Analisti dhe njohësi i proceseve zgjedhore në Kosovë, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur lidhur me formimin e qeverisë së re në Kosovë.
Burjani pret që pas certifikimit të rezultateve përfundimtare, Kosova të bëhet me qeveri te re, të cilën sipas tij do ta formojë Albin Kurti.
“Sfidë mund të jetë natyrisht formimi i qeverisë së re, por me duket se ende nuk është koha të merremi shumë seriozisht me këtë temë. E di që të gjithëve iu intereson që të merrni ndonjë informatë apo analizë, shkurt Kurti po hesht, e pret rezultatin final të certifikimit të rezultateve zgjedhore. Dhe më pas përpjekje do të bëj që të formojë qeveri me minoritete dhe me Limajn, ose së bashku me AAK”, thotë Burjani për “Bota sot”.
Sipas tij, synimi kryesor i Kurtit është që qeverinë ta formojë vetëm me minoritetet.
“Për këtë arsye ai po hesht, s’po merret me askënd dhe me njerëzit që shumica janë gazetar të pakënaqur me politiken në studiot televizive, e për këtë nuk është përgjegjës Kurti. Ai vazhdon të qëndrojë komod, pa nxitim, dhe pa kontakte me askënd prej partive opozitare”, shprehet Burjani.
“Realisht, Kurti i ka dy -tre opsione, ose me Nismën nëse kjo e fundit i merr 4 deputetë dhe minoritetet. E dyta veç VV me minoritetin boshnjak RAI, ose me PDK ose me LDK me njërën prej tyre”, shton Burjani.
Por si opsion të fundit, Burjani përmend edhe mbetjen e Vetëvendosjes në opozitë.
“Megjithatë, sipas meje Kurti nuk e përjashton mundësinë të mbetet në opozitë dhe në zgjedhjet e ardhme pas një viti të fitoj mbi 45%, pra te rritet nga gabimet që mund të bëj opozita në pushtet”, deklaron Burjani.
Për fund, Burjani shprehet se lajmi i ardhjes së Richard Grenellit në Kosovë është vetëm një spekulim medial, dhe se nuk ka asnjë të vërtetë në këtë.
“Sa i përket ardhjes së Grenell, ai nuk do të vij, ky është spekulim. SHBA kanë probleme emergjente që janë Ukraina dhe GAZA, e Kosova nuk është në emergjencë me u marr fare tani për tani”, përfundon për “Bota sot”, analisti dhe njohësi i proceseve zgjedhore në Kosovë, Blerim Burjani.