Shkencëtarët zbulojnë se si u krijua rrethi qiellor 3600-vjeçar nga Nebra

Shkencë & Teknologji

Shkencëtarët zbulojnë se si u krijua rrethi qiellor 3600-vjeçar nga Nebra

Më: 30 nëntor 2024 Në ora: 08:28
Rrethi qiellor nga Nebra

Shkencëtaret për herë të parë kanë kryer një analizë gjithëpërfshirëse të procesit të prodhimit të diskut qiellor nga Nebra, një artefakt nga epoka e bronzit, mbi 3600 vjet i vjetër.

Rrethi i bronzit, i zbuluar në vitin 1999 pranë qytetit gjerman Nebra, në rajonin lindor të Saksoni-Anhaltit, konsiderohet si paraqitja më e vjetër e njohur e qiellit në botë.

Studimi u përqendrua në procesin e detajuar të farkëtimit të bazës prej bronzi të diskut. U zbulua se metali ishte ngrohur në rreth 700 gradë Celsius dhe kishte kaluar nëpër dhjetë cikle ngrohjeje dhe farkëtimi, një proces trajtimi termik që e bën materialin më pak të fortë dhe më të lehtë për t’u përpunuar.

Arkeologu Harald Meller tha se hulumtimi ishte përqendruar në procesin e prodhimit të bazës së bronzit të diskut dhe jo te elementët prej ari të bashkangjitur në të.

Teknikat moderne të analizës, duke përfshirë ekzaminimin e mikrostrukturës dhe skanimin, konfirmuan mjeshtërinë e lashtë të krijimit të tij. Një mostër e marrë në vitin 2002 dhe e analizuar përsëri gjatë studimit ofroi të dhëna shtesë mbi ndërtimin e diskut, së bashku me matjet e fortësisë.

Rrethi qiellor nga Nebra, me paraqitjet e tij të arta të Diellit, Hënës dhe yjeve, u përdor nga shoqëritë e epokës së bronzit për 400 vjet. Në vitin 2013, disku u shtua në regjistrin e kujtesës botërore të UNESCO-s, i cili mbledh objekte me rëndësi për njerëzimin dhe konsiderohet një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike gjermane.

Kërkimi u realizua në bashkëpunim me Zyrën Shtetërore për Administrimin e Trashëgimisë dhe Arkeologjisë të Saksoni-Anhaltit, Universitetin Otto von Guericke në Magdeburg dhe kompaninë DeltaSigma Analytics. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat