​Shqipëri: Identifikohen raste të reja të murtajës afrikane te derrat

Shqipëria

​Shqipëri: Identifikohen raste të reja të murtajës afrikane te derrat

Më: 29 nëntor 2024 Në ora: 19:54
Ilustrim

Pas rasteve të Hasit dhe Kukësit, në Lezhë është regjistruar rasti i tretë brenda këtij viti me murtajën afrikane të derrave.

Në Malin e Rrencit në Shëngjin të Lezhës deri më tani janë gjetur 10 derra të ngordhur, pesë brenda një ferme dhe pesë të tjerë në masivin pyjor të zonës.

Sipas analizave të kryera nga Shërbimi i Veterinarisë në Lezhë rezulton se derrat kanë ngordhur nga murtaja afrikane.

Eksperti Ervin Resuli tregon për EuronewsAlbania se murtaja afrikane e derrit është shumë e rrezikshme për kafshët në aspektin e mbijetesës, ndërsa nuk ka rrezik evident që të transmetohet nga derrat te njeriu.

“Ky është rasti i tretë në të cilin ne na shfaqet murtaja afrikane e derrave. Pas rasteve të Hasit dhe Kukësit, në Lezhë është rasti i tretë brenda këtij viti. Kjo sëmundje ka shfaqur shenjat e saj dhe përbën një rrezik potencial për koloninë e derrave të egër apo të butë në zonën e Lezhës apo të veriut në tërësi, e cila ka një popullim ndryshe nga pjesa tjetër e Shqipërisë me fermat të mbarështimit të derrave”, ka thënë ai.

“Kur flasim për “Madin” flasim për një sëmundje që faktori kryesor që na jep është dëmi ekonomik, pra ka veti shumë të lartë të ngordhjes dhe i jep një dëm të madh ekonomik blegtorëve, të cilët mbarështojnë derrat dhe ky është rreziku më i madh potencial në të cilin na vë përballë kjo sëmundje. Për sa i përket popullatës nuk kemi rrezik”.

“Duhet të informohen gjerësisht të gjithë fermerët për shenjat klinike të kësaj sëmundjeje dhe në rastin e parë që ata konstatojnë se derrat e tyre nuk janë në gjendje normale duhet menjëherë të lajmërojnë veterinerin shtetëror”, këshillon eksperti Resuli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat