Përplasjet ndërmjet dy krerëve të shtetit, Presidentes Vjosë Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, veprimtari dhe publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj, i ka quajtuar si përplasjet publike brenda llojit, më sakt, në mes partnerëve në koalicion, nuk ishte fisnike, aq më pak të intelektualëve, të nivelit Vjosa dhe Albini.
“Mendoj se janë arsye parimore. Për ta bërë ndryshimin Vjosa Osmani rrezikoi shumë. Marrëveshja fillestare, në mes tyre, duhet të këtë qenë afatgjate, me qëllimin bazë: Ata që përgjakën Kosovën dhe zhvatën pasuritë e saj, me abuzim pushteti, respektivisht, hajninë zyrtare, të mos kthehen në pushtet për gjatë-kohë. Ta ruajsh rezultatin e 14 shkurtit 2014, nuk ka siguri, andaj duhet profilaksi paraprake, pra, sigurimi i koalicionit të pranueshëm për bashkëqeverisje”, vlerëson Zeqiraj
Ai thekson se në Kosovë nuk ka hapësirë të bollshme, për të zgjedhur partnerë ideal, por, të paktën, duhet me qenë të pranueshëm.
“Jetën politike në Kosovë e kontaminuan, helmuan disa "biçim komandantësh" e politikanësh, të cilët donin ta përvetësonin luftën e pabërë, për ardhur dhunshëm në pushtet. Partitë-banda, të koalicionuara në PAN, përkatësisht, PDK-AAK-NISMA, respektivisht, eksponentët e tyre, janë të zhytur në krime vrastare të kundërshtarëve politikë, hajninë zyrtare, haraçin masiv, uzurpime të pronave shoqërore e shtetërore dhe pisllëqe tjera”, thotë ai.
Veprimtari Zeqiraj ndër të tjera thotë se, LDK-ja dhe Vetëvendosje, aktualisht, janë dy subjekte të painkriminuara me vrasje e hajni zyrtare. Andaj, një koalicion mes tyre, do të ishte më i pranueshëm, jo vetëm për anëtarësinë e dy partive në fjalë, por edhe Kosovën. Por, zëra nga klani i Isa Mustafës, janë dëgjuar të thonë se përjashtohet koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, sepse "kemi provuar një herë dhe ka prishur koalicionin!?"
“Realisht, kjo është një shpifje tjetër, e lansuar nga palët, që i frikësohen këtij koalicioni. Tashmë, është pranuar publikisht, nga shefi i Grupit të deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, se "emisari amerikan, Grenell, na ka dhënë afat vetëm një javë, për ta prishur koalicionin me Vetëvendosjen!" Aktiv në këtë intrigë kriminale, ishin edhe Hashim Thaçi, Edëin Rama, Aleksandër Vuçiq. Më vonë, ky i fundit e luti Ramën, për të ndërhyrë ke Administrata Amerikane, për ta liruar Thaçin, sepse me Hashimin dhe Ramushin po merremi vesh, kurse me Albinin jo!" Nga ana tjetër, PAN-i ra në ujdi ta bojkotonin LVV, duke mos u koalicionuar me atë, në mënyrë që LVV të mos arrijë ta kompozojë qeverinë. Vetëm LDK nuk iu përgjigj kërkesës së PAN-it, për bojkot ndaj Vetëvendosjes.
I ndodhur në këto rrethana bllokuese, Albin Kurti, vendosi ta çajë bllokadën, duke realizuar takimin, bollshëm të përfolur, me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, në një restorant të Prishtinës. Edhe pse LVV e heshti motivin e takimit, ndërsa Memli u mjaftua, duke thënë se "biseduam për afatin e zgjedhjeve", por, nuk u besua nga opinioni dhe informacioni rrodhi, se fjala ishte për pazare paszgjedhore. Dhe, marrëveshja mes tyre, e bërë në fshehtësi dhe prapa shpinës së Vjosës, është pabesi. Sepse në pyetje janë dy postet kryesore, president dhe kryeministër, që duhet t`i ndajnë dy partitë, në rastin konkret, LVV dhe PDK”, thotë ai.
Zeqiraj thotë për ‘Bota sot’ se, ‘Vjosë Osmani resorin e Presidentit e ka mbuluar në mënyrë brilante, si askush tjetër pas Presidentit Rugova. Si e tillë, kur përgjatë mandatit të parë nuk ka bërë asnjë shkelje, në kryerjen e detyrës së lartë, nuk është as logjike dhe as fisnike, që pazarët politike të bëjnë rrokada lënduese të pameritueshme’.
“Përveç kësaj, është shkelje e rëndë parimore e morale, të ndihmosh kthimin në pushtet të partisë-bandë, PDK-në, e zhytur në krime vrastare dhe hajni zyrtare. Sepse LVV do të bëhej pjesë e krimeve të partneres në koalicion. Dhe, pranimi në heshtje i këtij provokimi të shqiptarëve, për një personalitet, si Vjosë Osmani, vështirë të kapërdihet! Qasja e Presidentës në politikën e jashtme shtetërore, është e ligjësuar. Vjosë Osmani denoncoi rastin, kur një letër i është dërguar Këshillit të Evropës, pa e konsultuar ate! Dhe, kjo është përfolur si anashkalim i qëllimshëm i Presidentës. Të paktën, këtë e thotë ajo, në reagimin e rreptë të saj. Një marrëveshje për Asociacionin, e biseduar mes Kurtit e Vuçiq, në Bruksel dhe Ohër, që bënë fjalë për një -autonomi territoriale-, për veriun e Kosovës, edhe pse e pa nënshkruar, por e pranuar gojarisht, madje njëanshëm nga Kurti, ka vënë në siklet, të paktën shqiptarët e Kosovës. Tani Kurti e quan -non paper-, pasi nuk është nënshkruar nga palët, madje Vuçiq as nuk e ka pranuar, por, sipas zyrtarëve të BE-së, gjërat e biseduara me regjistrim zëri, pavarësisht nënshkrimit apo jo, nga palët, ajo konsiderohet valide! Mendoj se dialogu, për çështje kardinale, kurrë nuk duhet të jetë -teta a tete-, por me komisione ekspertësh”, tha ai.
Tutje, publicisti thotë se reagimi i Presidentës Vjosë Osmani, në fjalimin vjetor të saj në Parlament, ndaj kryeministrit Albin Kurtit, pjesërisht, ishte jashtë standardit të Presidentës! Vërtet, Kurti ka bërë lajthitje serioze, kur e quajti Sekretarin e Shtetit Amerikan "naiv"! Edhe refuzimi i kërkesës të ambasadorit amerikan, Hovenier, "për ta shtyer për disa muaj zbatimin e vendimit për ndalimin e targave të Serbisë, në Kosovë", ishte fodullëk, i gabuar. Përndryshe, të gjitha ndërhyrjet tjera, qoftë me polici normale apo Forca të Policisë Speciale, në veriun e Kosovës, kanë qenë tërësisht të ligjshme dhe në funksion të shtrirjes të sovranitetit, në atë territor, si pjesë integrale e Kosovës së pavarur, të konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
“Prandaj, mendoj se është një -lapsus lingua-, shkarje e gjuhës, shprehja e Presidentës Vjosë Osmani se "mbyllja e institucioneve paralele të Serbisë, është bërë për një grusht votash", që i faturohet Albin Kurtit, është jo vetëm jo reale, por edhe krejtësisht e papranueshme. Shtrirja e sovranitetit shtetëror, në atë territor të Kosovës, të cilin agjenti i trefishtë, Hashim Thaçi, me bandën e tij, e kishte bërë pazar me Danjean Arnaud, shef i Sherbimit sekret DGSE francez, presidentin serb Vuçiq, kryeministrin shqiptar Edëin Ramën. Madje, për ta përgaditur opinionin shqiptar, Hashimi e tha botërisht se "veriu është dhuratë, që na ka dhënë Rankoviqi!" Këtë deklarim e përforcoi edhe bashkëmendimtari i tij, Edvin Rama, se "veriu i Kosovës është tokë e askujt!?" Asgjë nuk ka qenë e rastsishme në atë zonë, madje as vrasja e një duzinë dhe shpërngulja e mijëra shqiptarëve nga veriu i Kosovës, në prani të KFOR-it francez dhe të SHTAB-istëve të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës; Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Agim Çeku...! Skajmërisht e tmerrshme! Megjithatë, në hatërimin e madh të Presidentës Vjosë, për të mos thënë zemrimin ndaj kryeministrit Kurti, pesha e fajësisë rëndon ke ky i fundit. Sepse partneriteti në mes palëve, ka disa rregulla, që nuk guxojnë të shkelën. Por, edhe përmasa e hatërimit apo edhe e zemrimit, e parë nga niveli i palëve, kërkon vetëcenzurë, përmbajtje”, vlerëson Zeqiraj.
Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla kanë bërë shumë për begatimin elektoral të LVV, gjithnjë me qëllimin e mirë, për ta bërë ndryshimin e shumëpritur nga shqiptarët. Andaj, Kurti me LVV e tij, kanë obligime ndaj këtyre dy aseteve kombëtare. Gjenerali Napoleon Bonaparti thoshte: "Më shumë i urrej mosmirënjohësit, se sa armiqtë."
“Qenia e Vjosë Osmanit në krye të shtetit nderon LVV, LDK-në dhe votuesit e tjerë, të cilët zgjodhën një Presidente brilante, e cila, sot nderon Kosovën dhe Shqiptarinë mbarë. Me përfaqësimin dinjitoz dhe profesional, që ajo i bënë shtetit të Kosovës, në cilësinë e Presidentës, i bënë krenarë shqiptarët e kudondodhur. "A jemi shokë apo kodosha",- thonë gjakovarët?! Është kohë zezonë për Kosovën. Prandaj, uniteti, pajtueshmëria është domosdo e kohës, duke tejkaluar hatërimet dhe zemratat, qofshin ato edhe jo fort të lehta. Dhe, këtë duhet bërë për hir të Atdheut-Kosovë, sepse këtë e kërkojnë dhe e presin nga Ju, Presidente dhe Kryeministër, shqiptarët e përbotshëm”, vlerëson Zeqiraj për ‘Bota sot’.