Një mesazh kërcënues alarmoi sot deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ky mesazh në gjuhën angleze ka arritur përmes mesazhi të Kuvendit të Kosovës, konkretisht në adresën e një punëtoreje në zyrën e Kryetarit Glauk Konjufca.
Përmbajtja e mesazhit paralajmëronte se një bombë ishte vendosur brenda ndërtesës së Kuvendit dhe se do të shpërthente pas 10 minutash. Pasi punëtorja e ka pranuar mesazhin , ajo ka njoftuar menjëherë sigurimin dhe njësinë përgjegjëse, e cila ka ndërmarrë veprimet e para operative.
A egzistonte një rrezik i tillë për deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe nga kush mund të rrezikoheshin ata, flet eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj.

Ai thotë për ‘Bota sot’ se, ngjarja e sotme në Kuvendin e Kosovës, ku një alarm për bombë shkaktoi evakuim dhe ndërprerje të punës parlamentare, është një sinjal serioz që kërkon reflektim të thellë institucional dhe shoqëror.
“Edhe ku rezulton të jetë një alarm i rremë, vetë fakti që mund të ndodhë një incident i tillë brenda një institucioni kaq të lartë shtetëror, e tregon brishtësinë e sigurisë sonë dhe shkallën e polarizimit politik e shoqëror. Rreziku për deputetët është real nëse masat e sigurisë janë të mangëta. Kuvendi është objekt i mbrojtur me regjim të veçantë sigurie, prandaj çdo mundësi për vendosjen e një mjeti shpërthyes brenda ose rreth tij duhet të trajtohet si dështim i zinxhirit të sigurisë – që nga kontrolli fizik e deri te inteligjenca paraprake”, thotë Gecaj.
I pyetur rreth asaj se nga kush mund të vinte një kërcënim i tillë – pa spekuluar konkretisht – duhet të merret parasysh një gamë e gjerë faktorësh.
“Nga individë ekstremistë të motivuar politikisht ose ideologjikisht, te elementë të krimit të organizuar që ndjejnë presion institucional, e deri te grupe të jashtme që synojnë destabilizimin e brendshëm të Kosovës. Nuk përjashtohet as paknaqësia e ndonjë grupimi të brendshëm politik e që lidhen me gërqin e konstituimit të kuvendit”, vlerëson ai.
Eksperti Gecaj bën thirrjen edhe për institucionet e sigurisë për tu marrë me këtë rast.
“Institucionet e sigurisë duhet të veprojnë me transparencë, por pa nxitje paniku, ndërsa politika duhet të ndalë instrumentalizimin e këtyre ngjarjeve për përfitime të shpejta partiake. Siguria kombëtare nuk është çështje polemike – është detyrim mbi të cilin ngrihet besimi qytetar në shtet”, thotë ai.