Kreu i SPAK Altin Dumani tregoi sot se kufizimi i lirisë së tij individuale dhe familjare, por edhe i kolegëve të tij prokurorë për shkak të detyrës, ishte një nga ‘pengjet’ e tij.
I ftuar në një program televiziv Dumani tha se kjo është diçka që e mundon, por pavarësisht vështirësive, ai e konsideron këtë si një punë që ka zgjedhur ta bëjë dhe do ta vazhdojë me përkushtim deri ditën e fundit që do të jetë në krye të institucionit.
“Kur shkoj nga shtëpia për në punë, nga dritarja e automjetit shikoj njerëzit që lëvizin lirshëm.
Dikush vrapon për të shkuar në punë, dikush për të çuar fëmijën në shkollë… Dhe më vjen pyetja: A do vijë ajo kohë kur unë, familja ime, kolegët e mi, të lëvizim pikërisht me këtë liri”, tha Dumani.