17 dhjetori do të jetë dita kur do të mbahet takimi i ri në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi, në Bruksel.
Kjo datë është konfirmuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa në atë takim përfaqësuesi special i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, do të bisedojë me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
Zv.kryeministri Bislimi në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se nuk pret rezultate nga takimi i 17 dhjetorit.
“Takimi i datës 17 dhjetor nuk është se mund të prodhojë, ose do të duhej të prodhonte, pritshmëri, qoftë në Bruksel, qoftë në Prishtinë apo në Beograd. Ai po ndodh në një moment kritik për tri arsye: Kemi sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, kemi ardhjen e figurave të reja që do të jenë në komision dhe kemi largimin e zotit Lajçak, i cili e përfundon mandatin”.
“Realisht, kjo nuk është periudha më e mirë për të nisur diçka më të madhe, por me gjasë nuk ka gatishmëri as nga pala serbe për t’u marrë seriozisht me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit implementues të Ohrit”, ka thënë ai.
Ndërsa Petkoviq ka thënë për median serbe se do të insistojë që më 17 dhjetor më në fund të bëhet një takim trepalësh, i cili ka munguar në raundet e fundit të dialogut, për shkak të papërgatitjes së partisë së Prishtinës.
“Do të insistoj që të ketë një takim trepalësh, të shikojmë njëri-tjetrin në sy dhe t’i them sërish gjithçka që kam, por edhe të dëgjoj argumentet e tij. Është e lehtë të sulmosh Beogradin pa prova. Por Bislimi po ikën nga dialogu”, ka theksuar ai.
Në anën tjetër, publicisti Emin Azemi thotë se në këtë dialog Kosova po shkon e pa barabartë.
Sipas tij, Serbia ia vështirëson rrugët Kosovës duke u munduar ta fusë projektin “bota serbe”.
“Dialogu gjatë vitit 2024 i ka pasur rëniet dhe ngritje e veta, por kanë munguar rezultatet e pritura, si pasojë e sjelljeve dhe qëndrimeve aspak parimore të Serbisë. Kjo e fundit vazhdon ta konsiderojë Kosovën si pjesë të kushtetutës së saj dhe për pasojë politika serbe vazhdon ta trajtojë çështjen e Kosovës si pjesë të brendshme të Serbisë. Ky është thelbi kryesor i defektit të dialogut që po monitorohet nga BE, sepse në këtë dialog Kosova po shkon e pa barabartë, kurse kornizat që i janë caktuar çështjeve dialoguese kapin ekskluzivisht interesat e Serbisë (jo të serbëve ) në Kosovë. Duke u munduar ta fus në deriçkë projektin “bota serbe”, Serbia ia vështirëson rrugët Kosovës për t’i prezantuar interesat shtetërore të saja, sepse për Serbinë ka vetëm interesa të serbëve që duhet të bëhen hisenikë të sovranitetit të Kosovës”, shprehet Azemi.
Sipas publicistit, dialogut ka filluar t’i humb rëndësia në momentin kur Beogradi përmes instilacioneve po e minon sovranitetin e Kosovës.
Serbët janë mjeshtër të manipulimeve, thotë Azemi, gjersa shton se guximi qytetar në Serbi kundër regjimit të Vuçiqit po shënon ngritje graduale.
“Dialogu me Serbinë ka filluar ta humb rëndësinë në momentin kur Beogradi përmes instalacioneve subversive po e minon sovrantitetin e Kosovës, duke nxitur drejtpërdrejt sulme terroriste, fillimisht në Banjskë, e tash në Ibër –Lepenc. Serbët janë mjeshtër të manipulimeve dhe shfrytëzues të situatave konfuze, andaj ata do të mundohen në maksimum ta shfrytëzojnë për qëllime të veta çdo krizë që paraqitet, qoftë në Ukrainë, në Lindje të Mesme apo në Azi, si dhe këtë periudhë të tranzicionit të pushtetit në Administratën Amerikane, ndërkohë që vetëdija dhe guximi qytetar në Serbi kundër regjimit të Vuçiqit po shënon ngritje graduale. Për ta defokusuar vëmendjen e publikut brenda, Vuçiqi do të mundohet ta përdor Kosovën si poligon ku do të provojë të eksportojë krizë dhe konfliktualitet, sepse vetëm në këtë mënyrë ai mendon të mbetet në pushtet. Por, si duket këto manovra të tij janë kah fundi dhe mund të presim reprizim të skenave të Damaskut, ku opozita e detyroi Asadin ta braktis vendin i turpëruar. Përderisa do të ketë modele të njëjta autokratike si Asadi, do të ketë edhe njerëz të pakënaqur që do t’i shfrytëzojnë të gjitha mjetet për t’i rrëzuar ata nga pushteti. Ka shumë të ngjarë që edhe modeli i regjimit të Vuçiqit mund të shkërmoqet shumë lehtë, njësoj siç ndodhi me regjimin e Asadit dhe për pasojë Serbia mund të fitojë një shans të re për t’i normalizuar marrëdhëniet me Kosovën dhe me shqiptarët”, përfundon Azemi.