Prokuroria e Prizrenit dhe gjyqtarët shqyrtojnë rastet e dhunës në familje dhe bashkëpunimin institucional

Prizreni

Prokuroria e Prizrenit dhe gjyqtarët shqyrtojnë rastet e dhunës në familje dhe bashkëpunimin institucional

Më: 6 dhjetor 2024 Në ora: 17:57
Foto nga vendi i ngjarjes

Prokuroria Themelore në Prizren me mbështetjen e OSBE-së ka organizuar tryezë diskutimi me prokurorët dhe gjyqtarët e rajonit të Prizrenit, si dhe bashkëpunëtorët profesionalë, me qëllim të shqyrtimit të kornizës ligjore për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.

Aktiviteti është mbajtur në kuadër të fushatës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, thuhet në njoftim.

U.D. Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Petrit Kryeziu, ka bërë të ditur se rastet e dhunës në familje janë problem global, dhe as Kosova nuk bën përjashtim, prandaj dhe shteti duhet të jetë garantues dhe i gatshëm për luftimin e këtyre veprave penale.

Ai ka shtuar se “Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, duhet të jetë prioritet  i organeve të drejtësisë si dhe i të gjitha institucioneve në vend”.

Në njoftim thuhet se Kryeziu ka përmendur “edhe sfidat me të cilat ballafaqohet prokuroria në baza ditore për trajtimin e veprave penale të dhunës në familje”.

Ndërsa, Daniel Lezo, përfaqësues i OSBE-së në Prizren, ka prezantuar gjetjet e raportit të monitorimit të gjykimeve të rasteve të dhunës në familje në Kosovë, bazuar në monitorimin e OSBE-së.

Prokurorja koordinatore për rastet e dhunës në familje, Mehreme Hoxha, ka deklaruar se rastet që kanë të bëjnë më dhunën në familje kanë prioritet dhe se është rritur edhe numri i raportimeve nga viktimat për këto vepra penale.

Diskutimet sipas njoftimit janë fokusuar në zgjidhjen e problemeve të dhunës në familje, me theks të veçantë “në trajtimin e personave që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor e që janë kryes të veprave penale të dhunës në familje, pastaj rastet e viktimave të ndjeshme, viktimat e përsëritura, etj”.

Krahas kësaj është potencuar edhe rëndësia e bashkëpunimit institucional, në mënyrë që viktimat e dhunës në familje të trajtohen me profesionalizëm dhe me dinjitet të plotë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat