Votat fatale për Kosovën/ Zeqiraj akuzon njerëzit me dosje kriminale për veprime kundër vendit

Politika

Votat fatale për Kosovën/ Zeqiraj akuzon njerëzit me dosje kriminale për veprime kundër vendit

Nga: A.M. Më: 26 shkurt 2025 Në ora: 21:21
Idriz Zeqiraj

Më 9 shkurt në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme.

Megjithatë, pas përfundimit të ditës së zgjedhjeve, ato ende nuk janë certifikuar, pasi procesi i numërimit të votave nga diaspora është ende në vazhdim.

Por, duke marrë parasysh rezultatet e deritanishme nga këto zgjedhje, 39 ish-deputetë nuk kanë arritur të rifitojnë besimin e qytetarëve

Për këtë çështje, ka folur opinionisti Idriz Zeqiraj në një intervistë për “Bota Sot”.

Ai ka sugjeruar se modeli i përdorur në disa shtete të tjera, si Shqipëria, ka treguar rezultate më të mira në funksionimin e zonave zgjedhore.

Zeqiraj beson se një rishikim i këtij sistemi mund të sjellë përmirësime të konsiderueshme për procesin zgjedhor në Kosovë.

 “Nga të dhënat e KQZ, kemi mësuar se 39 deputetë, pjesë aktive e jetës politike në Kosovë, nuk kanë arritur kuotën e nevojshme, për t`u bërë sërishmi deputet në Parlamentin e Kosovës. Realisht, Kosova me një zonë zgjedhore, nuk garanton përzgjedhjen më të mirë të mundshme të deputetëve meritorë. Metoda klasike zgjedhore, në nivel komunal, ka disa parësi të vlerësimit real. Por edhe në këtë rast dominon subjekti më i madh në komunë. Krijimi i disa zonave zgjedhore, siç i ka bërë Shqipëria dhe disa shtete të tjera, thonë se po funksionon mirë. Megjithatë, koordinimi në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe lënia me një anë e militantizmit partiak, do ta përmirësonte cilësinë e Parlamentit të Kosovës” shpjeguar ai.

Gjithashtu, Zeqiraj tregon se cilat parti i pastruan listat e tyre pas kërkesave të ndërkombëtarëve.

 “Sugjerimi i shqiptarëve dhe i ndërkombëtarëve, kanë qenë njësh: Listat e kandidatëve për deputetë, të jenë të pastra dhe pa cene, pa akuza e ndëshkime ligjore paraprake dhe as të tanishme. LDK-ja dhe LVV e morën seriozisht porosinë e vendorëve e ndërkombëtarëve dhe hartuan lista të pastra. Ndërkohë, partitë e PAN-it: PDK-AAK-NISMA, sfiduan shqiptarët vendorë e botërorë, si dhe ndërkombëtarët. Dhe, hartuan listat emërore të pista, duke vënë në kandidaturë shumë persona me dosje krimesh, të penalizuar dhe ndëshkuar nga drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare! Kjo është skandaloze, e turpshme dhe skajmërisht kriminale”, ka thënë ai.    

Më tej, Zeqiraj është shprehur se krerët partiakë, duke qenë prej dy dekadash në klanin drejtues të partive, kanë arritur të sigurojnë vota për deputetë.

 “Lista të tilla të janë ricikluar nga legjislatura në legjislaturë, të cilët, me votat e tyre fatale për Kosovën, u dhanë tokat të brezave shqiptarë, fqinjëve lakmiqarë. Gjithashtu, nënshkruan marrëveshje të dëshme, siç janë Asociacioni dhe simotra të tjera. Njerëz të listuar me dosje faktike krimesh, të shantazhuar dhe të dorëzuar shefave të tyre dhe përmes tyre edhe Serbisë dhe ndërkombëtarëve, gjithnjë në veprime e shërbime kundër Kosovës.

Disa nga krerët partiakë dhe shumësia e eksponentëve në Kryesitë e partive të PAN-it, janë shantazhuar për të bëmat e tyre penalizuese. Duke qenë prej dy dekadave në klanin drejtues të këtyre partive, arrijnë të sigurojnë vota për deputetë.

Në renditjen emërore numrat nga 1 deri 20, zakonisht, janë të rezervuar për eksponentët, respektivisht, Kryesinë e partisë të këtyre subjeketeve. Dhe, kjo qysh në nismë të listës emërore, është pabarazi dhe padrejtësi e madhe. Ndërkohë, ushtrimi i së drejtës të barabartë, duhet renditje emërore mbi bazën alfabetike. Dhe, kësaj norme duhet t´i kthehen të gjitha subjektet politike, për t`i bërë të barabartë ligjor të gjithë kandidatët për deputetë”, ka potencuar ai.

Po ashtu, Zaqiraj ka treguar se cilat janë kategoritë elektorale të partive politike.

“Shtrohet pyetja, pse vazhdojnë të riciklohen disa nga deputetët, për disa mandate radhazi, në veçanti, nga torishta e PAN-it? Sepse këto parti, dikur të koalicionuara në PAN: PDK-AAK-NISMA, kanë klientelë të abonuar, të rezervuar, nga tri kategori elektorale:

E para, shumësia e 80 mijë nëpunëve shtetërorë, janë të punësuar nga qeveritë e partive të PAN-it, për dy dekada radhazi dhe klientelë elektorale e tyre;

E dyta, 30 mijë anëtarë të organizatave ilegale kriminale "SHIK" dhe "Shqiponjat e Zeza" gjithashtu, janë klientelë elektorale e partive PAN-iste;

E treta, nga 52.560 vetë, me statut "dëshminë e veteranit", prej tyre 42.550 janë "veteranë" të rrejshëm, të cilët janë, kryesisht, klientelë elektorale të partive të PAN-it.

Të trija këto kategori, kur e bashkojnë votën me familjarët e tyre, farefisninë, miqasinë e dashamirë, sigurojnë, mjaftueshëm, kuotën për deputetë fitimtarë, të cilët, paraprakisht, i përcakton partia, përmes levave të saj. Përndryshe, pa këto kategori votuesish, partitë e PAN-it: PDK-AAK-NISMA, nuk do ta kalonin pragun zgjedhor.

E gjithë kjo armatë argatësh, kryesisht, të shpërblyer, të paguar, riciklojnë deputetë të përdhunshëm, të cilët, më praninë e tyre në mediet e pushtuara, qofshin në pozitë apo opozitë, me llapaqenërinë e tyre, torturojnë shqiptarët vendorë dhe ata botërorë, përnatshëm dhe reprizën e përditshme!

Thonë se qenia e gjatë në politikë, i konsumon edhe politikanët e shkathtë. Kjo u ka ndodhur edhe disa deputetëve veteranë. Por, ka edhe deputetë të konsumuar edhe me vetëm një apo dy mandate deputeti. Disa syresh, me sforcimin e tyre, me debatet politike, kundër pozitës, duke mos kursyer as shpifjet me tepëri dhe vrazhdësi, nuk kanë qenë racional e bindës dhe u është kthyer në bumerang. Rrjedhimisht, janë vetëdeklasuar, konsumuar dhe kanë humbur besimin fillestar.

Një kategori tjetër, humbës të mandatit për deputetë, janë viktima të ish-kreut partiak, të cilët me nostalgjinë për të vazhduar koalicionin me dostat e shefit të tyre, u zbuluan para elektoratit, që mendonin ndryshe dhe humbën betejen”, ka potencuar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat