Dënimi i Dodikut/ Paralajmëron Tali: Mund të destabilizohet Ballkani, Kosova ta armatosë FSK-në për të ndaluar Serbinë

Politika

Dënimi i Dodikut/ Paralajmëron Tali: Mund të destabilizohet Ballkani, Kosova ta armatosë FSK-në për të ndaluar Serbinë

Nga: A.SH Më: 27 shkurt 2025 Në ora: 15:01
Foto ilustrim

Kremlini tha të enjten se beson që dënimi me një vit burg dhe ndalimi politik për liderin e Republikës Serpska, Millorad Dodik ishte i motivuar politikisht dhe mund të kishte pasoja negative dhe destabilizuese për Ballkanin.

Analisti Driton Tali, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se kjo çfarë po ndodhë në Ballkan, e çfarë do të ndodh në vijim nuk dihet.

Tutje, ai thotë se Trumpi ka ringjallur Putinin.

“Gjeopolitika, sidomos këtë muajin e fundit, ka pësuar tronditje. Kemi ardhur në një situatë të paparashikuar. Nuk dihet se çfarë do të ndodhi nesër. Çfarëdo çmendurie që ta thashë nuk është se nuk ja qëllon dhe çfarëdo gjeniale që të thashë nuk është se ja qëllon. Kush kish me mendu se një president i SHBA-së do akuzojë Ukrainën për luftën me Rusinë, apo se do të deklarojë që "BE është krijuar për ta vidhos (kundër interesave) SHBA-në".

Ky lloj i deklaratave të pareshtur të presidentit Trump dhe bashkëpunëtorëve të tij, këto jave të fundit, e kanë ringjallur Putinin. Kanë bërë që tërë Evropën ta kapin ethet e armatimit. Sidomos shtetet që dikur ishin pjesë të BRSS-së ose në Bllokun Socialist, si shtetet Baltike Estonia, Latvia, Lituania e deri te Moldovia janë nën presion".

Por, edhe Polonia e Çekia dhe e tërë Evropa tashti është futur në stresin e sigurisë kombëtare”, thotë ai.

Ai thotë, se Kosovës i mbetet vetëm të armatoset dhe me këtë duhet çuar selame Serbisë.

“Thënë ndryshe Putinit i është pasuruar menyja, nga Ballkani në tërë Evropën. Por kjo s'do të thotë që Ballkani është liruar nga rreziku. Përkundrazi, kjo situatë veç po shihet, nga deklarata e shumta, se i ka inkurajuar më shumë ekstremistët serbë.

Andaj, nuk është e tepërt nëse edhe njëherë e përsëris, se jo vetëm prioritet por edhe detyrë urgjente e qeverisë së re, të Kosovës, duhet të jetë armatimi i FSK-së, ngase vetëm FSK e armatosur mirë e stopon "këtë Serbi". Duhet çuar selame të qarta Serbisë se po ja mësyve Kosovës lufta e radhës do të bëhet edhe në territorin tuaj. Nuk do të luftohet me neve më sikur që luftuat nga 1912'ta e deri në fund të 1990've”, përfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat