‘Sulmet’ e Haradinajt ndaj Kurtit dhe Limajt/ Analistët zbardhin prapaskenat: Koalicioni AAK-Nisma ka përfunduar!

Politika

‘Sulmet’ e Haradinajt ndaj Kurtit dhe Limajt/ Analistët zbardhin prapaskenat: Koalicioni AAK-Nisma ka përfunduar!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 15 mars 2025 Në ora: 08:00
Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti

Që nga koha kur kreu i Nismës, Fatmir Limaj nuk përjashtoi mundësinë e koalicionit me LVV, ‘sulmet’ e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, nuk kanë pasur të ndaluar.

Haradinaj komentoi deklaratat e kreut të Nismës, Fatmir Limaj, ku ky i fundit nuk e përjashtoi mundësinë e një koalicion të mundshëm me LVV-në, duke thënë se mund të jenë strategji negociuese.

“Nuk muj me folë për Fatmirin (Limajn), ndoshta e ka strategji negociuese, s’jam i sigurt se çka ka vlerësuar, kemi garuar bashkë dhe jam i kënaqur për rrugën që e kemi bërë bashkë dhe besoj se edhe në qeveri të opozitës mund të jemi bashkë, kjo mund të jetë një strategji e tij negociuese”, tha Haradinaj.

Ai përsëriti qëndrimin e tij se Kurti është i rrezikshëm për vendin, prandaj tha se kushdo që mundëson vazhdimin e qeverisjes së tij “është armik i shtetit të Kosovës”

“Kurti e ka prishur pasurinë më të madhe të sigurisë, e ka prishur besimin me Amerikë, s’ka asgjë më të rëndësishme se siguria, ky është në vazhdimësi duke i prishur elementet e garancës së sigurisë. Unë ia dua të mirën edhe Nismës edhe Limajt, siç ia dua të mirën çdo njeriu që ia do të mirën vendit, qëndrimi është i qartë se nëse e ndihmojmë Kurtin po i ndihmojmë armiqtë e Kosovës”, tha Haradinaj.

Gjithashtu ai shtoi se partneri i tij i koalicionit, Fatmir Limaj, nuk ka diskutuar me të para se të dilte me qëndrimet për mundësinë e një koalicioni me LVV-në, ndërsa shtoi se Limajn nuk ka komunikuar nga 20 shkurti, kur ky i fundit kishte dhënë një intervistë lidhur me këtë çështje.

A po përballemi me qëndrime të ndryshme mes Haradinajt dhe Limajt dhe sa mund të zgjase ky koalicion nëse mes vete ka kësodeklarata?

Jakupi: Pavarësisht shpifjeve të z. Haradinaj Albin Kurti, edhe pa z. Limaj, do ta formon qeverinë

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Zejnullah Jakupi.

Image
Zejnullah Jakupi

Ai përmend deklaratat e Gërvalles në lidhje me Haradinajn duke i dhënë të drejtë në ato se çfarë ajo kishte thënë në vitin 2005.

“Për Ramush Haradinajn më së miri ka deklaruar Donika Gervalla, ish-zëdhënësja e Lidhjes Demokratike në Kosovë, tani ministre e Punëve të Jashtme e cila qysh në vitin 2005 për gazetën gjermane e quante lirimin e Ramush Haradinajt si kërcënim për rajonin. Madje Gervalla atëherë kishte akuzuar gjithashtu shtetet perëndimore për nën-mbështetje të politikanëve si Hradinaj”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thotë që akuzat ndaj Kurtit janë të pabaza, sepse Kurti punon për interesat e Kosovës dhe jo ato personale.

“Çka ndryshoi, nga atëherë, asgjë, Z. Haradinaj ka vazhduar me akuza ndaj Albin Kurtit dhe këto akuza janë të pabaza, sepse nuk ka fakte kur deklaron se Albin Kurti është i rrezikshëm për shtetin. Shpifjet e tija i bën që të dëmtojë imazhin e Albin Kurtit në publik, por kot e ka, sepse e gjithë Kosova e ka kuptuar se Albin Kurti është patriot i madh por ndoshta pak i ashpër me ata që korruptohen dhe synim kanë, jo interesat e Kosovës por interesat e tyre personale. Po ky komandanti i Çakorrit ishte në gjendje të shet në Pazarë dhe votuesit e panë, u bindën me veprat e tija prandaj nuk e votojnë dhe ky kur e ka kuptuar se është vazhdimisht në luftë për të mos mbetur jashta kuvendit e sulmon Albin Kurtin me shpifje”, shpjegoi analisti

Sipas tij, absurde është sjellja e Haradinaj ndaj Limajt, i cili përkundër mospajtimit politik me Albin Kurtin, kur është interesi i Ksosovës, pranon të jetë pjesë e qeverisë Kurti III.

“Duhet thënë se Ramush Haradinaj ka merita në luftë dhe sakrificën e familjes, të dëshmorit të saj Luan Haradinaj nuk mund ta mohon askush, por ky kontribut nuk i jep të drejtë që të fyej dhe të shpifë ndaj Albin Kurtit. Në politikë duhen kuadrot e reja dhe të shkolluara. Tanimë ka kaluar koha e gjeneratës që me kontributin në luftë merrnin pozita në institucione dhe madje po bëhen pengesë e përparimit dhe përmirësimit të imazhit të Kosovës në botë. Zatën pa u pensionuar kjo gjeneratë e politikanëve, Kosova e ka vështirë të ketë ngritje të besueshmërisë dhe fitimin e besimit nga ndërkombëtarët e veçmas nga shtetet e BE-së. Pra, absurde është sjellja e R. Haradinaj ndaj z. Limaj i cili përkundër mospajtimit politik me Albin Kurtin, kur është interesi i Ksosovës, pranon të jetë pjesë e qeverisë Kurti III. duke emituar në këtë rast shembullin e Gjermanisë, ku partitë politike CDU/CSU, SPD ka dhënë shembullin më të mirë se si duhet të veprohet kur e kërkon vendi. Me këtë rast z. Limaj e ka marrë mbi vete edhe prishjen e koalicionit me AAK, siç e ka thënë se partitë shkojnë e vijnë e Atdheu është i përhershëm.

Por, pavarësisht shpifjeve të z. Haradinaj Albin Kurti, edhe pa z. Limaj, do ta formon qeverinë. Gjithsesi NISMA social-demokrate është ideologjikisht në një linjë me LVV-në. Ndërsa Z. Haradinaj tutje do i beson Berat Buzhalës se LVV është e „keqja e Kosovës“, dhe ky i fundit me sa duket e ka bind me shpifje se gjoja LVV është si AFD- Alternativa për Gjermaninë - parti kjo e ekstremit të djathtë. Ja pra deri ku shkon marrëzia kur njeriu ka mëni politike kundër fituesit të zgjedhjeve 2025”, përfundoi analisti Zejnullah Japkupi për “Bota sot”.

Haziri: Koalicioni në mes AAK-së dhe NISMA-s, ka përfunduar

Ndërsa, analisti tjetër politik, Nexhat Haziri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që koalicioni mes AAK-së dhe Nismës ka përfunduar në momentin që Limaj ka deklaruar se si subjekte kanë qëndrime të ndryshme.

Image
Nexhat Haziri

“Koalicioni në mes AAK-së dhe NISMA-s, ka përfunduar në momentin ku z. Fatmir Limaj ka deklaruar se përkundër që ato kanë garuar bashkë në zgjedhje, këto subjekte politike janë të ndryshme, dhe kjo nënkuptohet se edhe do të ndjekin interesa të ndryshme nga njera-tjetra. kjo i pëlqu apo jo kreut të AAK-së, z. Haradinaj.

Ajo që ka qenë kryesore, apo rezultat i arritur i këtij koalicioni është se të dy subjektet politike, AAK dhe NISMA, e kanë ndihmuar njëra-tjetrën për të kaluar pragun dhe që të bëhen parti parlamentare, përndryshe nëse do të garonin veçmas shihet se nuk do të arrinin ta kalonin pragun”, u shpreh analisti.

Në fund, analisti përmend arsyet personale që Limaj ka për të hyrë në koalicion me LVV, duke filluar nga ato financiare e deri tek hakmarrja e PDK-së.

“Lëvizjet e z. Limaj në drejtim të një koalicioni me VV-në, nuk janë lëvizje për inat apo kundër z. Haradinaj, por janë për arsye personale të vet z. Limaj. E para, është arsyeja finaciare, dhe kjo nuk do shumë koment nese merrët parasyshë profili prej politikani i z. Limaj. Dhe e dyta, z. Limaj po i hakmerret PDK-së, për shkak se kjo e fundit nuk e morri në koalicion në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 dhe e la jasht parlamentit, dhe poashtu në zgjedhjet e brendshme partiake të PDK-së pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, kur Fatmir Limaj ishte i gatshëm që ta shkrinte subjektin e vet politik dhe dëshironte një rikthim në PDK, lidershipi i kësaj të fundit ia mbylli derën me arrogancë, dhe tani z. Limaj shkuarjen e tij drejtë një koalicioni me VV-në për ta ndërtuar qeverinë Kurti 3.

E sheh një rast të mirë që t'i hakmerrët PDK, ndërsa bazuar në dekleratat e fundit edhe të z. Haradinaj, shihet se në mes tij dhe z. Limaj, ka përfunduar ajo "martesa per letra", dhe secili subjekt politik tashmë do të ndjek rrugën e vet”, përfundoi Haziri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat