Këshilli i BE-së erdhi me kërkesë të re për Asociacionin, reagon ashpër profesori: Ku janë garancitë, Asociacioni shkatërron Kosovën!

Politika

Këshilli i BE-së erdhi me kërkesë të re për Asociacionin, reagon ashpër profesori: Ku janë garancitë, Asociacioni shkatërron Kosovën!

Nga: N. Sh. Më: 13 dhjetor 2024 Në ora: 17:12
Ilustrim

Gjatë ditës së djeshme u raportuar se Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i kërkojë Kosovës që të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ashtu që, pa vonesa të mëtejshme, dorëzon në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin evropian.

Kjo qëndron në draftin e konkluzave për Kosovën, të cilat do të miratohen më 17 dhjetor gjatë takimit të ministrave të ngarkuar për çështje evropiane.

Bëhet fjalë për konkluzat që i përkasin zgjerimit e të cilat BE i miraton çdo vit në muajin dhjetor. Të njëjtat kokluza të ministrave, më pas, i mbështete niveli më i lartë politik, ai i liderëve të BE-së në samitin e radhës.

Në draft konkluza thuhet se Këshilli i BE-së, mirëpret që Kosova dhe Serbia së fundmi rikonfirmuan përkushtimin e tyre ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve të tyre dhe u zotuan për angazhim konstruktiv në këtë proces për ta çuar atë përpara më shpejtë.

Përsëritet domosdoshmëria e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të dialogut, përfshirë Marrëveshjen për rrugën e normalizimit.

Këshilli i BE-së rithekson se statusi i strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet në kuadër të dialogut.

Në lidhje me ketë, profesori dhe analisti politik Binak Maxharraj pyet se a ka garanci Asociacioni nga ndokush që nuk e prish të ardhmen dhe sovranitetin e Kosovës.

“Unë më plotë gojën them se nuk ka garanci nga askush pos fjalëve boshe që i merr era siç ndodhi në Bosnjë, kur në Konferencën e Dejtonit me 1995 me insistimin e Millosheviqit, Bosnja u nda në baza kombëtare, nacionale etnike. Edhe atje pati fjalë që garantojnë për funksionimin e Bosnjës të ndarë etnikisht në tri republika. Po ku është sot Bosnja, është berë një shtet moçal ku askush nuk e pyet. Erdhi rebelimi i Milorad Dodikut me lidhje të forta me Serbinë dhe Rusinë dhe e bënë kaos Bosnjën dhe Hercegovinë, janë shkëput raportet midis këtyre tri republikave interne. E, pra ku janë, ku mbeten garancitë e marra në Dejton. Askund kanë humb. Bile kreatori i atëhershëm i Konferencës së Dejtonit, Richard Holbrooke deklaroi s “rregullimi i tillë i ndarjës së BH në baza etnike ishte gabimi më i madh i Amerikës”, garancit e së cilës i mori era”, thotë Maxharraj teksa paralajmëron rrezik edhe për Kosovën nëse ndodh një Asociacion i tillë.

“Prandaj çdo marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë me presion ndërkombëtarë, por edhe krijimi i Asociacionit pa e respektuar sovranitetin dhe integritetin shtetëror dhe njohjën e Kosovës nga Serbia nuk mund të ketë kurrëfar kompromisi. Kosova nuk guxon të luaj me sovranitetin e saj, e cila është arritë me gjakun e bijave dhe bijve tanë, me viktima të mëdha dhe gjenocid të Serbisë në Kosovë”, thotë tutje ai.

Maxharraj mendon tutje se është shumë rrezik i madh formimi i Asociacionit dhe paraqet shumë pengesa.

“Asociacioni e shkatërron shtetin e Kosovës, e zhdukë multietnitetin dhe Asociacioni mund të arrihet vetëm pasi Serbia e njeh zyrtarisht pavarësinë e Kosovës. Kjo është e pamundur tani për tani, përderisa në pushtet është elita profashiste e Millosheviqit me lidhje të forta me Rusinë, një egërsi ekstreme nacionaliste të urrejtjes ndaj popullit shqiptar”, përfundon profesori Binak Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat