Nesër pritet të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt.
Me shpalljen e rezultateve, pritet të bëhet edhe çertifikimi i zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Profesor Binak Maxharraj, në një bashkëbisedim për "Bota Sot", ka treguar se cilat janë procedurat për çertifikimin e zgjedhjeve në Kosovë.
“Pas certifikimit të mandateve nga ana e Presidentes, sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi të Kosovës, duhet të formohet Parlamenti i Kosovës, i cili duhet të ndodhë 30 ditë pas certifikimit të mandateve të deputetëve. Për konstituimin e Parlamentit, nuk ka vështirësi e as pengesa; për këtë ka folur populli, ai ua ka caktuar secilës parti numrin e deputetëve sipas meritave të tyre, që i bile, LVV e ka marrë numrin më të madh të votave, 396 mijë e 22 vota, ose rreth 44%. Sipas këtij rezultati, del se LVV është partia e parë në zgjedhje dhe i takon asaj të “thyejë akullin” në formimin e qeverisë së re, por nuk mundet e vetme, sepse nuk ka mbi 50% të deputetëve.
Atëherë duhet të kërkohet zgjidhja, e cila, duke e parë mentalitetin e partive tona politike, mund të shkaktojë ngatërrime gjatë formimit të qeverisë Kurti 3, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, kur është dashur që partitë politike të shqyrtojnë çështjet për një periudhë të gjatë deri te formimi i qeverisë. Por besoj se kësaj radhe partitë politike dhe deputetët janë të menduar se kjo të mos ndodhë. Për të mos ndodhur kjo, kanë theksuar edhe ambasadat e huaja në Kosovë, të cilat patën takime me krerët e shtetit këto ditë, që zgjedhja e qeverisë së Kosovës të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse po vijnë kohë të vështira për rajonin dhe veçanërisht për Kosovën, ku shtetet sllaviste nuk ia duan të mirën Kosovës”, ka shpjeguar ai.

Tutje, profesori shprehet se pasi të bëhet çertifikimi i mandateve, fituesi i zgjedhjeve do të ftohet nga Presidentja që të provojë të formojë qeverinë.
“Pas certifikimit të mandateve, siç theksova më lartë, formohet Parlamenti i Kosovës, i përbërë sipas forcës politike që iu ka takuar secilës parti në zgjedhjet e paradokohshme. Pastaj, Presidentja, sipas rregullave dhe ligjeve, e fton partinë e parë në zgjedhje, që është LVV, pra e thërret kryetarin e saj, Albin Kurtin, që të provojë të formojë qeverinë”, ka thënë ai.
Përveç tjerash, Maxharraj ka treguar se cila ishte gjëja më e mira që mund t`i ndodhte Kosovës.
“Por LVV, me Albin Kurtin në krye, këtë herë nuk mund të formojë qeverinë e vetme; duhet të gjejë partnerë apo të bëjë koalicion paszgjedhor. Kjo do të ishte më e mira që mund t'i ndodhte Kosovës”, ka vlerësuar ai.
Po ashtu, profesori ka folur për dy opsione për formimin e Qeverisë nga ana e Kurtit.
“Atëherë ka edhe opsione të tjera kur mund të formohet qeveria e Kosovës, bile edhe pa humbur shumë kohë..
Së pari, mundësia më e mirë do të ishte që partia fituese, dhe në këtë rast LVV, të “hidhte grepin’ ndaj atyre partive të tjera për formimin e qeverisë. Më e drejtë, reale, e ndershme dhe politikisht e mençur do të ishte që LVV të futej në koalicion me njërën nga partitë e mëdha në opozitë, siç janë LDK dhe PDK, me ç’rast do të formohej një koalicion i qëndrueshëm dhe nuk do të kishte nevojë që Kosova të shkonte pas një viti në zgjedhje të reja.
Por, sipas diskutimeve dhe analizave që po bëhen në opinionin publik, kjo zgjidhje do të ishte më e mira, më e plota dhe më e fuqishmja.
Por në taborët e partive politike këto ditë po rrotullohet diçka e kundërt, nuk diskutohet fare ose krejt pak, sepse secila parti po pret rezultatet përfundimtare të certifikuara nga KQZ.
Por, është shumë interesant të thuhet se në vend që të vazhdohet të diskutohet për formimin e qeverisë Kurti 3, opozita ka dalë "fare", siç thuhet në popull, dhe nuk po dëshiron, me kryeneqësinë e saj, të formojë qeverinë me LVV dhe Kurtin. Rreth kësaj situate, si PDK, AAK, por edhe deri diku LDK, janë kokëforta dhe nuk duan bashkëqeverisje me Kurtin. Bile, disa zëra shkojnë edhe më larg, ku thuhet se opozita do të bëjë më lehtë koalicion me "Lista Srpska" sesa me LVV. Por, LVV mund të krijojë, tek e fundit, një qeveri të brishtë edhe pa LDK dhe PDK, me minoritet dhe një deputet të Rrshiqit, por kjo do të ishte një qeveri në "kingala", e cila mund të rrëzohej shpejt. Një qeveri të tillë nuk do ta dëshironte as vetë Albin Kurti.
Së dyti, nëse ky opsion dështon dhe pozita nuk mund të krijojë qeverinë Kurti 3, mundësia e dytë për formimin e qeverisë, por më pak e besueshme, do të ishte një koalicion mes opozitës (LDK, PDK, AAK), por këtu do të duhej edhe Lista Srpska, e cila, nga spektri politik, nuk është e dëshiruar, sepse edhe mund të sigurojë minimumin e nevojshëm për formimin e qeverisë së re. Por, as kjo qeveri nuk do të ishte e fortë dhe e qëndrueshme, dhe LVV do ta rrëzonte pa kaluar një vit”, ka cilësuar ai.
Në fund, profesori Maxharraj ka kërkuar që të formohet Qeveria e re sa më shpejt, pasi Kosova nuk ka kohë të merret me telashet dhe inatet e partive politike.
“Por, duhet të shkojmë drejt formimit të qeverisë. Është e udhës, është në interes të Kosovës dhe popullit të saj që qeveria e Kosovës të formohet sa më shpejt. Këtë po e kërkojnë edhe ambasadat e QUINT-it, sepse Kosova nuk ka kohë të përvidhet dhe të ç’përvilet sipas kryeneqësive, tekave dhe inateve midis partive politike. Duhet të bashkohen drejt formimit të qeverisë Kurti 3 dhe të mos i nxjerrin më shumë telashe Kosovës, sepse Kosova nuk ka kohë të merret me telashet dhe inatet e partive politike, por duhet të nxjerrin qeverinë sa më parë. Sipas rrotullimeve gjeostrategjike dhe situatës politike në botë, kërkohet që Kosova të ketë një qeveri stabile, dhe këtë me një dëshirë dhe vullnet të fortë për hir të shtetit, për të formuar qeverinë, sepse shumë shpejt do ta presin shumë sfida, si brenda, ashtu edhe në raportet ndërkombëtare, të cilat, siç po duket, nuk janë edhe aq në favor të Kosovës”, ka përfunduar Maxharraj.