Të dhënat që janë mbledhur për dy vite nga teleskopi hapësinor James Webb i NASA-s kanë konfirmuar zbulimet e mëparshme të teleskopit Hubble, sipas të cilave universi po zgjerohet rreth tetë për qind më shpejt se ç’pritej bazuar në njohuritë e astrofizikanëve mbi kushtet fillestare të universit dhe evolucionin e tij për miliarda vite.
Ky konfirmim i ri i një vëzhgimi të habitshëm ka shtyrë shkencëtarët të mendojnë për një shkak – ndoshta një faktor të panjohur që përfshin komponentë misteriozë të energjisë dhe materies së errët.
Vëzhgimet e Webbit, teleskopit hapësinor më të fuqishëm deri më tani, duket se përjashtojnë idenë se të dhënat nga paraardhësi i tij, Hubble mund të kenë qenë të pasakta për shkak të ndonjë defekti në instrumentet e tij.
“Kjo është mostra më e madhe e të dhënave të teleskopit Webb gjatë dy viteve të tij të para në hapësirë dhe konfirmon zbulimin enigmatik të Hubblet, me të cilin po përballemi prej dhjetë vitesh – që universi po zgjerohet më shpejt se sa teoritë tona më të mira mund të shpjegojnë”, tha astrofizikani Adam Riess nga Universiteti Johns Hopkins në Maryland, autori kryesor i studimit të botuar të hënën në revistën shkencore Astrophysical Journal.
“Po, duket se diçka mungon në të kuptuarit tonë të universit”, shtoi Riess, fitues i Çmimit Nobel për Fizikë në vitin 2011 për bashkë-zbulimin e zgjerimit të përshpejtuar të universit.
“Të kuptuarit tonë të universit i mungojnë njohuritë për dy elementë – materien e errët dhe energjinë e errët – të cilët përbëjnë 96 për qind të universit. Kështu që kjo nuk është një gjë e vogël”, tha ai.
“Rezultatet e Webbit mund të interpretohen se mund të jetë e nevojshme një rishikim i modelit tonë të universit, megjithëse në këtë pikë është shumë e vështirë të përcaktohet saktësisht se çfarë është ajo”, tha Siyang Li, doktorant i astronomisë dhe astrofizikës në Universitetin Johns Hopkins dhe bashkautor i studimit.
Materia e errët, që mendohet të përbëjë rreth 27 për qind të universit, është një formë hipotetike e materies që është e padukshme, por që supozohet se ekziston bazuar në efektet gravitacionale që ka mbi materien e zakonshme – yjet, planetët, hënat dhe të gjitha gjërat në Tokë, që përbëjnë rreth pesë për qind të universit.
Energjia e errët, që besohet të përbëjë afërsisht 69 për qind të universit, është një formë hipotetike e energjisë që përshkon hapësirën e gjerë, kundërshton gravitetin dhe nxit zgjerimin e përshpejtuar të universit.
“Ekzistojnë shumë hipoteza që përfshijnë materien e errët, energjinë e errët, rrezatimin e errët – për shembull, neutrinot (një lloj grimcash elementare me masë shumë të vogël) – ose vetë gravitetin që mund të ketë disa veti ekzotike. Të gjitha këto shfaqen si shpjegime të mundshme”, tha Riess.
Studiuesit përdorën tri metoda të ndryshme për të matur një metrikë specifike – distancën nga Toka deri te galaktikat ku janë dokumentuar yje të veçanta pulsues të quajtur Cefeide. Matjet e Webbit dhe Hubble-it përputheshin.
Shpërthimi i Madh (Big Bang) që ndodhi para 13 deri 14 miliardë vitesh e nisi universin që atëherë është zgjeruar. Shkencëtarët në vitin 1998 zbuluan se ky zgjerim në fakt po përshpejtohet dhe supozojnë se arsyeja mund të jetë energjia e errët.
Në kuadër të studimit të ri, shkencëtarët analizuan të dhënat e Webbit që mbulojnë rreth një të tretën e listës së plotë të galaktikave përkatëse të Hubble-it. Në vitin 2023, ata publikuan se të dhënat e përkohshme të Webbit konfirmuan zbulimet e Hubbleit.