Askush mbi ligjin! Mirëpritet vendimi i DASH-it për futjen në listën e zezë të Grubit e Behxhetit

Politika

Askush mbi ligjin! Mirëpritet vendimi i DASH-it për futjen në listën e zezë të Grubit e Behxhetit

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 11 dhjetor 2024 Në ora: 12:09
Artan Grubi

Të papritura ka ndodhur dje me Maqedoninë e Veriut.

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka njoftuar të hënën se i ka futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara ish-zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, si dhe gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Behxheti, për shkak të përfshirjes në “korrupsion të madh”.

Pas vendimit kishte reaguar edhe vet Grubi, duke thënë se ky vendim e prek drejtpërdrejt dhe personalisht.

“Si një person që jetën time publike ia kam kushtuar mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore dhe që gjithmonë kam punuar me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian, ky vendim më prek drejtpërdrejt dhe personalisht”, shkroi Grubi. E, ambasadorja amerikane në RMV, ka paralajmëruar zgjerimin e listës së zezë.

“Ka një sërë sanksionesh në dispozicion nga Qeveria amerikane, siç e dini. Ka sanksione të Thesarit. Ka sanksione të zgjeruara të mundshme për anëtarët e tjerë të familjes së atyre që janë emëruar. Pra, në këtë pikë, të gjitha ato shqyrtime janë ende në proces”, tha Aggeler.

Shabani: Askush s'është mbi ligjin dhe se do ketë llogaridhënie

Njohësi i politikës ndërkombëtare Amir Shabani, thotë se me këtë vendim u treguar se askush s'është mbi ligjin dhe se do ketë llogaridhënie.

Image
Amir Shabani

“Vendimin e tillë që e ka ndërmarrur Departamenti Amerikan i Shtetit për t'i futur në listën e zezë disa ish-funksionarë të Maqedonisë së Veriut është një dëshmi se shpresa për shtetin e së drejtës, se askush s'është mbi ligjin dhe se do ketë llogaridhënie - nuk ka vdekur.

Artan Grubi dhe Enver Behxheti thuhet se sipas DASH-it kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare, madje duke ndërhyrë politikisht në vendimet gjyqësore për akte të rënda kriminele ndaj personave që kanë degraduar vendin me vite të tëra.

Lista e zezë amerikane ka gjasa të  përditësohet dhe mund të shohim edhe emra tjerë gjatë ditëve në vijim”, thekson ai.

Mehazi: Futja e Artan Grubit në Listën e zezë amerikane është një grusht i rëndë për BDI-në

Image
Sulejman Mehazi

Profesori Sulejman Mehazi, thotë se me këtë vendim të Departamentit të Shtetit Amerikan, paska qenë koka më e madhe korruptive.

“Sesa është zhvatur Republika e Maqedonisë Veriore nga elita e politikanëve, gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar tregoi Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) me futjen e personit më të afër të Ali Ahmetit, Artan Grubit, në Listën e Zezë që gjatë si ish-zëvendëskryeministër i parë apo si njeriu i dytë i qeverisjes, BDI-LSDM, tog me gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexhetin, paskësha luajtur rolet kyçe korruptive në RMV.

Me një fjalë tjetër ish- zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, paskësha qenë koka më e madhe korruptive, inteligjenca politike më e madhe  e të këqijave korruptive në RMV, sesa ka lulëzuar korrupsioni në këtë shtet të brishtë shihet në akuzën e DASH-t ndaj  njeriut të dytë të ish-qeverisjes, Artan Grubit dhe gjykatësit, Enver Behxhetit, që kanë qenë frymëzues të mëdhenj të korrupsioneve masive të qeverisjes politike dhe padrejtësive juridike. Futja e Artan Grubit në Listën e zezë amerikane është një grusht i rëndë për BDI-në, posaçërisht për kryetarin e kësaj partie, Ali Ahmetin, i cili në mënyrë fanatike brenda partisë së BDI-s mbronte Grubin përballë "Grupit të zjarrit" të Izet Mexhitit që kërkonte largimin e Artan Grubit nga BDI-ja”, thotë ai.

Tutje, shprehet se DASH-i zbuloi se pse për Ali Ahmetin, Artan Grubi paska qenë më i vlefshëm sesa ish- zëvendëskryetari i BDI-s, Izet Mexhiti, se Grubi për Ahmetin ka qenë më i vlefshëm se gjithë partia e tij e BDI-s.

“Futja e Artan Grubit në Listën e zezë të SHBA-ve është sulm korruptivë dhe ndaj Ali Ahmetit, pasi Artan Grubi për kryetarin e BDI-së ka qenë dhe është personi më i dashur brenda partisë së tij. Logjika e shëndoshë na detyron të mendojmë, s'e është e pamundur që personi më i dashur i Ali Ahmetit, Artan Grubi; të ishte koka e korrupsionit masiv e mos të korruptohej edhe vetë Ali Ahmeti. Futja e Grubit në Listën e zezë amerikane na jep të drejtë të themi s'e dashuria e madhe e Ali Ahmetit ndaj Artan Grubit paskësha qenë për shkak interesave korruptive. DASH-i zbuloi se pse për Ali Ahmetin, Artan Grubi paska qenë më i vlefshëm sesa ish- zëvendëskryetari i BDI-s, Izet Mexhiti, se Grubi për Ahmetin ka qenë më i vlefshëm se gjithë partia e tij e BDI-s.

Artan Grubi duke joshur e mashtruar, Ali Ahmetin, me korrupsion masive u transformuar nga kali i Shemës në Kalë të Trojës për vetë Ali Ahmetin dhe BDI-n e tij”, përfundon ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat