Dieta të reja, probleme të vjetra! Pasojat e mungesës së jodit në organizëm

Shëndetësia

Dieta të reja, probleme të vjetra! Pasojat e mungesës së jodit në organizëm

Më: 7 dhjetor 2024 Në ora: 09:25
Pa jodin, gjëndra tiroide nuk mund të prodhojë hormone që mundësojnë zhvillimin e duhur të trupit të njeriut dhe trurit

Një mangësi që dëmton trurin e foshnjave po rikthehet. Sidoqoftë, mungesa e jodit është e lehtë për t’u parandaluar

Pa jodin, gjëndra tiroide nuk mund të prodhojë hormone që mundësojnë zhvillimin e duhur të trupit të njeriut dhe trurit. Pasojat e dukshme të mungesës së jodit, si ënjtjet në qafë, janë mjaft të këqija.

Por të padukshmet janë shumë më të këqija. Mungesa e jodit mund të shkaktojë një rënie prej 15 pikësh në nivelin e inteligjencës së njeriut, shkruan The Economist.

Njëherë e një kohë, probleme të tilla ishin të zakonshme. Një shekull më parë, një në tre nxënës shkolle në Miçigan, kishin ënjtje të dukshme të qafës. Në Britani, struma (zmadhimi i gjëndrës tiroide), ishte aq endemike në disa qytete, sa që përdoreshin terma si “qafa Derbyshire”.

Më pas, me kalimin e kohës, disa ushqime filluan të përforcoheshin me jod, duke ulur shumë numrin e të prekurve. Numri i shteteve ku nivelet e jodit janë të pamjaftueshme, ra nga 113 në vitin 1990, në 21 në vitin 2020.

Megjithatë, në shtetet e pasura po vihet re një rënie e nivelit të jodit mes popullatave. Në Amerikë, ku mbahen të dhëna të shumta, përqendrimi mesatar i jodit në urinë, tek të rriturit, ka rënë nga rreth 300 mikrogramë për litër në vitet 1970, në 116 mikrogramë në vitin 2020, duke iu afruar kufirit të pamjaftueshmërisë, që fillon nën sasinë 100 mikrogramë.

Më të rrezikuara janë gratë shtatzëna, të cilat kanë nevojë për më shumë jod për të mbajtur të shëndetshme veten dhe fetusin.

Një arsye për rënien e nivelit të jodit është se dietat po ndryshojnë. Shumë njerëz e marrin jodin e përditshëm nga kripa, e cila në Amerikë dhe disa pjesë të Europës, jodizohet artificialisht që prej një shekulli.

Por jodizimi nuk është i detyrueshëm me ligj dhe nuk bëhet kudo. Edhe pse kripa e tryezës zakonisht pasurohet me jod, kripa në ushqimet e përpunuara nuk jodizohet. Edhe kripat e rralla që përdoren sot, si kripa rozë e Himalajës, janë të mangëta në jod.

Me rritjen e veganizmit dhe ushqimeve miqësore ndaj mjedisit, ka rënë edhe dëshira e popullatave për peshk dhe mish, të cilat janë burime natyrore të jodit.

Për shkak se fermerët e qumështit u japin jod bagëtive për t’i mbajtur të shëndetshme, produktet e qumështit gjithashtu janë të fortifikuara me jod (për shembull, në Britani dhe në Amerikë, një litër qumësht përmban më shumë jod se një lugë çaji kripë e jodizuar).

Llojet e tjera të qumështit të gatshëm që shiten nëpër dyqane dhe që po bëhen gjithnjë e më popullore, nuk kanë jod.

Qeveritë mund të zbatojnë disa masa të thjeshta për ta zgjidhur këtë problem. Së pari, duhen përcaktuar cilat janë produktet ushqimore që konsumohen më shpesh nga pjesa më e varfër e popullsisë, dhe duhet urdhëruar që këto ushqime të jodizohen.

Në krye të listës duhet të jenë alternativat e qumështit dhe kripërat e përdorura nëpër ushqimet e përpunuara. Kripa e jodizuar mund t’i shtohet edhe bukës, siç bëhet në Australi dhe Danimarkë. Kompanitë e mëdha ushqimore mund të shfrytëzojnë mundësinë për të përmirësuar shëndetin e klientëve, përpara se të jenë ligjërisht të detyruara ta bëjnë këtë.

Mund të vihen në dispozicion edhe suplementet e jodit, veçanërisht për gratë shtatzëna. Dy të pestat e vitaminave për gratë shtatzëna në Amerikë, nuk e përfshijnë jodin. Dhe duhet të jenë më të qarta mesazhet e shëndetit publik për vlerën e jodit. Në rajonet ku nivelet e këtij minerali në tokë janë të ulëta, fermerët duhet të nxiten për të shtuar më shumë jod në ushqimin e kafshëve.

Ndërhyrje të tilla do të japin frytet e veta me kalimin e kohës. Midis viteve 1993 dhe 2019, masat për jodizimin e kripës vlerësohet se kanë parandaluar 720 milionë raste të mungesës së jodit në mbarë botën, duke pasur edhe përmirësime në zhvillimin konjitiv dhe fuqinë e fitimit, që çojnë në një përfitim ekonomik neto prej 32 miliardë dollarësh në vit.

Nga masa të tilla do të përfitonin më tepër vendet më të varfra, ku mendohet se jetojnë shumica e 2 miliardë njerëzve që vuajnë nga mungesa e jodit.

Disa janë të shqetësuar se njerëzit mund të ngatërrohen nëse u thuhet që të hanë më pak kripë dhe të konsumojnë mjaftueshëm jod. Kjo është fyese për inteligjencën e publikut. Të tjerë shqetësohen për rreziqet e konsumit të tepërt të jodit.

Por rreziqe të tilla mund të shmangen nëse bëhet një planifikim i kujdesshëm dhe në çdo rast, konsumimi i tepërt i jodit është më pak i rrezikshëm sesa konsumimi i pakët. Për një kohë të gjatë, bota është mbështetur shumë te fati për të pasur një popullatë që konsumon nivele të shëndetshme të këtij minerali që përmirëson jetën.

Fakti që kaq shumë vende ia dolën mbanë pa programe të detyrueshme jodizimi, ishte një fitore e rastësishme e shëndetit publik. Por nuk do të duhej shumë që ky sukses të shndërrohej në një fatkeqësi të rastësishme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat