Kaq njësi të banimit do të faturohen aq sa kanë shpenzuar për ngrohje

Prishtina

Kaq njësi të banimit do të faturohen aq sa kanë shpenzuar për ngrohje

Më: 29 shtator 2024 Në ora: 14:19
Foto ilustrim

Më shumë se 17 mijë njësi të banimit në të cilat janë instaluar pajisjet matëse nëpër radiatorë, do të faturohen për shpenzimet e tyre reale. Ndërsa për njësitë e tjera të banimit, ku matësit nuk janë instaluar ende, faturimi do të vazhdojë të bëhet sipas metrave katrorë edhe për këtë sezon.

Kështu bënë të ditur kryeshefi ekzekutiv i ngrohtores së qytetit të Prishtinës “Termokos” Fisnik Osmani në një intervistë për KosovaPress. Ai zotohet se janë bërë të gjitha përgatitjet për të filluar sezonin e ngrohjes me datën 15 tetor.

Osmani flet për pamundësinë që edhe këtë vit të kyçen në sistemin ngrohës “Banesat e Bardha”, dhe për borxhin e qytetarëve ndaj kësaj ndërmarrje publike.

Osmani: Mbi 17 mijë e 500 njësi të banimit do të faturohen sipas konsumit

"Zyra e Rregullatorit të Energjisë është institucioni i vetëm i cili e rregullon pjesën e tarifave të ngrohtores. Pra, kalkulimet e tyre barten në faturat të cilat termokosi i dërgon tek qytetarët. Deri në këtë sezonë ne e kemi pasur vetëm një formë të faturimit, ka qenë forma përmes metrit katror. Atë formë, po flas për sektorin banesor, për shkak se sektori afarist dhe te institucionet kemi faturuar me matës edhe në sezonat paraprake. Prej këtij 15 tetori e tutje 17 mijë e 500 njësi të banimit në të cilat ne e kemi bërë instalimin e pajisjeve të matjes, qoftë në radiator ose në pjesën e shpërndarjes përmes konektorëve do të faturohen me pjesën e konsumit. Pra, aq sa shpenzojnë, aq do të faturohen...Pjesa tjetër të cilët nuk janë instaluar matësit, do të vazhdohet me metrat katror", potencon Osmani.

Anipse ishte planifikuar që “Banesat e Bardha” të kyçen në sistemin ngrohës këtë sezon, për shkak të disa arsyeve është komplikuar procesi i ndarjes së mjeteve nga Komuna e Prishtinës për intervenim në këtë pjesë.

Osmani tregon se “Termokos” me mjete vetanake planifikon të kyç në sistemin ngrohës këto 29 objekte banesore, porse nuk është e mundur deri në vitin tjetër.

Osmani: Përkushtimi është që “Banesat e Bardha” të kyçen në ngrohje vitin e ardhshëm

"Sa i përket pjesë së Banesave të Bardha, ne në fillim të mandatit tonë, kemi pasur përkushtimin që fillimisht të bëjmë kalkulimet për Banesat e Bardha...Komuna ka ndarë një buxhet, mirëpo për shkaqe objektive, subjektive është komplikuar procesi i ndarjes së atyre mjeteve dhe fatkeqësisht ne nuk i kemi ato mjete në konto. Këtë vit para pak muajsh ne kemi bërë ndarjen e një buxheti vetanak të ngrohtores dhe planifikojmë që të bëjmë intervenime tek pjesa e Banesave të Bardha. Atje janë 29 objekte banesore përfshirë edhe shkollën fillore të mesme të ulët 'Iliria' e cila do të jetë pjesë e ngrohtores. Ne kemi pasur synimet që këtë vit ta bëjmë instalimin por me gjasë këtë vit do të bëjmë maksimumin që të nisim procedurat e prokurimit për shkak se na duhen materiale shtesë dhe planifikojmë që këtë vit nëse gjithçka shkon në rregull në aspektin administrativ të fillojmë pjesën e punimeve për atë zonë. Përkushtimi është që në vitin e ardhshëm të ketë ngrohje", thotë Osmani.

Kryeshefi ekzekutiv në Termokos, Fisnik Osmani thotë se gjithçka është gati për të filluar sezoni ngrohës më datën 15 tetor.

Sipas tij, këtë vit, furnizimi nga ngrohtorja do të përfshijë rreth tre milionë metra katror në Prishtinë, në sektorin afarist dhe banesor. Ai gjithashtu përmend se do të jenë mbi 30 mijë njësi të banimit që do të marrin këtë shërbim.

Osmani: Jemi bërë gati që ta fillojmë sezonin ngrohës që nga data 15 tetor.

Jemi bërë gati dhe mund të konfirmoj që me datën 15 tetor, nëse nuk ka nevojë më herët për shkak të ndryshimit potencial të temperaturave ne do të fillojmë me sezonin ngrohës dhe shpresoj që çdo gjë do të shkojë mirë... Jemi diku në tre milionë metra katror në Prishtinë, në sektorin afarist dhe në atë banesor, duke pasur mundësi dhe aftësi për furnizuar më tepër se 30 mijë njësi të banimit...Gjatë kësaj periudhe ne jemi koncentruar që në objektet e rëndësisë së veçantë, siç janë shkollat, Qendrat e Mjekësisë Familjare, çerdhet të bëjmë intervenime dhe ndërhyrjet kudo që ka mundësi", tregon Osmani për KosovaPress.

Ndër të tjera, Osmani potencon se këtë vit është i kënaqur me pjesën e inkasimit, për çka thotë se mbi 90 për qind e qytetarëve po i paguajnë faturat.

Osmani: Jemi të kënaqur me pjesën e inkasimit

"Ndërmarrjes sikur puna e ngrohtores që varet prej faturave dhe ofron shërbim, asnjëherë nuk është e kënaqur me paratë dhe të hyrat të cilat i mbledhë. Unë dua të jem korrekt, jemi të kënaqur me pjesën e inkasimit të cilën e kemi. Diku mbërrin mbi 90 për qind", shprehet Osmani.

Përveç këtyre, synim i ngrohtores Termokos është që edhe lagjen 44-atëshe të kyç në sistemin ngrohës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat