkruar ai në Facebook.
Ramadan Ramadani, analist politik pranë Institutit për mendim të lirë “Nisma” nga Shkupi, ka komentuar për “Bota sot”, futjen e dy politikanëve shqiptarë në listën e zezë amerikane.
Sipas tij, futja në listë të zezë është specifike dhe jo e përgjithshme si rastet e mëhershme.
“Futja në listën e zezë të departamentit të SHBA- ve e ka shkërmoq legjitimitetin, legalitetin, karrierën dhe fatin e këtij elementi në politikë, opinion publik dhe në jetën publike në përgjithësi. Kjo futje në listë të zezë është specifike d.m.th. ceket arsyeja kryesore ndikimi dhe përzierja në gjyqësor, por ama ceket edhe vepra penale e saktë që është marrja dhe dhënia e ryshfetit për një lëndë të caktuar dhe i është bashkangjitur edhe gjykatësi konkret në atë lëndë dhe subjekti i lëndës ish shefi i shërbimeve të regjimit paraprak, ai Mijallkovi. Pra nuk është futje e përgjithshme sikur ishin rastet e mëhershme për ndikim në gjyqësor, për mos implementim dhe pengim të Marrëveshjes së Ohrit etj. Por specifik dhe konkret e që me vetëm ngritje minimale të një padie nga prokuror i thjeshtë menjëherë bëhet lëndë këtu në gjyqësorin e Maqedonisë dhe ka pasoja legale të mëtejme”, shprehet Ramadani.
Analisti përmend arsyet pse janë vendosur në listë të zezë, gjersa shton se e njëjta i pret edhe disa institucione dhe media të dyshimta që kanë qenë të lidhura me këtë e që ende mundohen të mbahen me rrenën se SHBA-të u qëndrojnë pas.
“Kjo futje në listë të zezë përbën delegjitimim të krejt karrierës politike të elementit në fjalë pasi që prej kyçjes në politikë ky i njëjti tërë kohës është munduar të mbahet me mu këtë legjitimim d.m.th. perëndimor, amerikan, ka përkrahje nga SHBA-të e ambasada. Ky prej fillimit është parë se nuk ka kapacitet intelektual ose politik për pozitat që ka bart as si shef kabineti i liderit të partisë kur nuk e donin shumë bashkëpartiakë të vet, as mandej si deputet e as si ministër ose zëvendës kryeministër i parë. Tërë kohës është munduar vetëm të ushqen një aurë për legjitimim se ka mbrapa SHBA-të, prej fotove dhe aktiviteteve me ambasadën e SHBA e deri në fotot dhe takimet me atë Grenellin. Bile ka distancuar njerëz tjerë konkurrentë politik dhe bashkëpartiakë si joperëndimor, pro turq, pro rus etj. D.m.th. ky ka qenë edhe legjitimimi i parë i këtij tërë kohës dhe prandaj në rastin e këtij kjo është shkërmoqje totale e legjitimitetit publik. E se nuk ka kapacitet intelektual u pa që moti, që atëherë kur i gaboj përmendoret dhe në një shoqëri dhe parti normale që atëherë do duhej të ndodhte tërheqja. Ndërsa ky vazhdoI më lart e më lartë duke përfunduar ja në listë të zezë. E njëjta i pret disa institucione dhe media të dyshimta që kanë qenë të lidhura me këtë e që ende mundohen të mbahen me rrenën se SHBA-të u qëndrojnë pas”, pohon Ramadani.
Kjo futje në listë të zezë direkt tregon për kapacitetin, forcën dhe legjitimitetin e konkurrentëve direkt të këtij elementi, thotë Ramadani, gjersa shton se futja në listë të zezë edhe të familjes prek edhe klanin dhe bashkëpunëtorët e ngushtë dhe pamundëson zëvendësimin e këtij elementi me dikë të afërt nga familja dhe i vendos nën thjerrëz edhe pasurinë edhe ecurinë e karrierës së tyre.
“Kjo futje në listë të zezë është diskreditim dhe dështim total i politikës hidhja-futja pasi shihet se nuk funksionon as në plan afatgjatë e as në atë afat mesëm. Politika hidhja-futja i ka mashtruar këto që e kanë përdorë sepse ju ka dhënë zgjedhje çasti dhe imediate dhe ua ka heq një zor të përkohshëm dhe me te kanë diskredituar, bllokuar dhe eliminuar kundërshtarë politik dhe publik ama ja si thoshin në përgjimet për Kalin e Shëmës; gap gup ene shklup në listë të zezë! Kjo futje në listë të zezë direkt tregon për kapacitetin, forcën dhe legjitimitetin e konkurrentëve direkt të këtij elementi, para se gjithash këtu mendoj në zëvendës kryeministrin e tanishëm Izet Mexhitin dhe koalicionin VLEN. Tash krejt këto rrethe që këto i kanë ushqyer me misticitete për SHBA-të dhe Perëndimin menjëherë e kanë të qartë se çka paska bë dhe kush qenka Izet Mexhiti që dy herë në javë shkonte në SHBA?! Ose atyre që këto i kanë ushqyer për përshtypje se VLEN janë pesë krerë, të përcarë, të dobët, e që nuk kanë përkrahje as në vend e as jashtë, dita ditës pritet të ndahen e përçahen etj. Etj. Tani me këtë listë të zezë në fakt po ndodh e kundërta ky Fronti Evropian dhe BDI-ja janë shkërmoqur keq. Andaj është i shpejtë distancimi që u bë. Futja në listë të zezë edhe të familjes prek edhe klanin dhe bashkëpunëtorët e ngushtë dhe pamundëson zëvendësimin e këtij elementi me dikë të afërt nga familja dhe i vëndon nën thjerrëz edhe pasurinë edhe ecurinë e karrierës së tyre”, shton Ramadani.
Tutje, ai këtë listë të zezë e sheh si përfundim edhe të jetës dhe angazhimit publik.
“Kjo futje në listën e zezë është përfundim edhe i jetës dhe angazhimit publik dhe jo vetëm atij në politikë, pasi do duhet UT ja tani të tregojë se si mund të mban ligjërata dikush që është në listë të zezë. UT është universitet publik që siç e shohim tani është cak i inspekcioneve të shumta shtetërore dhe nuk mund të mbajë dikë që ka probleme kaq të mëdha me ligjin sa është fut në listë të zezë amerikane e që së shpejti do ballafaqohet me ndjekje penale edhe këtu në vend”, përfundon analisti.
Ndryshe, pas listës së zezë së publikuar ka reaguar edhe ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler. Ajo ka thënë se askush nuk është mbi ligjin dhe llogaridhënia është thelbësore për përparimin.
“Përzgjedhja e sotme e Artan Grubit dhe Enver Bexhetit është dëshmi se ndërhyrjet politike në gjyqësor nuk mund dhe nuk do të tolerohen. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të emërojnë ata që përfshihen në korrupsion që minon institucionet demokratike dhe gërryen besimin publik. Askush nuk është mbi ligjin dhe llogaridhënia është thelbësore për përparimin”, ka shkruar ambasadorja Ageler në rrjetet sociale.