Profesori Eshref Ymeri në një prononcim për “Bota sot” foli për takimin e presidentes e Kosovës, Vjosa Osmani me presidentin e posazgjedhur amerikan, Donald Trump.
Si fillim, ai kishte disa kritika në kët pikë, pasi nuk beson që presidenti i ri amerikan do ta ndihmojë vendin tonë.
Madje, ai vlerëson se nëse presidentja e ka takuar Trumpin me shpresë për të siguruar përkrahje nga ana e tij, atëherë ajo i ka lejuar vetes një naivitet politik.
“Unë mendoj se takimi i Presidentes Vjosa Osmani me Trumpin nuk ka kurrfar rëndësie për Republikën e Dardanisë. Ai ishte një takim në kuadrin e inagurimit të Katedrales së Rindërtuar të Parisit. E kam theksuar edhe here të tjera që Trumpi është antishqiptar, proserb dhe prorus, çka e kishte dëshmuar më së miri me deklaratën e tij publike të muajit dhjetor 2015, kur Serbisë i pati kërkuar falje publike për bombardimet e NATO-s. Nëse Presidentja Vjosa Osmani e ka takuar Trumpin me shpresë për të siguruar përkrahje nga ana e tij për Republikën e Dardanisë, atëherë ajo i ka lejuar vetes një naivitet politik.
Por naiviteti i saj politik bëhet edhe më i thekshëm, nëse ajo u ngrit e shkoi në Paris me synim kryesor takimin me Trumpin, çka, siç e kam vënë në dukje edhe herë të tjera, të kujton naivitetin e Ismail Qemalit, i cili pati shkuar në Londër për të kërkuar përkrahje nga ata, të cilët, për pazotësinë tonë, na patën copëtuar trojet etnike”.
Gjithashtu, ai përmendi edhe dëmin që Kosova po vazhdon ta vuajë, pasi Thaçi dëboi banorët shqiptarë nga veriu.
Për të cilën, pyeti treshen udhëheqëse Osmani-Kurti-Konjufca pse nuk po i rikthen shqiptarët në shtëpitë e tyre.
“Kjo është një tradhti që nuk e ngre as dheu as qielli. Treshja udhëheqëse Osmani-Kurti-Konjufca pse nuk i riktheu në shtëpitë e tyre ata 15 700 banorët shqiptarë, të cilët kryetradhtari Thaçi i dëboi nga vatrat e tyre më 02 shkurt të vitit 2000?
Dëshiroj të theksoj se Republika e Dardanisë vazhdon ta mbajë mbi shpatulla tradhtinë e kryeagjentit të Beogradit Hashim Thaçi, sepse nuk gjen dot forca brenda vetes për ta flakur në pirgun e mbeturinave atë tradhti, qoftë me vendim Kuvendi, qoftë me Referendum mbarëpopullor. Për fatkeqësinë tonë të rëndë kombëtare, shqiptarët e kanë tradhëtinë gjenetike brenda qenies së tyre, brenda formatit të formimit të tyre psikologjik”, shpjegoi Ymeri.
Në fund, profesori i shpreh pesimist duke u shprehur shumë dëshpërues.
“Duke i ndjekur nga afër ngjarjet në Republikën e Dardanisë, po i shtroj vetes një pyetje tejet dëshpëruese: “A ia vlen të vazhdoj të shpreh shqetësimet e mia për çka ndodh në Republikën e Dardanisë, me të cilën shteti fashist serb vijon të tallet vazhdimisht, duke ia rrudhosur pak e nga pak truallin e tokës amtare”, përfundoi Eshref Ymeri për “Bota sot”.