“Pragu i LVV-së 50 për qind”, vjen ‘goditja’ për opozitën: Gara më e fortë për vendin e dytë!

Politika

“Pragu i LVV-së 50 për qind”, vjen ‘goditja’ për opozitën: Gara më e fortë për vendin e dytë!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 11 dhjetor 2024 Në ora: 19:02
Ramush Haradinaj, Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi

Ditë më parë, u mbajt Këshilli i Përgjithshëm i LVV-së, për zgjedhjen e kandidatit të partië së kryeministër, për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Me 120 nënshkrime, Këshilli zgjedhor i përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje zgjodhi kandidat për kryeministër për zgjedhjet parlamentare, kryetarin e kësaj partie, njëherësh kryeministrin aktual Albin Kurti.

I pari i qeverisë mori besimin e plotë për këtë gjë, derisa i cilësoi edhe si shumë të veçanta zgjedhjet e ardhshme.

Kurti foli edhe për misionin e tij dhe të partisë, derisa tha se pragu për partitë e tjera është 5 për qind e për LVV është 50 për qind

“Zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të jenë padyshim të veçanta, për herë të parë prej shpalljes së pavarësisë, Kosova do të mbajë zgjedhje të rregullta parlamentare. Misioni ynë nuk do të jetë vetëm të shpalosim një program politik për katër vjetët e ardhshëm, por edhe të sigurojmë që qytetarët të jenë të informuar në detaje për te gjitha të arriturat e qeverisë sonë me gjithë sfidat e jashtëzakonshme që kishim përballë. Kosova ka më në fund një qeveri që i shërben të gjithë qytetarëve njësoj dhe jo interesave të pushtetarëve apo liderëve. Para dhe buxhet ka pasur edhe para nesh, por ata njëherë në katër vite blinin vota e pastaj katër vite me rashë i vidhnin, andaj nuk kishte as shtesa për fëmijë, e populli e ka përjetuar ketë ndryshim dhe e di kujt t’ia besoj buxhetin e shtetit të tij. Thirrja ime për ju të shtrini të drejtën tuaj demokratike për të votuar si qytetarë të Kosovës. Pragu për partitë e tjera është 5 për qind e për LVV është 50 për qind”, u shpreh Kurti.

Bejta: Opozita e di që në zgjedhjet e ardhshme më 9 shkurt 2025, LVV përsëri 100% do t’ i fitojë zgjedhjet

Deputeti nga radhët Listës ‘Guxo’, Nasuf Bejta në një prononcim për “Bota sot” përmendi tentativat e opozitës për të penguar punët e qeverisë, me qëllim që ta kritikojnë atë.

Sipas tij, synimi i partive opozitare është që t’ia pamundësojnë LVV-së fitoren e ngjashme me atë të 14 shkurtit 2021.

“Siç e dini edhe ju, opozita komplet pa dallim në vitin e fundit të këtij legjislativi e ka pasur vetëm një qëllim: si të pengojnë punët që Qeveria të duket në opinion si e paaftë për t’i çuar përpara punët e mëdha e jetike për vendin e që sipas tyre do të pamundësohej një fitore plebishitare e ngjashme me atë të 14 shkurtit në zgjedhjet e kaluara”.

Po ashtu, deputet beson se edhe opozita e di që LVV do fitojë sërish, por vetëm po tentojnë që ta dobësojnë të paktën për 5 për qind, në mënyrë që të mos arrijë ta bëjë qeverinë.

E në këtë pikë, përmendi edhe skenarë.

“Opozita e di që në zgjedhjet e ardhshme më 9 shkurt 2025, LVV përsëri 100% do t’ i fitojë zgjedhjet, por qëllimi edhe angazhimi i tyre do të jetë që të paktën ta dobësojnë për 5% e që do të pamundësonte formimin e Qeverisë nga LVV, e që sipas tyre do vinin në shprehje skenarë tjerë sepse e dinë mirë ata (opozita) që z. Kurti me asnjë çmim nuk formon Qeveri me listën serbe”, theksoi ai.

Ndër të tjera, Bejta u shpreh se opozita me sulmet e saj shpifëse ndaj Kurtit, vetëm po e rrit fuqinë elektorale të LVV-së.

“Opozita, me këtë fushatë shpifëse ndaj personalitetit të Kurtit që për momentin është i vetmi lider me virtytet e liderit popullor, shkëlqyeshëm është duke e ngritur edhe më shumë dhe besoj që për këtë nuk do të shkojë kohë e gjatë e do të bindemi të gjithë.

Nuk ka thënë kot populli se punët e mira vijnë ngadalë...”, përmbylli Nasuf Bejta për “Bota sot”.

Gacaferi: Sigurt që do jetë një garë e fortë për vendin e dytë

Edhe anëtari i Guxo, Luan Gacaferi u shpreh i të njëjtit mendim me kryeministrin Kurti.

Madje, sipas tij partitë e opozitës do luftojnë për kalim të pragut dhe se çdo përqindje më shumë do ishte sukses për ato.

“Nominimi i KM aktual i Kurtit, nuk besoj qe te dikush do shkaktonte befasi, sepse kjo edhe është gjëja më normale!

Unë ndaj të njëjtin mendim me zt. Kurti, sa i përket pragut për partitë opozitare, të cilat luftojnë që ta kalojnë pragun prej 5%, e pastaj nëse del diçka ma shumë në përqindje është sukses për partitë opozitare!”.

Po ashtu, Gacaferi tha se është shumë e rëndësishme që koalicioni LVV-Guxo të fitojë me mbi 50 për qind të votave dhe ta formojë qeverinë pa pasur nevojë për koalicion.

“Kurse, për VV GUXO pragu është mbi 50% për të qeverisur edhe një mandat tjetër pa u penguar nga ndonjë parti opozitare nëse do t'i duhej për koalicion!

Unë mendoj se zt. Kurti kishte dhe vazhdon të këtë shumë të drejtë me pragun prej 50%, sepse kjo është jo vetëm e domosdoshme, por edhe jetike për te ardhmen e Kosovës, qe të kemi një qeveri të fortë dhe të pavarur nga partitë e opozitës, të cilat në të kaluarën e kanë dëshmuar qe s'ju intereson interesi i Kosovës, por interesi i tyre dhe i "mashqive" të tyre!”, nënvizoi ai.

Në fund, anëtari i Guxo paralajmëroi garë të fortë për vend të dytë, derisa vlerëson që opozita do bëjë fushatë elektorale me shpifje dhe propaganda.

“Bukur me bindje e them se edhe në zgjedhjet e ardhshme VV-GUXO do qeverisin të vetme e me një rezultat edhe më të mirë se në zgjedhjet e fundit!

Po, sigurt që do jetë një garë e fortë për vendin e dytë dhe do jetë edhe një fushatë elektorale me shumë shpifje, shumë Fake Neës, por prap i bindur se qytetarët e Kosovës nuk do bien preh e kësaj lufte propagandistike të atyre qe e duan Kosovën si të destabilizuar!” – përmbylli Luan Gacaferi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat