Në mjediset e Universitetit të Shkodrës u mbajtën sot nderime për profesor Sami Repishtin, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku emigroi në vitin 1962 pasi i mbijetoi burgjeve të regjimit komunist në Shqipëri. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, gjatë ceremonive të nderimit u vlerësua kontributi i profesor Repishtit në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, lirisë dhe demokracisë.
Qytetarë, studiues dhe autoritete vendore morën pjesë sot në nderimet që ju bënë profesor Sami Repishtit në mjediset e Universitetit të Shkodrës. Duke hapur ceremoninë, rektori i Universitetit, profesor Tonin Gjuraj, tha se në kohën e sotme, kur shqetësimet për Botën dhe Shqipërinë janë të shumta, largimi nga kjo jetë i një mendimtari të madh si profesor Sami Repishti shënon një humbje të madhe. Jeta dhe vepra e tij, shtoi ai, janë një pasuri e madhe për brezat e sotëm dhe ata që do vijnë.
Si profesor në universitetet amerikane dhe aktivist për të drejtat e shqiptarëve ai punoi pa pushim për t’i dhënë zë çështjes shqiptare. Themelimi i Këshillit shqiptaro-amerikan dhe dëshmia e tij para Kongresit tregojnë përkushtimin e tij për të mbrojtur dinjitetin dhe drejtësinë. Përmes veprave të tij si “Pika Loti” dhe “Nën hijen e Rozafës” profesor Repishti na la dëshmi të fuqishme për vuajtjet dhe qëndresën njerëzore duke ruajtur një dritë shprese në errësirën e padrejtësive”
Ndërsa ish drejtori i bibliotekës publike “Marin Barleti”, Maxhid Cungu, tha se me veprën e tij, Sami Repishti mbajti gjallë frymën e lirisë dhe të dinjitetit njerëzor.
“Sami Repishti ishte një emër që do të mbetet gjithnjë i paharruar, një shembull i guximit dhe vendosmërisë përballë dhunës dhe padrejtësisë. Ai i ka dhënë kombit shqiptar një pasuri të paçmuar me veprat e tij duke mbajtur gjallë frymën e lirisë dhe të dinjitetit”.
I pranishëm në nderimet e sotme ishte edhe neurokirurgu i njohur, doktor Mentor Petrela, i afërm i profesor Repishtit.
“Kontribut më të madh, se ç’ka dhënë për demokracinë në Shqipëri dhe për lirinë në Kosovë, mos ta harrojmë kurrë këtë, nuk e ka shqiptar tjetër në këtë shekull”.
Nderimet e sotme për Sami Repishtin u organizuan nga Universiteti i Shkodrës dhe familjarë të profesor Repishtit. Mbesa e tij, Ardita Repishti, tha se axha i saj ishte dëshmues i egërsisë dhe errësirës së dy regjimeve totalitare, e megjithatë ai prap përcillte dritë, urtësi dhe tolerancë.
“Si opozitar i përhershëm konstruktiv, i mbijetuari i burgjeve dhe kampeve me punë të detyruar, i kampit të Maliqit, Bedenit, Aeroportit të Rinasit, etj. kundërshtonte diskriminimin dhe hakmarrjen. Standarti që vuri axha është shumë i lartë. Ai thoshte: Nuk mund të jem si ata që më torturuan, përndryshe nuk kam asnjë dallim. Kësisoj ata kanë fitu ndaj meje. Ata më burgosën trupin, por mendja ishte gjithnjë e lirë. Kështu fitova”.
Me veprën dhe personalitetin e tij, profesor Sami Repishti u bë një zë i besueshëm për shqiptarët në mbarë botën. Gjatë gjithë jetës së tij ai shfaqi angazhim të palëkundur për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut dhe qeverisjen demokratike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Çamëri dhe Mal të Zi.
Profesor Sami Repishti ndërroi jetë në moshën 99 vjeçare, më 27 nëntor, në SHBA ku emigroi në vitin 1962 pasi i mbijetoi burgjeve të regjimit komunist në Shqipëri./VOA