Procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit që nisi në prillin e vitit 2023 në Gjykatën Speciale në Hagë, dalëngadalë po shkon drejt fundit.
22 dhjetori i këtij viti është data që Trupi Gjykues e ka dhënë si afat për palët të dorëzojnë shkresat përfundimtare në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, të cilët, ndër të tjera nga Gjykata Speciale akuzohen edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë, anëtarë të LDK-së dhe ish-bashkëpunëtorë të presidentit historik, Ibrahim Rugova.
E lidhur me gjithë procesin dhe atë se çka pritet deri në fund, për gazetën "Bota sot" ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Faton Mehmeti.
“Duke u nisur nga rrjedha e procesit dhe nga ajo që është prezantuar në Hagë deri më tani, mund të theksohen disa pritje realiste e të cilat janë të mundura të ndodhin. Por së pari duhet theksuar faktin se pala e Prokurorisë ka synuar ta paraqesë Thaçin, Veselin, Selimin e Krasniqin si një organizatë të strukturuar me qëllim kriminal, duke e ngarkuar udhëheqjen e saj me përgjegjësi komanduese për krime që kanë ndodhur. Ata janë munduar ta lidhin zinxhirin komandues të Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit me veprimet në terren”, shprehet Mehmeti.
Ai thotë se Prokuroria, pavarësisht provave të saj, shumë herë ka treguar dobësitë e saj.
“Në anën tjetër, pala e mbrojtjes ka arritur të theksojë dobësitë e shumta të dëshmive të prokurorisë, kontradiktat në dëshmi, mungesën e provave materiale të pakontestueshme, si dhe kontekstin e luftës së drejtë çlirimtare të UÇK-së. Në shumë raste, mbrojtja ka demontuar pretendimet e prokurorisë duke i nxjerrë si të pabazuara apo të njëanshme”, thekson Mehmeti.
Më tej, Mehmeti thotë se padyshim dikush do të dënohet me burgim nga Gjykata Speciale.
“Nisur nga këto, ekziston mundësia reale që të akuzuarit nga Specialja të shpallen fajtorë për disa nga pikat e aktakuzës, me qëllim që gjykata të tregojë se nuk është vetëm një ‘proces formal’, por një mekanizëm që jep dënime. Në këtë rast, mund të kemi vendime me vite të shumta burgimi”, shton Mehmeti.
Për fund, Mehmeti deklaron se pika e aktakuzës ku përmendet vrasja e kundërshtarëve politikë është njëra nga më të rëndat dhe do të ndikojë edhe në vendimin përfundimtar.
“Kjo është një nga pikat më të ndjeshme dhe më të rënda të aktakuzës. Nëse gjykata në Hagë arrin të vërtetojë pretendimet se Hashim Thaçi dhe të tjerët kanë qenë të përfshirë në vrasjen ose eliminimin e kundërshtarëve politikë, kjo padyshim do të ketë peshë shumë të madhe në vendimin përfundimtar, me çka edhe dënimi ndaj tyre do të rritet ndjeshëm”, përfundon analisti Faton Mehmeti për "Bota sot".