Rënia e Assadit dhe kthesa e zhvillimeve në Siri mund ta prekin edhe Kosovën, ja pse

Politika

Rënia e Assadit dhe kthesa e zhvillimeve në Siri mund ta prekin edhe Kosovën, ja pse

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 13 dhjetor 2024 Në ora: 07:54
Foto ilustrim

Kanë kaluar disa ditë që nga rënia e regjimit të Bashar al- Assad në Siri.

Gjersa shumë sirianë po kthehen në vendet e tyre pas sundimit 24 vjeçar të Assadit, në media qarkullojnë raportime për rritjen e rreziqeve për përhapjen e terroristëve të ISIS-it.

“Ajo që po ndodh në Siri hap një fushë shfrytëzimi, ndërsa në të njëjtën kohë rrit rreziqet për përhapjen e terroristëve të ISIS-it”, në këtë përfundim ka arritur rrjeti britanik Sky News, i cili shpjegon se si përmbysja e regjimit të Asadit mund të sjellë ringjalljen e Shtetit Islamik.

Sipas Sky News, duke cituar një komandant të lartë në Siri, ekziston frika se organizata ISIS mund të përfitojë nga situata aktuale kaotike në Siri. Tani për tani, sytë e komunitetit ndërkombëtar janë te grupet rebele në Damask, por ajo që gjithashtu ka rëndësi është vakuumi i pushtetit që është krijuar.

Ndërsa Siria përpiqet të dalë nga errësira dhe dhuna e imponuar nga regjimi i Asadit, shumë grupe po përpiqen të përfitojnë nga situata me ISIS-in, ndoshta duke u përpjekur të konsolidojnë pushtetin përsëri.

Në juglindje, kurdët jetojnë nën një regjim të vazhdueshëm ankthi për të ardhmen. Një nga figurat më të fuqishme në rajonin e Sirisë juglindore është komandanti i ushtrisë siriane, Abdi Mazloum. Ai paralajmëron Perëndimin se Shteti Islamik tashmë po përpiqet të përfitojë nga situata.

“ISIS tani është më i fortë në shkretëtirën siriane. Më parë fshiheshin në zona të shpërndara, por tani kanë më shumë liri lëvizjeje pasi nuk pengohen nga forcat e tjera dhe nuk përfshihen në luftë me ta”, shpjegon ai për Sky News.

“Në zonat nën kontrollin tonë janë intensifikuar aktivitetet xhihadiste. Vetëm pak ditë më parë, tre anëtarë të forcave të sigurisë u vranë pranë al-Hasakah në një operacion të ISIS,” shton ai.

Në anën tjetër, organizata ISIS kishte përmendur në të kaluarën edhe Kosovën dhe Shqipërin duke u bërë cak i mundshëm i sulmeve terroriste, por edhe shumë qytetarë i janë bashkuar luftës atje.

Ekspertët e sigurisë nuk përjashtojnë mundësinë që Kosova të përfshihet nga sulmet terroriste, gjersa shtojnë se zhvillimet në Siri e kanë trembur Vuçiqin.

Elezi: Kosova akoma mbetet e ekspozuar para rreziqeve të tilla

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, thotë se situata e sigurisë aktualisht në Siri është shumë komplekse.

Sipas tij, është komplekse edhe për shkak të ndarjes në zona.

Image
Bedri Elezi

“Situata e sigurisë aktualisht në Siri është shumë komplekse dhe kjo për shkak të zhvillimeve të reja që atje kanë ndodhur dhe tanimë qeveria apo udhëheqja e ish-presidentit Asad është tërhequr dhe mund të themi po ashtu se ka largim edhe të forcave të huaja siç kanë qenë ato ruse dhe iraniane që do të thotë se zona që ka qenë nën kontrollin e tyre tani më është në kuadër të ushtrisë së siriani e cila fronit sirian për çlirim e Sirisë të cilët ishin bashkuar disa organizata për të liruar nga Asadi Sirinë. Është komplekse edhe për shkak se tani Siria ndahet në tri zona, është një pjesë ku kontrollohet nga forcat Fronti për çlirimin e Sirisë, pastaj është një pjesë e forcave kurde që kanë një zonë mjaft të rëndësishme për të kontrolluar dhe po ashtu kemi edhe disa zona të caktuara që janë nën kontrollin e ISIS.  Ne kemi pasur një qëndrim zyrtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë kryer mbi 70 sulme në vende të ndryshme të kontrolluara nga ISIS, po ashtu kemi pasur deklarime se grupe të vogla që mund të jenë të lidhura me Alkaidën apo ISIS kanë marrë kontroll zona të vogla, qyteza të vogla të cilat mund të shfrytëzohen si burime për të shpërndarë rreziqe gjithandej”, deklaron Elezi.

Elezi thotë se rreth 70 persona janë të angazhuar në grupet e Sirisë, gjersa tregon se në të kaluarën ata kishin kërkuar riatdhesim.

“Ne jemi dëshmitarë që ka pasur qytetarë të Republikës së Kosovës të angazhuar në grupet e Sirisë, kemi akoma, madje pikërisht në zona të çliruara tani që besohet se janë mbi 70 persona që edhe më parë kishin kërkuar riatdhesim të tyre por nuk ishte mundësuar nga qeverisja Haradinaj. Kemi bërë ne personalisht një përpjekje për të lehtësuar komunikimin mes personave që kanë kërkuar riatdhesim me Ministrinë e Jashtme në atë kohë. Gjithashtu vlen të përmendet se ka pasur edhe grupe të tjera të cilët janë përfshirë edhe në organizata apo në grupe më të vogla siç ishte ushtria xhemati Alban, që besohet se udhëhiqej nga luftëtarë shqiptarë të zonave të ndryshme të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë etj., që kryesisht kanë qenë persona nga Gadishulli Ballkanik”, pohon eksperti.

Zhvillimet në Siri janë një lloj inkurajimi, nxitje për persona apo grupe që kanë qasje radikale të marrin veprime që kanë të bëjnë me çështjet fetare, thotë Elezi.

 “Ndërsa sa i përket manifestimit të këtyre zhvillimeve edhe në vendin tonë, ne duhet ta kemi parasysh se gjithmonë këto zhvillime janë edhe një lloj inkurajimi, një lloj nxitje e personave, e grupeve të cilët kanë një qasje radikale për të ndërmarrë veprime, apo për të thelluar aktivitetet e tyre që kanë të bëjnë edhe me çështjet fetare dhe posaçërisht radikale. Ne jemi dëshmitarë gjithashtu që institucionet e Kosovës kanë arrestuar qytetarë që kanë organizuar aktivitete të nxitjes së urrejtjes, kanë arrestuar hoxhallarë, kemi të dënuar, kemi persona të dyshuar akoma dhe kemi edhe raste të cilat janë konsideruar si përpjekje për sulme terroriste të cilat janë në procedura gjyqësore, apo janë edhe vendimet nga gjykata kompetente. Ju e dini se kishim një sulm terrorist në liqeni e Badovcit që e kishte konsideruar Prokuroria Speciale në atë kohë bashkë me institucionet e sigurisë, gjithashtu edhe sulmin e fundit të cilën e kishim të dyshuar për rastin e grupit të Pejës ku akoma nuk kemi një vendim, apo aktakuzë për këtë. Gjithashtu kemi pasur edhe arrestime të personave, grupeve apo organizatave jo qeveritare që kanë mbështetur aktivitete të dyshimta të nxitjes së urrejtjes ndërfetare”, shprehet eksperti.

Ai konsideron se Kosova është e ekspozuar para rreziqeve dhe institucionet duhet të ndërmarrin masa për programe dhe projekte të posaçme të kësaj natyre.

“Prandaj, mund të themi se Kosova akoma mbetet e ekspozuar para rreziqeve të tilla dhe sidomos kur marrim parasysh faktin se struktura sekrete të shërbimeve të huaja dyshohet se veprojnë në Kosovë dhe ekziston rreziku që pikërisht këta të mbështesin aktivitete kundër rendit dhe ligjit të kushtetutës së Kosovës, përkatësisht aktivitetet me qëllim terrorizmi fetar dhe këto kanë ndodhur mund të themi edhe në të kaluarën. Andaj në këtë rast, institucionet e Republikës së Kosovës, krahas këtyre zhvillimeve dhe krahas përpjekjeve të vendeve armike sidomos në këtë rast që ka dyshime për përshkallëzim edhe në vendet e rajonit ne duhet të ndërmarrim të gjitha masat që të krijojnë programe, apo projekte të posaçme operative për të siguru”, shton eksperti.

Softa: Modeli i Sirisë e ka trembur Vuçiqin

Ndërsa, Fatjon Softa ekspert i sigurisë në Shqipëri, thotë se fillimisht duhet të shihet kush është forca çlirimtare dhe cilat janë rreziqet.

“Siria në optikën e Perëndimit dhe interesat dhe pritshmëritë e efekteve në Ballkan. Duhet të shohim se kush është forca çlirimtare dhe cilat janë rreziqet” "Shkaku i parë i rënies së Asadit është paaftësia politike e regjimit për të menaxhuar kryengritjen e vitit 2011 dhe për të mos i dhënë fund luftës civile me një kompromis për paqe. Pas hyrjes në Damask, rebelët e Organizatës për Çlirimin e Levantit, të udhëhequr nga Al Jolani, morën kontrollin e territorit. Ish-diktatori, Bashar al-Assad dhe familja e tij u strehuan në Moskë, ku presidenti Vladimir Putin u ofroi atyre azil politik per "arsye humanitare". Ndërkohë, ushtria izraelite kreu sulme kundër 320 “objektivave strategjikë” në Siri për të parandaluar që armët, përfshirë dhe armët kimike të kalonin në duart e Hezbollahut. Në pritje, vendet e G7 shpresojnë për një tranzicion paqësor që do të kontribuojë në stabilitetin rajonal”, shprehet Softa.

Image
Fation Softa

Ai tregon se rebelët rrezikojnë të marrin Libanin, gjersa rrëfen se Assad nuk kishte asnjë mundësi apo vullnet që t’i jap fund konfliktit.

 “Regjimi e ri (rebelët) gjithashtu rrezikojnë të marrin Libanin sepse forca e bindjes ideologjike, e kombinuar me aftësinë luftarake, mund të pushtojë shumë fraksione libaneze. Assad e fitoi luftën falë ndërhyrjeve të Iranit dhe Rusisë në një vend plotësisht të shkatërruar. Por Assad qeverisi mbi një territor që nuk e kontrolloi plotësisht, sepse kishte zona të mbrojtura si nga Shtetet e Bashkuara ashtu edhe nga Turqia. Ai kishte një qeveri paralele në duart e Organizatës për Çlirimin e Levantit. E gjithë kjo krijoi kushtet për kthime të mundshme të trazirave. Me sa duket, Alsad nuk kishte asnjë mundësi apo vullnet politik për t'i dhënë fund konfliktit me një kompromis që do të lejonte opozitën të ripërthithej apo izolohej. Tragjedia e Sirisë fillon në vitet 1940, kur u bë një përpjekje për t'i shpëtuar copëtimit nënkombëtar përmes një diktature, e cila më pas u shemb gjithsesi. Autoritarizmi mund të jetë një mbrojtje nga fragmentimi, por pas disa dekadash ai tregon kufijtë e tij, si në ish-Jugosllavi apo Libi. Bashar al-Assad nuk gjeti një rrugëdalje të butë nga kriza e vitit 2011”, rikujton Softa.

Sipas tij, tani Putini duhet t’i japë fund luftës në Ukrainë, gjersa shton se ekziston tani mundësia e një Sirie të libanizuar.

“ A po forcohet Putini me lëvizjen e azilit apo po izolohet edhe më shumë? Tani për tani, Putini duhet t'i japë fund luftës katastrofike të Ukrainës, e cila, nëse është një fitore, është një fitore e Pirros. Deri dje, për Rusinë, Siria ishte një rast i një ndërhyrjeje brilante në favor të një regjimi. Megjithatë, rënia Sirise shkaktoi habi dhe lehtësim në shumë vende, përfshirë ato perëndimore. Ekziston mundësia e një Sirie të libanizuar; ose të një regjimi të ngjashëm me Shtetin Islamik ashtu si është vendosur në Irak dhe mund të marre gradualisht Libanin. Regjimi i ri mund të përfshijë gjithashtu Libanin, sepse forca e bindjes ideologjike, e kombinuar me aftësitë luftarake, mund të pushtojë shumë fraksione libaneze. Jemi ende në fushën e mundësive, por do të ishte marrëzi t'i zhytesh në eufori sipërfaqësore”, shprehet eksperti.

Softa thotë se modeli i Sirisë e ka trembur Vuçiqin, gjersa shton se po ndiqen me kujdes zhvillimet në Siri.

 “Modeli i Sirisë, ka trembur Vuçiq, ai deklaroi që forcat e inteligjencës mund të organizojnë rrëzimin e tij, diktaturat dhe modelet janë stimuj të ndryshimeve të mëdha. Serbia duhet të demokratizohet, por rreziqet nga ndryshimet në Siri, janë në vëmendjen e vendeve të perëndimit. Ministri Jashten Italian, deklaroi në Rai Uno, që ne po ndjekim me kujdes zhvillimet që të kuptojmë rrjedhën e ngjarjeve për të reaguar. Turqia pretendon të hyjë  të marrë kontrollin, Rusia kërkon largimin e trupave dhe kërkon ndihmën e Turqisë”, përfundon Softa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat