Shumica e sipërfaqes së tokës në botë po thahet dhe aftësia e bimëve dhe kafshëve për të mbijetuar po shkatërrohet, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara të publikuar të hënën. Raporti u publikua gjatë një takimi të nivelit të lartë të OKB-së që po mbahet në Riad të Arabisë Saudite. Takimi po shqyrton rritjen e temperaturave nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu, shpyllëzimi dhe mungesa e ujit që po kthen tokat dikur pjellore në shkretëtirë.
Gjatë takimit në Riad, që filloi javën e kaluar dhe do të përfundojë të premten, vendet po diskutojnë se si mund ta ndihmojnë botën të përballet me thatësirën dhe problemin e degradimit të tokës.
Një raport i Kombeve të Bashkuara ngre këmbanat e alarmit mbi shkatërrimin e tokës pjellore në të gjithë globin.
Raporti zbuloi se mbi tre të katërtat e sipërfaqes së tokës përjetoi një thatësirë më të lartë nga viti 1970 deri në vitin 2020 sesa periudha e mëparshme tridhjetëvjeçare.
Sergio Vicente-Serrano është një nga autorët kryesorë të raportit.
“Rreth 2.2 miliardë njerëz jetojnë në tokë të thatë. Duke pasur parasysh evolucionin e parashikuar të popullsisë dhe të thatësirës, parashikohet që numri i njerëzve që do të preken nga thatësia do të shkojë në mbi 4 miliardë”, thotë Sergio Vicente , një nga bashkëautorët e raportit Serrano.
Rritja e numrit të njerëzve që do të preken nga thatësia do të vazhdojë, nëse vazhdojnë prirjet e ngrohjes globale. Kjo përfshin pjesën më të madhe të Evropës, një pjesë në perëndim të Shteteve të Bashkuara, pjesë të Brazilit, Azisë Lindore dhe Afrikës Qendrore.
Sipas zotit Vicente-Serrano atmosfera nxehet për shkak të djegies së qymyrit, naftës dhe gazit që lëshojnë gaze që ngrohin planetin dhe kjo rrit avullimin nga toka. Kjo ul sasinë e ujit për njerëzit, bimët dhe kafshët, duke e bërë më të vështirë mbijetesën.
“Nga vëzhgimet, ne mund të shohim se ngrohja globale ka qenë faktori kryesor që shpjegon prirjet e thatësisë në dekadat e fundit. Reshjet nuk po ndryshojnë shumë në shkallë globale. Por rritja e madhe e temperaturës ka shkaktuar rritje të madhe të avullimit atmosferik”, thotë zoti Vicente Serrano, një nga autorët e raportit.
Bujqësia është veçanërisht në rrezik, për shkak të një toke më të thatë që është më pak produktive dhe dëmton si rendimentet ashtu edhe sasinë e ushqimit për bagëtinë, thuhet në raport. Kjo mund të çojë në pasiguri ushqimore për komunitetet në mbarë botën.
Thatësia e skajshme gjithashtu shkakton më shumë migrim, sepse reshjet e çrregullta, toka e degraduar dhe mungesa e shpeshtë e ujit e bëjnë më të vështirë për rajonet ose vendet të përmirësojnë ekonominë, thuhet në raport./VOA