Shkencëtarët po zhvillojnë një sensor – mjekët e familjes mund të zbulojnë kancerin e lëkurës

Shëndetësia

Shkencëtarët po zhvillojnë një sensor – mjekët e familjes mund të zbulojnë kancerin e lëkurës

Më: 1 dhjetor 2024 Në ora: 08:07
Foto ilustrim

Shkencëtarët po punojnë në zhvillimin e një sensori të shpejtë dhe portativ, i cili do të mund të zbulojë kancerin e lëkurës nëpërmjet kimikateve që ai liron, dhe që mund të përdoret tashmë në zyrën e mjekut të kujdesit primar.

Një ekip ekspertësh nga Universiteti i Bournemouth dhe Spitali Universitar i Dorset nisi një studim trevjeçar në spitalin britanik Poole për të hetuar se si të krijojnë një sensor të shpejtë për të cilin nuk do të nevojitej trajnim i specializuar.

“Kanceri i lëkurës shpesh mund të jetë i vështirë për t’u diagnostikuar”, shpjegoi një zëdhënës i universitetit, duke theksuar se është e njohur tashmë që vendet e prekura nga kanceri i lëkurës lëshojnë komponente organike fluturuese, kimikate organike që avullojnë lehtësisht.

“Qëllimi i studimit tonë është të identifikojmë këto komponente organike fluturuese, të cilat janë specifike për kancerin e lëkurës, dhe të zhvillojmë një pajisje të shpejtë dhe portative që mund t’i zbulojë ato shpejt”, tha ai.

“Pacientët që dyshojnë se mund të kenë kancer lëkure zakonisht i drejtohen fillimisht mjekut të kujdesit primar. Detyra e tij është të vlerësojë vizualisht nëse është fjala për kancer, përpara se të vendosë nëse do t’i dërgojë pacientin për kontrolle të mëtejshme specialistike”, tha udhëheqësi i studimit, Richard Paul, profesor i kimisë bioanalitike në të njëjtin universitet, duke shtuar se “kanceri i lëkurës shpesh mund të jetë i vështirë për t’u diagnostikuar, prandaj norma e dërgimit të pacientëve për trajtim të specializuar është mjaft e lartë”, shtoi ai.

“Hulumtimi ynë është i orientuar në zhvillimin e një sensori të shpejtë, specifik për detektimin e kancerit të lëkurës, i cili mund të aplikohet menjëherë. Ky sensor do të mundësonte zbulimin e shpejtë të kancerit të lëkurës që në zyrën e mjekut të kujdesit primar, duke lehtësuar dhe përmirësuar triazhën e pacientëve dhe pa dyshim do të përmirësonte rezultatet për pacientët”, deklaroi Paul.

Ky projekt është një vazhdim i një studimi pilot, ku është zhvilluar një pajisje e personalizuar për nxjerrjen e kimikateve organike fluturuese nga pacientët me kancer lëkure, dhe mund të përdoret edhe gjatë kontrolleve të zakonshme, duke mundësuar zbulimin më të hershëm të biomarkerëve të mundshëm, kimikate organike që lirohen në vendin e kancerit të lëkurës.

“Është e rëndësishme të theksohet se studimi ynë mundësoi një qasje joinvazive për mbledhjen e kimikateve organike fluturuese nga pacientët me kancer lëkure”, tha profesori.

“Financimi shtesë që kemi marrë së fundmi do të na mundësojë që ta konfirmojmë këtë qasje të re përmes një studimi të madh klinik trevjeçar me pacientë me kancer lëkure dhe të fillojmë punën për zhvillimin e një teknologjie të re portative që do të mund të zbulojë këtë lloj kanceri lëkure tashmë në nivelin e kujdesit primar. Duke pasur parasysh se për përdorimin e këtij mjeti nuk do të nevojitet trajnimi i veçantë, ai mund të përdoret nga një gamë e gjerë punonjësish shëndetësorë në kujdesin primar, përfshirë infermierët”, theksoi Paul. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat