Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – parti në pushtet, në zgjedhjet e 9 shkurtit - ka dalë e para me 40.80 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.03 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.63 për qind të votave, koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate ka marrë 7.46 për qind të votave, si dhe Lista Serbe 4.61 për qind të votave.
Edhe votat e diasporës po e përforcojnë edhe më shumë fitoren e Lëvizjes.
Ajo si duket bindshëm po “korr” fitore në votat e diasporës. Në vendin e dytë është Lidhja Demokratike e Kosovës, pastaj Partia Demokratike e Kosovës, pasuar nga koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Derisa, partitë opozitare, PDK, LDK, dhe AAK, kanë hedhur poshtë mundësinë e krijimit të koalicionit me LVV-në dhe kanë shprehur gatishmëri për formimin e një Qeverie së bashku.
Gashi: Koalicionet njëherë për njëherë nuk janë në opsion
Avokati Tomë Gashi në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se diaspora është me VV-në, sepse partitë tjera nuk kanë bërë asgjë për diasporë.
Tutje, ai thotë se tani për tani VV nuk ka nevojë për asnjë partner për koalicion.
“Normal që diaspora është me LVV sepse të gjitha partitë tjera asgjë nuk kanë bërë për diasporën përveç që jua kanë marrë lekët kush sa ka mundur.
Sigurisht që numri i deputetëve për VV me vota të diasporës do të rritet dhe me çdo matematikë së shpejti do të kemi qeverinë Kurti 3
Koalicionet njëherë për njëherë nuk janë në opsion”, thotë ai.

Agusholli: Mërgata, ka vendosur që qeverinë ta udhëheqë Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj
Deputeti i Lëvizjes, Gramos Agusholli për “Bota sot”, thotë se këtë rezultat si Lëvizje e kanë pritur.
Sipas tij, Lëvizja ka gjasa të rritet me +2% deri në 2.5%.

“Ne e kemi pritur këtë rezultat, sidomos nga mërgata.
Tashmë kanë nisur të vijnë votat e para nga konsulatat tona atje, dhe po del që Lëvizja Vetëvendosje është votuar me mbi 80%.
Është ende herët të flasim për numrin e deputetëve, por nëse ky trend vazhdon deri në fund, ka gjasa që Vetëvendosja të rritet me +2% deri në 2.5%. Pastaj, mbetet të shihet se si do të reflektohet kjo në shpërndarjen e mandateve.
Ligji i ri zgjedhor dhe rregullat e reja të KQZ-së e kanë bërë më të ndërlikuar kuptimin dhe shpërndarjen e vendeve në Kuvend.
Tani sytë janë nga mërgata jonë, e cila, siç po duket, ka vendosur që qeverinë ta udhëheqë Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj”, përfundon ai për “Bota sot”.