Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se kryeqyteti ka mbetur pa automjete.
Ai ka njoftuar se kontrata e lidhur nga Autoriteti Qendror i Prokurimit (AQP), që vepron nën Ministrinë e Financave ka skaduar me 6 dhjetor.
“Kjo kontratë përfshinte institucione qendrore dhe lokale, përfshirë Komunën e Prishtinës, e cila kishte marrë me qira 76 vetura. Pas skadimit të kontratës, të gjitha veturat janë kthyer, duke lënë Komunën e Prishtinës pa automjete funksionale. Kjo ka vështirësuar ndjeshëm operimin e drejtorive si Inspeksioni dhe Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca”, ka shkruar Rama.
Tutje, ai i ka bërë thirrje urgjente Qeverisë së Kosovës që të gjejë zgjidhje, përgjegjësi kjo e AQP-së.
“Mosveprimi i tyre po pengon rëndë funksionimin e komunave dhe institucioneve publike! Kryeqyteti mbetet i angazhuar për të përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve, por mungesa e mjeteve për operim përbën rrezik për shërbimet dhe sigurinë publike. Trajtimi i interesit publik kërkon prioritet”, thekson Rama.