Bashkimi Evropian ka konfirmuar të martën se takimi i radhës në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel kryenegociatorësh, do të zhvillohet më 17 dhjetor në Bruksel, dhe se të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim.
Zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anitta Hipper, ka thënë se në këtë takim do të shqyrtohen një varg çështjesh, përfshirë edhe zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve.
E në lidhje me këtë takim ka folur edhe deputeti nga LVV, Adnan Rrustemi i cili tha se nuk pret ndonjë zhvillim pozitiv nga takimi i së martës në nivel kryenegociatorësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.
Ai thotë se Serbia nuk është e interesuar për dialog dhe sipas tij e njëjta synon aneksimin e veriut.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Nexhat Haziri.
Analisti thotë se nga ky takim nuk do të ketë ndonjë zhvillim të veçantë edhe pse Brukseli këto ditë pritet miratimi i një dokumenti ku i kërkohet Kosovës dhe Serbisë që pa vonesa t’i zbatojnë marrëveshjet e dala nga dialogu.
“Takimi i 17 dhjetorit në mes kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia nuk pritet të prodhojë asgje sa i përket ndonjë dakordimi në mes palëve për të bërë ndonjë hap drejtë përmbushjeve të obligimeve që dalin nga marrëveshja e Brukselit dhe sekuencimit të saj në Ohër, pa marrë parasyshë se Brukseli këto ditë pritet miratimi i një dokumenti ku i kërkohet Kosovës dhe Serbisë që pa vonesa t’i zbatojnë marrëveshjet e dala nga dialogu”, u shpreh ai.
Ndër të tjera Haziri përmend disa faktorë të tjerë që ndikojnë në një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, mospranimi i Asociacionit nga ana e Kosovës do të jetë gjithashtu pikë diskutimi.
“Pra nuk ka një klimë të favorëshme për të bërë hapa përpara në realizimin e marrëveshjeve të dakorduara më parë në mes palëve, sidomos këtë klimë e rëndon edhe sulmi i fundit terrorist mbi kanalin ujmbledhës të Ibër-Lepencit, ku qeveria e Kosovës fajëson Serbinë, ndërsa kjo e fundit mohon që të jetë e implikuar në këtë akt terrorist. Se nuk do të ketë ndonjë marrëveshje përfshihen faktorë të tjerë, siç janë edhe zgjedhjet parlamentare në Kosovë të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, dhe qeveria, apo partia në pushtet nuk do të pranojë që bëjë ndonjë hap konkret me obligimet e marrëveshjes me Serbinë, sidomos me Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe që është kërkesë nga BE-ja, e që kjo më pas t’i shndërrohet në tabelë qitje nga kundërshtarët politikë në zgjedhjet e 9 shkurtit”, shpjegon analisti.
Në fund, ai nënvizon që procesi i dialogut do të mbetët i ngrirë deri Kosova të përfundoj zgjedhjet.
“Kështu që procesi i dialogut Kosovë-Serbi do të vazhdojë të jetë një proces i ngrirë deri në pranverën e vitit të ardhshëm kur Kosova do të ketë institucionet që do të dalin nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, nëse vendi nuk do të hyjë në ndonjë ngërq politik e institucional. Por, ajo që dihet është se një process i ngrirë i dialogut me Serbinë, shkon vetëm në favorin e kësaj të fundit”, përfundoi Haziri për “Bota sot”.