Dita Botërore kundër Sidës është një rast për të përkujtuar njerëzit që kanë humbur jetën nga kjo sëmundje.
E vendosur në vitin 1988, kjo ditë është një rast që bota të vlerësojë përpjekjet e tanishme për të ndihmuar njerëzit e prekur nga HIV, i cili shkakton sidën dhe për t’u ri-angazhuar në luftën për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të këtij virusi.
Një raport i ri nga UNAIDS, tregon se bota mund të përmbushë qëllimin e rënë dakord për t'i dhënë fund sidës si një kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030, por vetëm nëse udhëheqësit mbrojnë të drejtat e njeriut të të gjithëve që jetojnë me dhe në rrezik të HIV-it.
Nga 39.9 milionë njerëz që jetojnë me HIV, 9.3 milionë njerëz ende nuk kanë qasje në një trajtim për shpëtimin e jetës.
Më 2023, më se 630 mijë njerëz vdiqën nga sëmundjet e lidhura me sidën dhe 1.3 milion njerëz në mbarë botën u infektuan me HIV.
Në të paktën 28 vende, numri i infeksioneve të reja me HIV është në rritje. Çdo ditë në vitin 2023, 570 gra dhe vajza të reja nga 15 deri në 24 vjeç morën HIV. Në të paktën 22 vende në Afrikën lindore dhe jugore, gratë dhe vajzat e kësaj grup-moshe kanë tri herë më shumë gjasa të jetojnë me HIV sesa bashkëmoshatarët e tyre meshkuj.
Në Deklaratën Politike të vitit 2021 për Fundin e HIV/AIDS-it, vendet u angazhuan të sigurojnë që deri në vitin 2025 më pak se 10% e vendeve të kenë korniza ligjore dhe politikash kufizuese që çojnë në mohimin ose kufizimin e qasjes në shërbimet e HIV.