Ndihma dhe solidariteti i shqiptarëve nuk kanë munguar për të miturin Luis Meçja, i cili kërkoi ndihmë për mbledhjen e fondeve për kurimin e tij pas ngjarjejes tragjike që tronditi vendin. Brenda pak orësh, në platformën GoFundMe u grumbulluan plot 75 mijë euro, afër qëllimit prej 80 mijë eurosh që kishte fushata.
Luisi, i cili mbeti i plagosur pasi u godit me thikë të paktën katër herë nga autori i dyshuar i vrasjes së shokut të tij, Martin Cani, apeloi për ndihmë duke treguar vështirësitë ekonomike të familjes së tij. Ky apel prekës mobilizoi menjëherë mijëra njerëz që kontribuan në fushatën e tij.
Në vijim, Spitali i Traumës reagoi me një deklaratë, duke theksuar se Luisi nuk ka nevojë të transferohet jashtë vendit për trajtim, pasi gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar dhe ai po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor në Shqipëri.
Ngjarja e rëndë, që çoi në vrasjen e Martin Çanit dhe plagosjen e Luisit, ka shkaktuar tronditje të thellë dhe ka prekur mbarë opinionin publik, duke sjellë edhe një valë të jashtëzakonshme mbështetjeje për të plagosurin dhe familjen e tij.