Akuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë, flasin ekspertët: A priten arrestime të reja?

Politika

Akuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë, flasin ekspertët: A priten arrestime të reja?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 11 dhjetor 2024 Në ora: 10:01
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi

Në Gjykatën Speciale po vazhdojnë të gjykohen krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deri tani kjo Gjykatë ka marrë edhe vendime finale për disa nga luftëtarët e UÇK-së.

Por, të premten që kaloi kjo Gjykatë konfirmoi një aktakuze të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kundër katër personave të tjerë për vepra penale që lidhen me “pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.

Në një njoftim për media, Dhomat e Specializuara të Kosovës thanë se aktakuza u konfirmua kundër Hashim Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Thaçi ndodhej në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës kur iu dorëzua një fletë-arrestim dhe ndaj tij janë ngritur tre akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, tre akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Thaçi është deklaruar i pafajshëm në këto akuza ndaj tij.

ZPS-ja ka arrestuar gjithashtu Bashkim SMAKAJN, Isni KILAJN dhe Fadil FAZLIUN në Kosovë sipas një fletë-arrestimi dhe urdhri transferimi të lëshuar nga një Gjykatës i Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Smakaj, Kilaj dhe Fazliu janë transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe janë paraqitur para gjykatës, ku edhe janë deklaruar të pafajshëm.

Kurse, Hajredin Kuçit i është lëshuar fletëthirrje për paraqitje para Dhomave të Specializuara e cila ka ngritur kundër tij dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Kuçi u paraqit gjithashtu të hënën në Gjykatë dhe u deklarua i pafajshëm në akuzat ndaj tij.

Bajraktari: Akuza të pakuptimta

Image
Ardian Bajraktari

Avokati Ardian Bajraktari në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se këto akuza nuk mund të kenë ndonjë efekt në procesin i cili gradualisht po shkon drejtë fundit, përveç në masën e paraburgimit ndaj Thaçi.

“Vlerësoj se akuzat e tilla janë, përveçse të pakuptimta në këtë fazë të procesit, më shumë janë tentativë e prokurorisë me justifikua dështimin e saj në lidhje me procesin gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së, i cili po vazhdon.

Ky proces përkatësisht këto akuza nuk pres të kenë ndonjë efekt në procesin i cili gradualisht po shkon drektë fundit, përveç në masën e paraburgimit ndaj z. Thaçi”, vlerëson ai.

Burjani: Pengimi i punës dhe funksionimit të gjykatës është shkelje e rëndë

Image
Blerim Burjani

Juristi Blerim Burjani thotë se nga kjo Gjykatë po argumentohet se ka diçka në këtë temë të ndërhyrjes, duke thënë me ironi se “paramendoni po të ishte kjo Gjykatë në Kosovë çfarë do të ndodhte”?

Tutje, ai thotë se nëse ata ndihen të pafajshëm nuk duhet të kenë frikë nga asgjë.

Të gjithë akuzohen për vepra të ndryshme penale për ndërhyrje në drejtësi, për shkak të mos besimit ndërkombëtar është themeluar kjo gjykatë që vepron në Hagë për të mos pas ndikim në administrim apo funksionim të drejtësisë. Tash po argumentohet nga kjo gjykatë që ka diçka në këtë temë të ndërhyrjes, paramendoni sikur të funksiononte në Kosovë çfarë do kishte ndodhë.

Nuk duhet pasur frikë nga Gjykata nëse veç ndihen të pafajshëm dhe janë të pafajshëm. Këto janë akuzat më të rënda të mundshme, që vlerësohen si ndërhyrje në funksionim. Prokuroria duhet të ketë fakte relavante për të dëshmuar atë, nëse nuk ka është thyerje e drejtave elementare njerëzore dhe padrejtësi dhe tendencioze të prokurorisë, por edhe denigrim i personaliteteve njerëzore që akuzohen, pra pa prova pa asgjë dhe pa fakte esenciale relavante nuk mund të ketë aktakuzë për Thaçin dhe të tjerët”, thotë ai.

Juristi thekson faktin se për këtë akuzë kjo Gjykatë duhet të ketë fakte duke aluduar se mund të ketë edhe të arrestuar të tjerë.

“Normal që tash gjykata duhet të nxjerr vendim për aktakuzë të parë ku janë Thaçi, Selimi, Krasniqi dhe Veseli, pastaj zhvillohen seanca të rregullta kundër aktakuzave tjera kjo çështja varet se si do sillet gjykata, pra si do t’i trajtojë rastet e aktakuzës së fundit. Vendimi përfundimtar duhet të nxirret më së largu në mars 2025, por kjo aktakuzë e lë Thaçin brenda burgut deri në vendim edhe për 11 raste që përfshihen në aktakuzë.

Pritet sipas gjitha gjasave të ketë edhe të arrestuar të tjerë, realisht akuzimi i katër personave tash edhe disa të tjerëve për vepra të ndryshme penale sidomos për pengimin e punës dhe funksionimit të gjykatës është shkelje e rëndë. Sidoqoftë të shpresojmë se nuk ka fakte për këtë, por pa fakte s’ka gjë prej kësaj pune, por edhe e çuditshme se si prokuroria sillet jo profesionalisht”, përfundon ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat