Dy shtetet që mund ta bëjnë këtë, Kosova drejt anëtarësimit në NATO?

Politika

Dy shtetet që mund ta bëjnë këtë, Kosova drejt anëtarësimit në NATO?

Nga: P. R. Më: 13 dhjetor 2024 Në ora: 09:53
Foto ilustrim

Profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, për gazetën “Bota sot” thotë Kosova urgjentisht duhet të anëtarësohet në NATO.

“Pranimi i Kosovës në NATO është domosdoshmëri. Është imperative, sidomos në kushtet e reja të zhvillimeve gjeopolitike. Ngjarjet e dy javëve të fundit në Siri dëshmuan se tashmë ka aktorë të rinj, si Turqia, të cilët kërkojnë pjesëmarrje në vendimmarrjen për rendin e ri botëror. Siria është pikënisja e këtij ndryshimi të raporteve ndërkombëtare”, shprehet Bytyçi.

Sipas tij, në këto rrethana duhet kërkuar me ngulm që Kosova të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur pjesë e Aleancës politiko-ushtarake të Atlantikut.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

"Më së pari duhet ngritur statusi i saj në NATO. Nga vëzhguese e Asamblesë Parlamentare duhet të bëhet anëtare e Partneritetit për Paqe. Dhe më pas anëtare me të drejta të plota. Kosova në Kartën e Adriatikut së bashku me Shqipërinë, Kroacinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut do të ishte hapi i parë drejt integrimit në NATO. Kosova mund të pranohet në NATO, nëse këtë do ta marrin përsipër amerikanët dhe anglezët. Një iniciativë e Kosovës për të punuar me këto dy vende, por edhe me Gjermaninë, Francën dhe Turqinë për pranim në NATO do ta përshpejtonte procesin. Ndoshta ka nevojë që institucionet e Kosovës, Presidenca, qeveria, ministria e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes të hartojnë një dokument strategjik të pranimit të vendit në NATO dhe me këtë dokument të tentojnë të flasin dhe t’i bindin partnerët që përmenda më sipër", shton Bytyçi.

Siç thotë Bytyçi, në këtë integrim janë pengesë katër vende anëtare të NATO-s, të cilat nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës.

"Jam i sigurt se SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermania e Franca, nëse bëhen me një mendje dhe flasin të njëjtën gjuhë, i bindin këto katër vende, përkatësisht, Greqinë, Spanjën, Rumaninë dhe Sllovakinë në mos për ta votuar, për të abstenuar në rastin e pranimit të Kosovës. Kam parasysh faktin se në vitin 1999 Greqia dhe Spanja, të cilat asokohe ishin anëtare të Aleancës votuan pro-bombardimeve të Serbisë për çlirimin e Kosovës. Kur atëherë këto dy vende votuan pro, kur edhe kishin kundër opinionin publik të brendshëm, sot është shumë me e lehtë që ato të binden për anëtarësimin e vendit që vetë e çliruan në NATO. Nuk ka më kuptim që vende demokratike si ato që përmendëm më lart të bëhen pengesë e integrimeve dhe vendimmarrjeve që krijojnë stabilitet, paqe, siguri dhe zhvillim në rajonin e Ballkanit Perëndimor", thekson Bytyçi.

"Nga ana tjetër pranimi i Kosovës në NATO është një mjet politik dhe strategjik për ta detyruar Serbinë të bëhet gjithashtu pjesë e saj. Kjo sepse Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina në NATO do të thotë krijimi i një dare të forte për Serbinë dhe izolim i plotë i saj në ishullin ballkanik të vendeve anëtare të Aleancës Atlantike. Përveçse në Serbia do të zgjohej sentimenti i xhelozisë, ajo do të shihte se e ka përfundimisht të pamundur të jetojë në izolim të plotë në aleancë të pamundur praktikisht me Rusinë. Ndërkohë që do të detyrohej ta njihte shtetin e Kosovës dhe të zgjidhej përfundimisht konflikti shqiptaro-serb si dhe konfliktet e tjera në rajon. Sigurisht që kjo nuk do të ndodhë me Aleksandër Vuçiq në pushtet, por rrëzimi I tij nuk duket I largët", shpjegon profesor Bytyçi.

Më tej, Bytyçi deklaron se anëtarësimi I Kosovës në NATO mbyll menjëherë plagën e konfliktit të stërzgjatur midis Kosovës dhe Serbisë.

"Besoj shumë se presidenti Trump nuk do ta kursejë një surprizë të tillë. Kjo edhe për faktin se ai është pragmatik e njëkohësisht praktik. Kosova në NATO do të thotë ulje e kostos së Aleancës për paqen në këtë vend, sepse në këtë rast KFOR-i do ta përfundonte misionin e tij. Kosova në NATO do ta kishte të mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror nëpërmjet nenit 5 të Kartës së Atlantikut. Kësisoj KFOR-i del i panevojshëm. Përveç kësaj pas suksesit në Siri, anëtarësimi i Kosovës në NATO mbyll menjëherë plagën e konfliktit të stërzgjatur midis Kosovës dhe Serbisë. Kosova në NATO e afron shumë më tepër këtë vend në rrugën e integrimit evropian. Donald Trump do të bëjë zgjidhje praktike. Por atij i duhet servirur një vizion i qartë dhe një strategji integrimi me nënvizime dhe ide të qarta. Institucionet e Kosovës duhet ta bëjnë këtë. Sa më shpejt, aq më mire për vendin", nënvizon Bytyçi.

Profesor Bytyçi thotë se Kosova është shembull dhe modeli I të qenit i gatshëm për t’u bërë anëtare e NATO-s.

"Ndërkaq mund të them se ushtria e Kosovës është në përfundim të procesit të modernizimit të saj. Kosova shpenzon për ushtrinë dhe mbrojtjen rreth 4 përqind të GDP-së, pra më shumë se të gjitha vendet anëtare të NATO-s, përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë këndvështrim Kosova është shembull dhe modeli i të qenit i gatshëm për t’u bërë anëtare e NATO-s. Gjithashtu ushtria e Kosovës, FSK, Policia, pra forcat e armatosura të saj janë më profesionalet në Ballkanin Perëndimor. Të qenit profesional në aksionet e mbrojtjes dhe çështjet e sigurisë është kushti kryesor I të qenit gjithashtu anëtar I NATO-s. Kur në NATO është Shqipëria, Maqedonia e Veriut etj, me buxhet ushtarak shumë më të vogël se Kosova, pse Kosova të mos jetë anëtare e saj?!".

Por a mund të ketë kushte të reja për Kosovën për anëtarësimin në NATO?

"Kryesore është të mos ketë konflikte të hapura me fqinjët. Kosova ka një konflikt me Serbinë. Por Serbia nuk do që të zgjidhet ky konflikt. Është në interesin e saj ta mbajë peng Kosovën në integrime e madje edhe në zhvillim. Atëherë, pas kaq shumë përpjekjesh dhe mundimesh prej 13 vitesh bisedime, duhet gjetur një zgjidhje që Kosova të mos pengohet. Zgjidhja më e mirë edhe për t’i dhënë fund këtij konflikti shekullor është pranimi i Kosovës në NATO", përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat