Reshjet e dendura të shiut kanë dhënë efekt pozitiv në situatën energjitike në vend. Intesiteti i reshjeve gjatë ditëve të fundit ka bërë që prurjet në kaskadë të shtohen ndjeshëm duke arritur në 300 m3 në second nga 40 deri në 50m3 në sekondë që ishin para disa javëve.
Aktualisht rezulton se niveli në kaskadë është 262.35 metra. Përmirësimi i situatës hidrike nënkupton rritjen e prodhimit të energjisë elektrike në vendin tonë. Hidrocentrali i Fierzës, aktualisht nuk ka në punë asnjë turbine, nga katër gjithsej, për prodhimin e energjisë elektrike një masë kjo për të përmirësuar rezervën energjitike.
Për të plotësuar nevojat e konsumit energjia elektrike po sigurohet nga hidrocentralet e tjera dhe importi i saj. Prej disa muajsh Korporata elektroenergjitike Shqiptare ka importuar energji elektrike për të plotësuar nevojat e vendit për shkak të mungesës së reshjeve.
Vetëm për muajin nëntor rezulton se janë importuar mbi 16 milion euro energji elektrike për të plotësuar nevojat e vendit. Ndërkohë që vetëm për javën e fundit dhe konkretisht për datat 18-24 nëntor Kesh ka realizuar një procedurë për blerjen e energjisë elektrike në vlerën e 4.5 milionë eurove.
Në total janë blerë rreth 29 mijë megavatorë energji elektrike për të plotësuar nevojat e vendit.
Mungesa e reshjeve të shiut ka ndikuar në prodhimin e energjisë gjatë këtij viti por treguesit e sektorit energjitik në vend janë më optimist pasi ka ulje te humbjeve në rrjet e rritje të arkëtimeve. Prej disa muajve në vend ka pasur shumë pak reshje duke ndikuar në nivelin e ujit në kaskadën e Drinit.