Sot shënohet 81-vjetori i lindjes së Ibrahim Rugovës, liderit historik të Kosovës dhe simbolit të qëndresës paqësore. Ai nuk ishte vetëm politikan, por edhe vizionar, i cili, me durim, guxim dhe përkushtim, e mbolli Kosovën në mendjen e çdo shqiptari. Rugova i mësoi popullit të tij durimin, trimërinë dhe dashurinë për atdheun, duke krijuar një shtet që jeton në mendjet dhe zemrat e njerëzve.
Trashëgimia e tij frymëzon breza të tërë shqiptarësh, duke treguar se liria dhe pavarësia mund të arrihen përmes vizionit, paqes dhe vendosmërisë.
Këto janë disa nga deklaratat e Rexhep Shahut, gazetarit shqiptar, në një prononcim për “Bota Sot”.
Ai kujtoi rëndësinë e Rugovës si arkitekt i shtetit dhe simbol i qëndresës paqësore.
“Rugova krijoi shtetin e Kosovës në mendjen e njerëzve – një shtet në mend. Dhe e fitoi këtë betejë madhështore. Ashtu si hebrenjtë, të cilët gjithmonë menduan për shtetin e tyre edhe kur ishin të shpërngulur dhe të përçarë në botë, edhe shqiptarët e Kosovës janë një popull që ka ndërtuar, ruajtur dhe mbajtur shtetin në mendjen e vet. Duke e patur të krijuar në mend shtetin, shqiptarët e Kosovës, kudo që ndodheshin, kontribuuan vullnetarisht me 3% të pagave të tyre për të mbajtur shtetin, për arsimin, shëndetësinë dhe funksionimin e tij. Ndërkohë, ata rritën fëmijët me dashuri për Kosovën, duke i bërë pjesë të këtij angazhimi vullnetar dhe duke i mësuar vlerat e qytetarisë dhe të përgjegjësisë.
Për të bindur botën se Kosova meritonte ndihmë nga Perëndimi dhe nuk ishte një vend islamik si e paraqisnin serbët, Ibrahim Rugova, mysliman, çdo ditë të premte, pa u lodhur për vite me radhë, përsëriste thënien e tij të famshme, që sot njihet globalisht: ‘Kosova e lirë, e pavarur, e hapur njëlloj për Serbinë dhe Shqipërinë, e integruar në BE dhe NATO, dhe në miqësi të përjetshme me SHBA”, ka thënë Shahu.
Sipas tij, figura e Rugovës nuk ishte vetëm politikan, por edhe diplomat i zgjuar.
“Me filozofinë, qëndrimet dhe trimërinë e tij, Rugova krijoi dhe bindte shumë miq në politikën dhe diplomacinë botërore. Ai tregoi se shqiptarët i takojnë perëndimit dhe se islamizimi i tyre ishte i imponuar, jo i zgjedhur. Ishin shinat që vendosi Rugova ato që e bënë shtetin e Kosovës të qëndrueshëm. Ai kishte dijen, fuqinë dhe aftësinë për t’i bindur miqtë dhe bashkëbiseduesit e tij. Këmbëngulja e tij ishte e natyrshme, sepse argumentet e tij ishin bindëse. Rugova nuk merrej me polemika të kota, sepse gjithë energjinë e përqendronte në ndërtimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Edhe pas vdekjes, prezenca e tij vazhdon të ndjehet; ata që punuan me të shpesh shfaqen si mentorë, por ai nga qielli na buzëqesh dhe i thotë ndashtë. Ata që kishin frikë nga e kaluara enveriste dhe spiunimi i saj, që nuk e përmendën kurrë emrin e Rugovës, përjetuan refuzimin e tij me shpërfillje”, ka shtuar Shahu.
Pavarësia e Kosovës ishte kauza e pandryshueshme e Rugovës. Shahu rikujtuar fjalët e tij.
“Kosova e lirë, e pavarur, e hapur njëlloj si për Serbinë, si për Shqipërinë, e integruar në BE dhe NATO, dhe në miqësi të përjetshme me SHBA”, ka rikujtuar ai
Po ashtu, Shahu ka potencuar se trashëgimia e Rugovës është e qartë: “Ai u mësoi njerëzve durimin, qëndresën, guximin, trimërinë, lirinë dhe dashurinë për Kosovën. Ai e mbolli Kosovën në mendjen e çdo shqiptari, dhe prandaj ajo nuk vdes kurrë”.
Shahu ka përmendur misionarët dhe miqtë e Kosovës, si Rupert Neudeck, Daniel Endres, Andrew Harper, Bill Foxton dhe Sally Becker, të cilët ndihmuan shqiptarët gjatë krizës së 1998-1999.
Ai ka nënvizuar rëndësinë e mirënjohjes ndërkombëtare si pjesë të trashëgimisë së Rugovës.
“Institucioni i mirënjohjes që ngriti Rugova mbi parimin se nuk mbahet shtëpia pa miq është i jashtëzakonshëm. Unë përmenda disa prej tyre: Rupert Neudeck, që alarmonte Klaus Kinkelin dhe Gjermaninë për dhunën serbe në Has; Daniel Endres i UNHCR, që organizoi pritjen dhe sistemimin e 460 mijë shqiptarëve të dëbuar në Kukës; Andrew Harper, që me Xhemil Shahun shpërndante ujë për të ndihmuar shqiptarët e dëbuar; Bill Foxton, shef i OSCE në Tropojë, një mbështetës i madh i Kosovës; dhe Sally Becker, që shpëtoi 250 fëmijë nga dhuna në Mostar dhe u përpoq të ndihmonte fëmijët e Kosovës, duke rrezikuar jetën e saj. Të gjithë këta janë pjesë e historisë së Kosovës dhe kontributit të Rugovës”, ka thënë Shahu.
Në fund, Shahu ka thënë Rugova se është i pazëvendësueshëm, ndërsa NATO vazhdon ta mbrojë Kosovën.
“Betejat e Rugovës nuk ishin beteja ushtarake, por beteja udhëheqëse: me ide, politika, strategji dhe aleanca. Kush e interpreton Rugovën si ushtar apo komandant, tregon mosdije të thellë. Rugova mësoi durimin, qëndresën, guximin, trimërinë, lirinë dhe dashurinë për Kosovën, e mbolli Kosovën në mendjen e çdo shqiptari, dhe ajo nuk vdes kurrë. Flota ajrore e SHBA dhe NATO-s, që luftoi 78 ditë për çlirimin e Kosovës, vazhdon ta mbrojë vendin. Rugova nuk mund të zëvendësohet; ai nuk largohet dhe shqiptarët e Kosovës nuk e lejojnë që të zhduket”, ka përfunduar Shahu.