Si ndikon vallëzimi në shëndet?

Shëndetësia

Si ndikon vallëzimi në shëndet?

Më: 14 dhjetor 2024 Në ora: 15:18
Foto ilustrim

Në një botë ku çdo ditë përballemi me stres, presion social dhe orare të ngarkuara, vallëzimi po shndërrohet në një trend të ri dhe të shëndetshëm. Nuk është vetëm argëtim, është një kombinim perfekt mes ushtrimit fizik, vetë-shprehjes dhe ndërtimit të vetëbesimit. 

Po përse vallëzimi është më shumë se një hobi dhe si mund të bëhet ai pjesë e një stili jetese të shëndetshme?

Në epokën e TikTok-ut, ku sfidat e vallëzimit bëhen virale, vallëzimi nuk ka qenë kurrë më i lehtë për t’u përfshirë në jetën e përditshme. Vallëzimi nuk kërkon pajisje apo një abonim të shtrenjtë në palestër. Ai mund të bëhet kudo dhe kurdo. Përmes lëvizjeve të trupit, njerezit mund të komunikojnë ndjenja dhe histori pa fjalë. Pra, përmes vallëzimit ata shprehin vetveten.

Gjithashtu, vallëzimi me miqtë, në grup, apo në sfidat online forcon lidhjet sociale dhe rrit ndjesinë e përkatësisë. Por vallëzimi është edhe një Ushtrim Fizik. Njerëzit dhe të rinjtë në veçanti shpesh ndihen të lodhur nga ushtrimet tradicionale, por vallëzimi është ndryshe. Ai është argëtues dhe efektiv: P.sh, vallëzimet energjike si hip-hop, breakdance apo dancehall janë perfekte për të rritur fuqinë fizike dhe elasticitetin. Lëvizjet ritmike djegin kalori pa u ndjerë. Në një orë, mund të djegësh deri në 400 kalori dhe vallëzimi nuk ka stresin e ushtrimeve monotone. Vallëzimi rrit qarkullimin e gjakut dhe përmirëson frymëmarrjen, duke ju bërë të ndiheni më energjikë.

Sipas një studimi të publikuar nga Shoqata Amerikane e Psikologjisë, vallëzimi përmirëson humorin dhe zvogëlon stresin, gjë që është thelbësore për njerëzit dhe sidomos për të rinjtë që përballen me sfida të përditshme si studimet, puna apo jetesa sociale. Në vetvete vallëzimi është një shkarkues i stresit: Lëvizjet ritmike çlirojnë endorfinen, duke ulur ndjenjën e stresit dhe duke rritur lumturinë. Gjithashtu vallëzimi të jep një rritje të vetëbesimit: Mësimi i një koreografie të re ose performimi para të tjerëve ndihmon në zhvillimin e besimit te vetja. Kur kërcen ke gjithmonë një mendje të freskët.Vallëzimi stimulon kujtesën dhe kreativitetin. Lëvizjet që kërkojnë koordinim aktivizojnë trurin dhe përmirësojnë përqendrimin.

Platforma si TikTok dhe Instagram kanë revolucionarizuar mënyrën se si të rinjtë i qasen vallëzimit. Vallëzimi është bërë një mjet për të shprehur kreativitet dhe për të ndarë momente të gëzueshme me botën. Sfida si “Renegade” apo “Wednesday Dance” kanë frymëzuar miliona të rinj që të mësojnë koreografi të reja.

Disa fakte interesante për vallëzimin 

Vallëzimi ul nivelet e kortizolit (hormonit të stresit) dhe rrit serotoninën, duke ndikuar drejtpërdrejt në humorin e mirë.

Vallëzimi në grupe krijon një ndjenjë komuniteti dhe zvogëlon ndjenjën e izolimit.

Të krijosh lëvizje të reja ose të improvizosh është një mënyrë për të stimuluar anën krijuese të trurit.

Dhe si përfundim: Le të vallëzojmë drejt shëndetit! Vallëzo kurdo dhe kudo! Në dhomën tënde, me miqtë, ose në një festë – bëje vallëzimin pjesë të jetës tënde! ëallëzimi është një mënyrë e shkëlqyer për të qëndruar aktiv, për të përmirësuar mirëqenien mendore dhe për të ndërtuar marrëdhënie të forta sociale. Nuk ka rëndësi nëse je profesionist apo thjesht kërcen për argëtim – rëndësi ka të ndihesh mirë dhe të shijosh momentin. Pra, ndiz muzikën dhe lëre trupin të flasë me ritmin!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat