Pse Liburn Aliu mbeti jashtë listës? Komentohen kandidaturat për deputetë: Prurja për vota më së paku është bërë në LVV

Politika

Pse Liburn Aliu mbeti jashtë listës? Komentohen kandidaturat për deputetë: Prurja për vota më së paku është bërë në LVV

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 13 dhjetor 2024 Në ora: 14:32
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kanë qeverisur me vendin për 4 vjet, duke u bërë kështu partia e parë në Kosovë që e çon mandatin deri në fund dhe që kishte fituar bindshëm zgjedhjet e kaluara.

Tani në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje pritet të garojë edhe për një mandat tjetër së bashku me Partinë “Guxo” dhe “Alternativën”, derisa të mërkurën në mbrëmje është publikuar edhe lista e dorëzuar në KQZ me emrat e kandidatëve që garojnë për deputetë.

Në listë prinë Albin Kurti, pastaj Glauk Konjufca dhe me numrin tre është Donika Gërvalla.

Në njoftimin LVV-së thuhet se kanë dorëzuar listën e përbashkët për fitoren e madhe.

“Lëvizja Vetëvendosje! së bashku me partnerët e saj Partia Guxo dhe Alternativa dorëzuan listën e përbashkët, për fitoren e madhe në zgjedhjet e 9 shkurtit.”, ka shkruar LVV-ja.

Në këtë listë ka emra të rinj, por kryesisht janë emra të cilët veçse kanë qenë deputetë, ministra apo kryetar komunash. Ajo çka ka rënë në sy është mungesa e zv.kryeministrit Besnik Bislimi në këtë listë dhe e ministrit Liburn Aliu.

Analistët kanë komentuar për “Bota sot”, listën e Lëvizjes Vetëvendosje, gjersa tregojnë arsyet pse ministri Liburn Aliu u la jashtë listës.

Jakupi: Suksesi më i madh i kësaj qeverie ishte veriu

Analisti Zejnullah Jakupi, thotë se koalicioni i përbërë nga LVV, Guxo dhe Alternativa ka arritur me sukses qeverisjen 4 vjeçare dhe në shumë fusha ka treguar performancë të mirë dhe progresive.

Sipas tij, këta kandidatë për deputetë që tanimë janë pjesë e listës së re, kanë treguar se dinë të udhëheqin me Kosovën, ta përmirësojnë mirëqenien, të rrisin buxhetin, të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Lista e LVV-së ka figura të respektuara dhe të dëshmuara, personalitete këto, të cilat me një dinamik të re dhe me idenë dhe kauzën e filluar nga viti 2021 do të mund të korrin suksese edhe për 4 vite të ardhshme. Koalicioni i përbërë nga LVV, GUXO dhe Alternativa arriti ta mbarojë me sukses qeverisjen 4 vjeçare dhe në shumë fusha tregoi performacë të mirë dhe progresive. Suksesi më i madh i kësaj qeveria ishte veriu, shtrirja e sovranitetit të Republikës dhe integrimin e veriut i cili natyrisht nuk ka përfunduar, por nuk duhet harruar se çështja e veriut nuk ka të bëj me statutin e Kosovës, ashtu si po e proklamon opozita se gjoja nuk është përmbyllur. Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik me ekonomi të Tregut të Lirë, Republikë parlamentare.

Po këta kandidatët deputetësh që janë pjesë e Listës LVV dhe GUXO, Alternativa kanë treguar se dinë të udhëheqin Kosovën, ta përmirësojnë mirëqenien, të rrisin buxhetin, të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe natyrisht janë personalitete të sinqertë, janë të përkushtuar që Kosovën, njëherë e mirë, ta kthejnë në binarët e saj”, thotë Jakupi.

Image
Analisti Zejnullah Jakupi

Emrat e rinj në listë, Jakupi i konsideron si kandidatë që do të sjellin risi dhe kulturë të re, por sipas tij, edhe pse ka pak prurje të reja kjo nuk do të jetë pengesë që ky koalicion të tregojë suksesin e merituar.

 “Gjithashtu Listës ju kanë bashkuar disa emra të rinj mes tyre edhe profesor Nezir Kraki, Albena Reshitaj, Gazmir Raci etj. Këta kandidatë do sjellin risi dhe kulturë të re, një plotësim të mendësisë perëndimore që e ka filluar në GUXO Donika Gërvalla-Schëarz.

Gjithsesi, edhe pse ka më pak prurje të reja në LVV kjo nuk do jetë pengesë sepse ky koalicion tregojë suksesin e merituar në legjislaturën e kaluar.

Pra, kuvendit të Kosovës i duhen njerëz, parimor, ekspertë, intelektualë që dinë dhe duan, sepse puna në kuvend është tepër sfiduese e mundimshme, kërkon analizim, kërkim, lexim të ligjeve, debatim dhe zgjuarësi 7/24. Pra, rinovimi i listës me më shumë kandidatë do kishte kuptim nëse nuk do kishin patur sukses deri tani, këta që janë në listë. Edhe unë jam kundër prurjeve të reja nga bota rozë, Big Brother, apo nga biznesi, nëse ata nuk lexojnë, nëse s’ paku nuk janë profesionist në një fushë të caktuar. Prurjet nga gazetaria janë të mirëseardhura, sepse, ta zëmë, një gazetar i mirë ose ekspert i medieve do të kontribuonte në debate, në ndryshim ose plotësim të ligjeve ekzistues, fushë kjo natyrisht edhe për juristë dhe ekonomistë. Natyrisht dy a tre emra që përfshihen në listë janë vetëm për kozmetikë, sa për vota sepse janë figura publike, këngëtar, humorist, biznesmen. Ata me gjasë nuk do jenë aktiv, sikur se është dëshmuar në të kaluarën kur PDK merrte për vota këngëtarë, veprimtarë etj., të cilët nuk i kemi parë kurrë duke debatuar në kuvend. Pra, prurja për vota më së paku është bërë në LVV në krahasim me LDK-në PDK dhe AAK-në”, pohon analisti.

Kasolli: Fitorja ose humbja e LVV-së është kushtëzuar nga autoriteti politik i Kurtit

Por, një qëndrim ndryshe e mban analisti Afrim Kasolli, i cili duke komentuar listë e Lëvizjes Vetëvendosje, konsideron se Lëvizja në përgjithësi si formacion ka qenë në masë të madhe e varur kryesisht nga pushteti personal i Albin Kurtit.

Sipas tij, menyja e kandidatëve për kryetarë të komunave nga ky subjekt ishte më e dobëta, çfarë edhe ju rikthye në bumerang politik.

“Lëvizja Vetëvendosje në përgjithësi si formacion ka qenë në masë të madhe e varur kryesisht nga pushteti personal i Albin Kurtit. Dhe fitorja ose humbja e saj është kushtëzuar nga autoriteti i tij politik. Sa më shumë që është shtuar ky i fundit aq më pak lideri i VV-së i interesuar cilësia e listës. Sepse në këtë mënyrë ka kalkuluar që me individë pa peshë politike dhe publike e ka më lehtë ta mirëmbaj të pa kontestuar autoritetin brenda Lëvizjes. Këtë metodë e kishte aplikuar edhe zgjedhjet lokale të vitit 2021. Menyja e kandidatëve për kryetarë të komunave nga ky subjekt ishte me dobëta, çfarë edhe iu rikthye në bumerang politik. Por, për kundër këtij pësimi, kjo parti me pak ndryshime kozmetike e ka ndjekur përsëri këtë praktikë. Duke u bazuar pretendimin se autoriteti i Albin Kurtit është i mjaftueshëm për sukses politik”, shprehet Kasolli.

Image
Afrim Kasolli

Pse Liburn Aliu nuk u përfshi në listë?

Në listën e Vetëvendosjes për kandidatët për deputetë, mungojnë zv. Kryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Deputetja e Lëvzijes Vetëvendosje në një deklaratë për median vendore kanë thënë se Bislimi nuk ka qenë pjesë e listës as në zgjedhjet e kaluara dhe kjo është zgjedhje personale sikur e tij, sikur e ministrit Aliu.

“Besnik Bislimi nuk ka qenë pjesë e listës as në zgjedhjet e kaluara përndryshe është shef i shtabit zgjedhor të VV-së tashmë e disa procese. Po mendoj që kjo ka qenë zgjedhje personale e profes njëjtë sikurse edhe kandidatëve të tjerë përfshirë edhe e ministrin Aliu dhe të tjerëve dhe nuk është se ata janë lënë jashtë listës për ndonjë arsye pse subjekti politik mund të mos të kishte qenë i kënaqur apo diçka tjetër me punën e tyre…. Jemi të vetëdijshëm të gjithë për pozicionin që ka aktualisht z. Bislimi të zëvendëskryeministrit të parë dhe udhëheqës i negociatave me Serbinë dhe kontributin tij ka qenë i jashtëzakonshëm në dialog dhe vazhdon deri në fund mandatit njëjtë sikurse edhe puna e ministrit Aliu prandaj këtu ka qenë një lloj tendence për tu dhënë ky kuptimi që kjo ndoshta ka qenë arsyeja që këta dy janë lënë jashtë liste. Por nuk janë lënë jashtë listës thjesht besoj ka qenë zgjedhje personale e tyre për të mos qenë pjesë e listës kësaj here, por për të qenë aty gjithmonë të gatshëm për të kontribuar për fitoren e radhës të VV. Unë besoj se s’ka mbete jashtë listës asnjë deputet që është deputet aktualisht. Sepse lista s’ka pasur vend për ta, unë besoj se kushdo që është jashtë listës sot ka qenë zgjedhje e tyre për arsye të ndryshme qe mund t’i pyesni ata”, ka thënë Arbesha Kyreziu, deputete e Vetëvendosjes.

I pyetur nëse është “ndëshkua” ministri Liburn Aliu për shkak të dyshimeve për keqpërdorime në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, analisti Zejnullah Jakupi nuk e beson një gjë të tillë.

Sipas tij, me punën e tij  Aliu ka treguar sukses të konsiderueshëm dhe mos kandidimi i tij lidhet me dëshirën që të mos ia zë vendin ndonjë kandidati.

“Ndërsa sa i përket pyetjes se a u “ndëshkua” ministri Liburn Aliu me mos futje në listë për shkak të dyshimeve për keqpërdorime në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës unë nuk besoj se ky është shkaku, sepse akuzat të tilla të pa baza dhe pa i vërtetuar akoma gjyqi, sepse opinioni tashmë është mësuar me shpifje të cilat po bëhen nga opozita me dhjetëra vetëm brenda një dite. Natyrisht z. Aliu gjithsesi do ta shpjegon moskandidimin për deputet, por unë besoj se mos kandidimi lidhet me dëshirën që të mos ja zëj vendin ndonjë kandidati, sepse me punën e tij si ministër ai ka treguar sukses të konsiderueshëm dhe ka qenë shumë energjik dhe ka punuar me një dinamikë valide edhe pse është tentuar nga mediet, me deklaratën e ekzaltuar për "Bashkim me Shqipërinë" ta diskreditojnë. Pra, besoj se për postin ministror për të cilën ka shërbyer katër vite z. Aliu është mëse i kualifikuar dhe i përgjegjshëm”, thotë Jakupi.

Në anën tjetër, analisti Afrim Kasolli thotë se mund të jetë “ndëshkuar”, por  mund të ketë arsye tjera.

Sipas tij, pos dyshimeve për keqpërdorime ai mund të ketë edhe mos pajtime tjera politike.

“A u “ndëshkua” ministri Liburn Aliu me mos futje në listë për shkak të dyshimeve për keqpërdorime në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës? Mund të jetë kjo njëra ndër arsyet, por jo e vetmja. Gjatë kësaj kohë, Albin Kurti ka dëshmuar që nuk ka problem të bashkëjetojë politikisht ndaj atyre që rëndojnë akuza për korrupsion. Përkundrazi, edhe i mbron, sikur në rastin e ish-kreyeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, madje duke i konsideruar ato si konspiracion të regjimit të vjetër. Afera në këtë drejtim e kanë karakterizuar edhe ministrinë e Arsimit dhe apo të Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë. Mirëpo, të dy mbartëset e këtyre ministrive janë në listat zgjedhore të Partisë. Prandaj, pos dyshimeve për keqpërdorim mund të jene edhe mos pajtime tjera politike që mund të kenë ndikuar që kryeministri Kurti ta largojë nga lista ministrin Liburn Aliu, dallime këto që mbase mund të kuptohen gjatë ditëve në vijim”, përfundon analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat