Procedurat e votës së diasporës, si do bëhet regjistrimi dhe afatet e kthimit

Shqipëria

Procedurat e votës së diasporës, si do bëhet regjistrimi dhe afatet e kthimit

Më: 23 nëntor 2024 Në ora: 15:07
Foto ilustrim

Vota e Diasporës është në hallkat e fundit proceduriale të përgatitjes së infrastrukturës që shqiptarët të cilët jetojnë e punojnë jashtë vendit të mund të votojnë edhe pa ardhur në Shqipëri. Në pritje të datës së zgjedhjeve që do të përcaktohet nga Presidenti Begaj, emigrantët do të kenë kohë për t’u regjistruar në një afat nga 120 deri në 68 ditë para datës së votimeve.

Regjistrimi do të bëhet në Platformën Elektronike për Regjistrimin e emigrantëve, në të cilën votuesit nga jashtë do të duhet të paraqesin një dokument të vlefshëm të vendit ku jetojnë ose një vërtetim të adresës së banimit, ku do t’ju dërgohet zarfi me votën nga KQZ.

Pasi është mbyllur faza e regjistrimit të tyre në këtë platformë, lista do të merret nga KQZ, e cila pasi bën një verifikim, çrregjistron të gjithë emigrantët e regjistruar jashtë nga lista e votuesve brenda vendit.

Për datën e dërgimit të votës nuk ka ende një afat, pasi ajo do të ndërvaret nga koha e printimit të fletës për çdo qark, por kthimi i zarfit me votën nga emigranti do duhet të mbërrijë në KQZ, jo më vonë se dita e votimit.

Deri në këto momente, të gjitha hapat e hedhura nga Komisioni Rregullator në KQZ, po e çojnë drejt finalizimit këtë proces. I vetmi shqetësim deri tani ka të bëjë me afatet e ngushta kohore, të cilat më pas mund të rrisin edhe koston e votës së diasporës për shkak se mund të nevojitet përdorimi i postave ekspres që mundësojnë dërgimin dhe kthimin e zarfit me fletën e votimit në një kohë më të shpejtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat