Komentohet deklarata e Kurtit në Kroaci për sulmin në Ibër-Lepenc/ Zbardhet mesazhi për ndërkombëtarët: Nëse nuk ndëshkohet Serbia, atëherë…!

Politika

Komentohet deklarata e Kurtit në Kroaci për sulmin në Ibër-Lepenc/ Zbardhet mesazhi për ndërkombëtarët: Nëse nuk ndëshkohet Serbia, atëherë…!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 14 dhjetor 2024 Në ora: 08:03
Albin Kurti- Andrej Plenkoviq

Kanë kaluar dy javë që nga sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, i cili dëmtoi infrastrukturën kritike të Kosovës.

Deri tani janë arrestuar dy persona, megjithatë, sipas njohësve të çështjeve të sigurisë dhe atyre ndërkombëtare, për hetimin e këtij rasti nevojitet edhe mbështetje ndërkombëtare.

Dy javë pas sulmit, dy persona janë në paraburgim, ndërkohë që institucionet e sigurisë në Kosovë kanë kryer bastisje dhe konfiskime të armëve në mënyrë të vazhdueshme.

E në lidhje me këtë sulm terrorist kryeministri Kurti ka folur edhe gjatë vizitës në Kroaci.

Kurti për sulmin e 29 nëntorit në kanalin e Lbër – Lepencit tha se ky sulm ka natyrë më ndryshe se sulmet e mëparshme, pasi sipas tij ka qenë në shënjestër është popullsia civile.

Ndërsa, tha se, Kosova konsideron që sulmin nuk e kanë bërë qytetarë të zakonshëm, por është mbështetur e orkestruar nga Serbia.

“Janë arrestuar disa persona, hetimet janë duke u zhvilluar, kemi konfiskuar municion por edhe uniforma e emblema 20 prej të cilave që janë prej njësive ruse. Duhet të presim cili do të jetë përfundimi i këtyre hetimeve, por ne kosniderojmë që ketë nuk e kanë bërë qytetarë të zakonshëm, dhe se na bën të besojmë që një sulm i tillë vjen i mbështetur e orekstruar nga Serbia”- u shpreh ai.

Kurti teksa foli për vështirësinë e ruajtjes së kufirit, tha se Kroacinë e sheh partner kyç.

Edhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, foli për sulmin në kanalin e Ibër – Lepencit duke thënë se faktorëve të bashkësisë ndërkombëtare do të iu bëhet e qartë se çfarë ka ndodhur.

Duke marrë parasyshë këto deklarata dhe veprimet terroriste të vazhdueshme nga Serbia, a është koha që ndërkombëtarët të marrin masa ndëshkuese për Serbinë?

Shabani: Padyshim se inspektimi i duhur i ngjarjes, hetimet ligjore dhe çdo procedurë e detajuar do ta shfaqë regjisorin kryesor të atij akti terrorist

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi për marrëdhënie ndërkombëtare, Amir Shabani.

Ai thotë se vnonimi i masave ndëshkuese ndaj Serbisë ka sjellur destabilizime shtesë në raport me Kosovën dhe ndikim në rajon.

“Unë zakonisht në këtë çështje (vonimin e ndëshkimit apo sanksionimit të Serbisë nga ndërkombëtarët) e kam konsideruar si të lënë pasdore dhe rrjedhimisht ka sjellur destabilizime shtesë në raport me Kosovën dhe ndikim në rajon”, u shpreh ai.

Image
Amir Shabani

Më tej, Shabani theksoi që hetimet ligjore do të tregojnë se Serbia qëndron pas këtij sulmi terrorist.

Mirëpo, ai cek që sanksionet ndaj Serbisë do të duhej të vendoseshin pas sulmit të 24 shtatorit të vitit, pasi e njëjta vazhdon aleancën strategjike të saj me Rusinë dhe Kinën.

“Padyshim se inspektimi i duhur i ngjarjes, hetimet ligjore dhe çdo procedurë e detajuar do ta shfaqë regjisorin kryesor të atij akti terrorist. Por, pretendimet se Serbia ka kryer një akt të tillë nuk janë të pabaza, pasiqë nuk është hera e parë, ajo kreu sulm terrorist edhe në 24 shtator të vitit të kaluar kur vdiq një zyrtar policor dhe BE-ja akoma nuk i ka vendosur sanksione Serbisë, një vendit që i shfrytëzon mjetet financiare evropiane, ndërsa ka aleancë strategjike me Rusinë dhe Kinën”, foli Shabani për “Bota sot”.

Mehmeti: Kurti këto deklarata i ka bërë në prag të takimit që pritet të ndodhë në Burksel

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që këto deklarata po bëhen në prag të takimit të radhës mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, ky dialog do të ketë akuza dhe mohim të akuzave nga të dy palët.

“Natyrisht se Kurti këto deklarata i ka bërë në prag të takimit që pritet të ndodhë në Burksel, mes Kosovës dhe Serbisë. Ku në këtë frymë do të i shohim të dy palët duke hyrë në dialog. Serbia do të fillojë të mohojë kategorikisht akuzat, ndërsa Kosova duke akuzuar me të drejtë Serbinë sepse pa lejen, pa orkestrimin, pa organizimin e Serbisë nuk do të bëhej asnjë planifikimi i serbëve për sulme”, u shpreh ai.

Image
Faton Mehmeti

Analisti tutje thekson që Kurti me këtë deklaratë dëshiron të ia bëjë me dije ndërkombëtarëve që nëse nuk merren masa ndaj Serbisë mund të kemi sulme të tjera të radhës nga vet ajo.

“Natyrisht që Kuti me këtë deklaratë synon të ketë presionin ndërkombëtar ndaj Serbisë, në mënyrë që në takim në Bruksel Serbia të jetë më e gozhduar dhe do ndëshkohet, sepse edhe në rastin e Banjskës edhe në rastin e Ibër – Lepencit, ndërkombëtarët nuk janë treguar të drejtë me Kosovën.

Kurti dëshiron t'i hapë sytë Evropës që Serbia nëse vazhdon kështu do të ketë sulme të tjera nga ajo. Sigurisht që koha për masat e Serbisë ka qenë qysh moti dhe pikërisht që nuk e morën masat e Serbisë dialogu është qe trembëdhjetë vite e po futet në vitin e katrëmbëdhjetë që është duke vazhduar edhe pa asnjë rezultat”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat