Shumë njerëz kanë probleme me përqendrimin në mëngjes, gjë që ekspertët e lidhin me një gjendje të njohur si “inercia e gjumit”. Psikologia Rachel Goldman shpjegon për Parade se është “një gjendje e përgjumur në të cilën truri është ende duke u përshtatur me kalimin nga gjumi në zgjim, gjë që ngadalëson përpunimin dhe e bën të vështirë përqendrimin”.
Kjo gjendje mund të ndikojë gjatë gjithë ditës, duke shkaktuar vështirësi në marrjen e vendimeve dhe ndjesi të çorganizuar dhe të çorientuar.
Terapistja Joelle Moray thekson se ekziston një zakon që mund të përmirësojë fokusin në mëngjes dhe ai fillon me një rutinë të thjeshtë të mbrëmjes.
“Një rutinë e mbrëmjes, e cila përfshin aktivitete qetësuese, si përgatitja e ushqimit apo rrobave për ditën tjetër, mund të ndihmojë në krijimin e një rutine të qëndrueshme mëngjesi”, shpjegon Moray. Kjo redukton stresin dhe mundëson një fillim më të mirë të ditës.
Psikologia Raquel Martin gjithashtu thekson rëndësinë e reduktimit të përdorimit të telefonit para gjumit.
“Shmangni përdorimin e rrjeteve sociale kur jeni në shtrat”, thotë ajo mes tjerash.
Gjumi cilësor është vendimtar për përqendrimin e mëngjesit, shpjegon psikologia Supatra Tovar.
“Gjumi cilësor i lejon trurit të përpunojë informacionin, të rikarikojë energjinë dhe të mbështesë shëndetin mendor. Rutinat e mbrëmjes, si shmangia e ekraneve dhe aktivitetet relaksuese, i dërgojnë trupit një sinjal për t’u përgatitur për pushim”, thekson ai.
Të kuptuarit e shkakut të përqendrimit të zvogëluar në mëngjes është hapi i parë drejt ndryshimit. Krijimi i zakoneve, të tilla si reduktimi i përdorimit të teknologjisë dhe mbajtja e një orari të qëndrueshëm të gjumit, mund të përmirësojë ndjeshëm përqendrimin dhe qartësinë mendore.