Mbi 1 milionë e 120 mijë qytetarë janë vaksinuar me të paktën një dozë vaksine anti-Covid.
Shifra u bë me dije nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, që njoftoi se vetëm ditën e sotme janë kryer 13 mijë vaksinime. Ministrja njoftoi se qendrat e vaksinimit do të vijojnë punën edhe në fundjavë.
“Më shumë se 13 mijë qytetarë u vaksinuan sot, ndërsa janë 1,123,253 vaksinime të kryera që prej fillimit të këtij procesi jetik. Nëse jeni mbi 18 vjeç, shfrytëzoni fundjavën për t’u vaksinuar nga mëngjesi deri në 8 të mbrëmjes, në qendrat shëndetësore ose në qendrat e vaksinimit të përqëndruar kudo në vend”, shkruan Manastirliu në Facebook.
Katër lloje vaksinash janë përdorur në Shqipëri që prej nisjes së fushatës së vaksinimit. Pjesa më e madhe është Sinovac, me mbi 900 mijë, ndjekur nga AstraZeneca, Pfizer dhe më pas rusja Sputnik.