U shpreh i hapur për marrëveshje me Kosovën/ Vjen kundërpërgjigja e ashpër ndaj Vuçiqit – zbulohet prapavija e deklaratës!

Politika

U shpreh i hapur për marrëveshje me Kosovën/ Vjen kundërpërgjigja e ashpër ndaj Vuçiqit – zbulohet prapavija e deklaratës!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 16 mars 2025 Në ora: 19:19
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Aleksander Vuciq

Bisedimet teknike në mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë filluar në vitin 2011.

Ideja ka qenë që të diskutohen çështjet teknike që do ta bënin më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e të dyja shteteve.

Sidoqoftë, edhe pse në fillim u paralajmërua që Kosova do të bisedojë me Serbinë vetëm për çështje teknike –të cilat janë udhëhequr nga ekipet teknike të të dyja shteteve – në fund të vitit 2012, krahas bisedimeve teknike, filluar edhe bisedimet në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo, përveç bisedimeve deri më tani nuk kemi asnjë marrëveshje finale.

Ani pse marrëveshje finale nuk kemi pasur, marrëveshjet e tjera të cilat u nënshkruan nga palët, u shkelën nga vet Serbia.

E së fundmi, mori vëmendjen deklarata e Vuçiqit, kinse është gati për marrëveshje.

Vuçiq, pretendoi se është i hapur për të arritur një marrëveshje me Kosovën, mirëpo sipas tij, “e njëjta duhet të jetë një zgjidhje kompromisi dhe jo e njëanshme”.

Vuçiq në intervistën me Donald Trump Jr në platformën “Rumble”, nuk foli për zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit të arritur në vitin 2023, por tha se Serbia është në presion të madh për çështjen e dialogut.

“Ndryshe nga ‘ata’ nga Prishtina, unë nuk do t’i kritikoj ata dhe nuk do ta shfrytëzoj këtë mundësi për të thënë diçka të keqe për ta. Dua të them se ne ende jemi nën një presion të madh për këtë çështje. Të gjithë, apo shumë njerëz, duan të dëmtojnë integritetin tonë territorial, kushtetutën dhe gjithçka tjetër. Por e vërteta është se ne gjithmonë kemi qenë të hapur për të arritur një konsensus ose një marrëveshje midis nesh dhe Prishtinës. Por kjo duhet të ishte ose duhet të jetë një zgjidhje kompromisi. Nuk mund të jetë e njëanshme”, tha Vuçiq.

Duke parë këtë deklaratë të Vuçiqit, a po përballemi përsëri me manipulim nga vet ai?

Qarri: Qëllimi i Vuçiqit, është i njëjtë me pretendimet e Putinit në Ukrainë

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Gani Qarri.

Ai thotë se pozita e Vuçiqit është e luhatshme dhe mund të ndodhë shpejt që i njëjti të mos jetë drejtues i shtetit.

Mirëpo, sipas analistit, me këtë deklaratë Vuçiq dërgoi një mesazh tek ndërkombëtarët.

“Në fakt nga zhvillimet dramatike që po ndodhin tash e sa kohë në Beograd dhe qytetet tjera serbe, Vuçiqi përveçse nuk është lojtari kryesor, sipas shumë analistëve prestigjioz ndërkombëtar por edhe njohësve të shquar të zhvillimeve politike në Serbi,ai ka mundësi edhe të mos jetë më udhëheqës i shtetit dhe politikës në Serbi, ndaj dhe Kosova duhet të jetë e gatshme për përshtatje me situatën dhe veprim në kushte të reja edhe sa i takon vazhdimit të dialogut, pas ndryshimeve që pritet të ndodhin në Serbi.

Madje me ndryshimet e ndodhura, muaj më parë në udhëheqjen dhe politikën e jashtme të BE-së, pritet të ndryshojë qasja edhe në dialogun e ndërmjetësuar nga BE, andaj kjo që Vuçiqi deklaroi në intervistën me të birin e Trumpit, Donald Trump Junior, ishte një përpjekje për dërgimin e një mesazhi në Uashington, që në rast të mosmbështetjes nga ndërmjetësuesit e ri të BE-së, siç mbështetej krejt njëanshëm nga Jossep Borell e Mirosllav Lajçak, Presidenti Trump ta mbështes dhe favorizojë Vuçiqin në raport me Kosovën, njëjtë siç favorizon Vladimir Putinin në kurriz të Ukrainës”, u shpreh ai.

Image
Gani Qarri

Më tej, analisti i quan hipokrizi deklaratat e Vuçiqit duke ia përmendur mozbatueshmërinë e marrëveshjeve të nënshkruara.

“Për aq më tepër, Vuçiq nuk përmendi fare letrën e dërguar nga ish kryeministrja serbe Ana Brnabiq, BE-së në Bruksel, se Serbia nuk e pranon marrëveshjen e Brukselit, e cila as që është tërhequr më nga ana e Serbisë, e nga ajo kohë nuk ka as zbatim të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, nga Serbia, të dakorduar në vitin 2023, madje ai bëri sikur dhe iu ankua Trumpit Junior, se gjoja Serbia edhe na qenka nën presion të madh për çështjen e dialogut.

Kështu që pretendimet e personit, siç duket në orët apo ditët e fundit, në postin e presidentit formal të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se ai është i hapur për të arritur një marrëveshje me Kosovën, janë hipokrizi për t`iu "imponuar" BE-së, nga frika që e ka kapluar në këto momente të furishme të protestave masive shumë mujore në Serbi, se çfarë do të ndodhë me fatin e tij, se kinse ai akoma është njeriu i “duhur”, që mund të marrë vendime në emër të Serbisë”, shpjegoi analisti.

Tutje ai thotë se qëllimi i Vuçiqit, është i njëjtë me pretendimet e Putinit në Ukrainë.

“Mirëpo, megjithatë, as në gjendjen që ndodhet, para kaosit të pashembullt politik serb, Vuçiq nuk harroi të insistojë në formulën ruse, të armëpushimit të pretenduar në Ukrainë, se marrëveshja me Kosovën “duhet të jetë një zgjidhje kompromisi dhe jo e njëanshme”, me të cilën edhe Vuçiqi pretendon se duhet të shpërblehet me territore duke gllabëruar veriun e Kosovës, në bazë të teorive të Grenellit, nga mandati i kaluar i Trumpit, dhe modelit të njëjtë siç po shpërblehet Rusia me aneksimin ushtarak, të territoreve në Ukrainë.

Se qëllimi i Vuçiqit, është i njëjtë me pretendimet e Putinit në Ukrainë, i cili edhe Serbinë e konsideron si një Rusi të Ballkanit Perëndimor, dëshmohet edhe nga deklarata e Vuciqit, oportuni i njëjtë që përkundër arritjes së marrëveshjes së Brukselit, nuk ka ndërmarrë asnjë hap për zbatimin e saj, madje në fund të vitit 2023 përmes një letre dërguar BE-së, në Bruksel nga ish kryeministrja Brnabiq, ka theksuar se Serbia nuk do ti zbatojë pikat e caktuara të saj, ku de-facto, njihet shteti i Kosovës dhe nga ajo kohë kemi vetëm shkelje te çdo marrëveshje e asnjëherë gatishmëri për normalizim të marrëdhënieve, pranim të realitetit dhe zgjidhje të problemit nga Vuçiqi me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjë që flet më së miri për hipokrizinë e deklaratave të tij”, foli Qarri për “Bota sot”.

Mehazi: Marrëveshjen që kërkon Vuçiqi me Kosovën që moti është hudhur në kosh të mbeturinave

Ndërsa, profesori Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që protestat e studentëve i tregojnë më së miri paknaqësitë që edhe populli serb ka për udhëheqësinë e Vuçiqit.

“Protestat dinjitoze dhe të ashpra të studentëve ane kënd Serbisë janë duke ia djegur karrierën politike presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, që tog me kryetaren e parlamentit të Serbisë, Bernabiqin, nga frika e protestave të studentëve mundohen ta hudhin topin politik të brishtë përtej Serbisë në Kosovë, gjoja është i hapur për një marrëveshje përfundimtare me Kosovën”, thotë ai.

Image
Sulejman Mehazi

Sipas profesorit, kjo deklaratë për marrëveshje nga Vuçiqi vjen prej frikës që do i humbë pushteti dhe e sheh si një mundësi për të qëndruar.

Megjithatë, sipas tij, Vuçiqi e ka të qartë se nuk mund të manipolojë me studentët.

“E kot është deklarata e tij dialoguese me Kosovën, pasi kjo marrëveshje jo që nuk është e vlefshme për Kosovën, por edhe për studentët serbë të cilët me protestat e fuqishme në tërë territorin e Serbisë vendosmërisht luftojnë kundër presidentit gjenocidial të Serbisë i cili me politikën e tij fashiste ka ngulfatur dhe ka izoluar jo vetëm Serbinë, por edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, po është duke e ngulfatur edhe BE dhe SHBA-të.

Vuçiqi e ka të qartë se nuk mund të manipolojë me studentët, studentët janë ata që rrezojnë qeveri e pushtete, Vuçiqit i ka mbetur gozhda në sharrën e studentëve serbë, ose të dorëzohet para studentëve, ose të përdorë dhunë e terrorizëm ndaj intelegjencës së ardhshme serbe, ose nga frika e ndërkombëtarëve të BE-së, SHBA-ve apo inati ndaj studentëve të njeh pavarësinë e Kosovës”, foli profesori.

Mehazi në fund paralajmëroi rrëzimin e Vuçiqit nga pushteti dhe një frymë të re politike serbe në dialogun me Kosovën.

“Marrëveshjet dialoguese të presidenti të Serbisë përballë Kosovës dihen, janë vetëm fraza për të ngatërruar dialogun, jo për të përfunduar.

Mendojmë se këmbëngulja e studentëve serbë, do ta eliminojnë Vuçiqin dhe se dialogun me Kosovën do ta udhëheqin një frymë e re polikanësh demokratë të Serbisë.

Marrëveshjen që kërkon Vuçiqi me Kosovën që moti është hudhur në kosh të mbeturinavë. Para se të kërkonte një marrëveshje të hapur me Kosovën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi le të merret me studentët e tij”, përfundoi profesori Mehazi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat