Asambleisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Granit Geci ka komentuar ngjarjet e djeshme në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ku shefi i asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, shkuli mikrofonin.
Ai në emisionin “Dita e re” në Kanal10, ka thënë se Grupi i asambleistëve të PDK-së e ka dënuar këtë akt, teksa thotë se akoma më shqetësuese ishte sinjalizimi i asambleistit të LVV-së, Berat Lahu për pazarin me Badocin ku involvohet edhe kryeministri Kurti.
“Ne si PDK e kemi dënuar gjestin e shefit të grupit të asamblistëve të LVV-së, sepse me të vërtetë ishte një pamje që nuk i përket një Kuvendi, aq më pak një Kuvendi, i cili do të duhej të përfaqësonte interesat dhe brengat e qytetarëve.
Më shumë se një gjest vandal ne dje e kemi parë një shpërfaqje të një skandali shumë më të madh, të cilin ne e kishim paralajmëruar një vit më parë dhe ky vije si sinjalizimi i një asamblisti tjetër po të njëjtës parti, Berat Lahu, i cili kolegëve të vet u thotë na tregoni për pazarin që e keni bërë për Badocin e ku e involvon edhe kryeministrin Kurti, ku bëhet fjalë për 50 milionë euro e më shumë”, ka thënë Geci.