Njëherë Rutte, tani Sorensen – zbardhet prapavija e vizitave të fundit në Kosovë

Politika

Njëherë Rutte, tani Sorensen – zbardhet prapavija e vizitave të fundit në Kosovë

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 16 mars 2025 Në ora: 17:02
Peter Sorensen

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë Serbi, Peter Sorensen, nesër do të ketë vizitën e tij të parë në Kosovë.

Këtë gjë, ditë më parë e konfirmoi zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anitta Hipper.

“Mund të konfirmojmë se Përfaqësuesi Special i BE-së Peter Sorensen do të bëjë vizitën e tij të parë në Kosovë nga data 17-19 mars”, tha ajo.

Ndonëse, Bashkimi Evropian nuk ka dhënë shumë detaje mbi këtë vizitë, raportohet se Sorensen do të takohet me kryeministrin, Albin Kurti, në lidhje me përgatitjen e vazhdimësisë së procesit të dialogut.

Kjo viztë e Sorensen, vjen vetëm pak ditë pasi për vizitë në Kosovë ishte edhe shefi i NATO-s, Mark Rutte, i cili kërkoi nga Kosova dhe Serbia të jenë të përkushtuar në procesin e dialogut në Bruksel si e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve politike dhe të sigurisë.

Me vizitat e Rutte dhe Sorensen, duket se ndërkombëtarët kanë shtuar përpjekjet e tyre për t’i ulur palët dhe për të zhvilluar dialogun, ku ky i fundit ka kohë që ka stagnuar.

Se a kanë lidhje vizitat e këtyre zyrtarëve perëndimor në Kosovë, folën analistët politikë.

Bilalli: Kosovën e presin punë të mëdha, për këto detyra nevojitet unitet institucional dhe kombëtar!

E për këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli eksperti i gjeopolitikës, Lutfi Bilalli.

Image
Lutfi Bilalli.

Së pari, tha se qëllimi i vizitës së Sorensen nuk është vetëm njoftimi, po edhe synimi për të rritur takimet mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj që vizita e emisarit të EU-së për dialogun Kosovë-Serbi, danezit, Sorensen në Kosovë do jetë njė start i ri jo vetëm njoftues i diplomatit Sorensen, por edhe me ambicie për tė rritur ritmin e takimeve mes palëve (delegacionit kosovar dhe atij serb)”.

Gjithashtu, foli mbi pritshmërit e kësaj vizite, si dhe takimet e mundshme që pritet t’i realizojë emisari danez.

Në këtë pikë, përmendi edhe procesin zgjedhor dhe nevojën për unitet politik mes partive në vendin tonë.

“Sigurisht gjatë dy ditëve të qëndrimit të danezit Sorensen, në takim me zyrtarët më të lart të vendit: Presidenten, Kryeministrin, por edhe kryetarët e partive parlamentare, me një fjalë do takojë pozitë e opozitë (edhe pse ende nuk mundemi të jemi të saktë se kush do jetë opozita e ardhshme në Parlamentin e Kosovës). Tani më Kosova e dalur nga një proces zgjedhor me parlament dhe qeveri të pakonstituar ka nevojë që të jetë unike politikisht dhe institucionalisht ndaj proceseve që presin Kosovën në të ardhmen”, shpjegoi eksperti i gjeopolitikës.

Ndër të tjera, paralajmëroi se Kosovën e presin punë të mëdha, ku për këto detyra nevojitet unitet institucional.

“Emisari për dialogun do kërkoj nga lidershipi kosovar gatishmëri për të marrë përgjëgjesi nga zotimet e pranuara, nga dakordimet që janë marrur në aneks-marrëveshjen e Ohrit. Vizita e para disa ditëve e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte tregojnë interesimin që aleanca ka për stabilitetin dhe sigurinë, jo vetëm në Kosovë, por në tërë regjionin e Ballkanit! Vizita emisarit të UE nuk ka një nderlidhje me viziten e Rutte, por mund te kenë mesazhe përafërsisht të njëjta dhe atë: Stabilitet, Siguri dhe Kompromise në bisedime!

Përfundimisht, Kosovën e presin punë të mëdha, për këto detyra nevojitet unitet institucional dhe kombëtar!” – përfundoi Lutfi Bilalli për “Bota sot”.

Hertica: Detyra e përfaqësuesit të ri do të jetë që ta lehtësojë dialogun

Kurse, analisti Ali Hertica në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se vizitat e Rutte dhe Sorensen janë sinjal që osova dhe Serbia duhet të bëjnë “kompromiset e duhura”.

Image
Ali Hertica

Sipas tij, të dyja palët duhet të fokusohen në përfitimet afatgjata

“Ardhja e dy përfaqësuesve diplomatik, sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte dhe përfaqësuesi special për dialog, Peter Sorenson, sinjalizon qartë se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë "kompromiset e duhura" në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe të dyja palët duhet të fokusohen në përfitimet afatgjata. NATO do të vazhdojë të mbështesë plotësisht normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të udhëhequr nga BE-ja, nga përfaqësuesi Sorensen. Kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe për të mbrojtur të gjitha komunitetet”.

Po ashtu, Hertica foli mbi atë se si mund të ketë sukses ky proces dialogues, derisa tha se pret që Sorensen ta lehtësojë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në mënyrë që ky dialog të ecë përpara, të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet, të bëjnë kompromise të duhura dhe të fokusohen në përfitimet afatgjata.  Emisari Peter Sorensen dihet se ka marrë pëlqimin përfundimtar nga ministrat e Jashtëm të BE-s për postin e përfaqësuesit të posaçëm të bllokut për dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Detyra e përfaqësuesit të ri do të jetë që ta lehtësojë dialogun, i cili do të kontribuojë në normalizimin gjithëpërfshirës të Serbisë dhe Kosovës, dhe në veçanti në implementimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimnit, dhe aneksin e zbatimit të saj, të miratuar në shkurt dhe mars të vitit 2023. Trembëdhjetë vite pas pavarësisë se Kosovës nga Serbia, të dy vendet vazhdojnë të mos e njohin njëra tjetrën dhe kjo dëmton dy vendet për t’u integruar në gjitha instancat botërore. Kështu që këto dy shtete duhet të shkojnë përtej çështjeve teknike dhe duhet të fokusohen në çështjet kryesore, pavërësinë e Kosovës dhe ndikimin e Beogradit mbi komunitetin Sserb në Kosovë”, tha ai ndër të tjera.

Tutje, tregoi shkaqet se pse ka stagnuar ky dialog, ku fajësoi Serbinë dhe qasjen e saj, ku kërkoi që BE të përqëndrohet në inkurajimin e një dialogut sa më të drejtë.

“Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar dialog, herë pas herë për mënyrën e normalizimit të marrëdhënieve të tyre së paku që nga viti 2006. Ata kanë rënë dakord për shumë pika, por nuk pajtohen për çështjen më domethënëse e që në fakt është edhe pika e tyre ndarëse: Pavarësia e Kosovës. Ndikimi i vazhdueshëm i Serbisë ndaj komuniteteve serbe në Kosovë është një çështje tjetër e diskutueshme. Zonat me shumicë serbe në Kosovës veçanërisht katër komunat veriore në kufi me Serbinë, mbetën vetëm pjesërisht të integruara në sistemin juridik dhe lijgor të Kosovës, dhe me potencial për shpërthimin e dhunës. Për momentin, Brukseli duhet të përqëndrohet në inkurajimin e një dialogu në të cilin palët do të ishin të lira të negociojnë çdo zgjidhje në përputhje me të drejtat e njeriut dhe ligjet ndërkombëtare si dhe me nevojën për të fituar mbështetjen e popullatës së tyre respektive”.

Në fund, shtoi se me ardhjen e Trump në pushtet është shtuar serioziteti, ku beson që dialogut me Serbinë do i vie fundi shumë shpejt.

“Si BE-ja, ashtu edhe SHBA-të duhet, ta dijnë se këto lidhje nuk do të sigurojnë zgjdihjen e duhur e cila do të mund të vijë vetëm përmes një marrëveshje me Serbinë rreth pavarësisë së saj, por duke ndihmuar Kosovën në zbutjen e frustrimit dhe indinjatës, avancimi i saj në aspekte tjera mund të ofrojnë mundësi modeste. Vërehet një seriozitet pak më i madh nga ardhja e presidentit Trump që çdo problem do ketë një fund, besoj se edhe dialogut me Serbinë do i vjen fundi, sepse thuajse janë lodhur edhe qytetarët serbë nga politika hegjemoniste e Beogradit….”, përmbylli Ali Hertica për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat