Zbulime të pikturave murale në objektet e kultit në Shqipëri

Shqipëria

Zbulime të pikturave murale në objektet e kultit në Shqipëri

Më: 30 nëntor 2024 Në ora: 18:36
Zbulime të pikturave murale në objektet e kultit në Shqipëri

Piktura të reja murale kanë dalë në dritë në disa objekte kulti në Shqipëri gjatë punimeve konservuese në monumente. Specialistët e restaurimeve thonë se zbulimet kanë rëndësi për periudha të ndryshme historike, por edhe për të nxitur turizmin kulturor. Shumë objekte kulti në Shqipëri ruajnë ende gjurmët e mëdha të dëmtimeve gjatë regjimit komunist dhe kanë nevoja për ndërhyrje për të shpëtuar nga shkatërrimi.

Në “Kishën e Shna Ndout” në Kepin e Rodonit restaurimi i disa pikturave murale solli kohët e fundit të dhëna të reja. Portrete dhe figura shenjtorësh kanë dalë në dritë pas heqjes së llaçit dhe gëlqeres gjatë konservimit të veprave të artit.

Këto konservime pasuan restaurimin që iu bë kishës pas dëmtimeve të tërmetit të vitit 2019.

“Fragmenti i zbuluar në apsidën e Kishës paraqet një skenë ku shfaqet froni i Krishtit dhe figura e Johan Pagëzorit”, thotë specialisti i Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Gentian Vokopola .

“Në kishën e Kepit të Rodonit jnë zbuluar disa fragmente të pikturës murale, portrete, pjesë nga “Skena Deissis” në apsidë, por edhe fragmente të tjera me motive bimore dhe me simbolikë tjetër si mund të përmendim “Nyjen e Solomonit” që është evidentuar, apo disa pikturime të kryqeve ortodokse”, tregon ai.

Në këtë kishë është zbuluar disa vite më parë edhe një pikturë murale që paraqet shqiponjën me dy kokë, e cila është edhe simboli i flamurit të Skënderbeut. Zoti Vokopola thotë se këtë vit është evidentuar më qartë e gjithë kjo hapësirë e pikturës muarale.

“Shqiponja, e cila ka origjinën e saj nga bizanti, është përdorur pastaj edhe në flamurin e Kastriotëve nga Skënderbeu. Piktura është e natyrës heraldike, është emblema e tyre, e pikturuar në faqet e apsidës. Gjatë shekullit të XV kisha është rindërtuar nga Skënderbeu dhe natyrisht është ridekoruar. Punimet në këtë pjesë konsistuan në vijimin e pastrimit me evdientimin këtyre figurave:është një shqiponjë, shqiponja e Kastriotëve, një figurë kalorësi dhe një grup shpendësh shtegëtarë krilla apo çafka”, tregon ai.

“Krahas kishës së Kepit të Rodonit ndërhyrjet restauruese u kryen kohët e fundit edhe në Manastirin e Mesopotamit, në jug të Shqipërisë, dhe në kishën e Manastirit të Rubikut, në veri të vendit, të cilat sollën fragmente të reja murale”, thotë zoti Vokopola.

Ndërhyrjet në këto piktura murale janë të rëndësishme, thotë më tej specialisti i Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore edhe për të nxitur turizmin .

“Në Kishën e Shëlbuemit” në Rubik janë zbuluar dy fragmente murale në disa metër katrorë, në bërthamën e vjetër të kishës në faqen jugore dhe veriore ku kemi dekoracione murale në forma gjeometrike dhe floreale”, tregon ai.

Ndërkohë, Kisha e Kepit të Rodonit është një nga më të veçantat në Shqipëri, që i përket shekullit të XIII-XIV, dhe mbetet nga më të vizituarat si nga turistë vendas dhe të huaj.

Shumë objekte kulti u shkatërruan dhe të tjera u dëmtuan rëndë gjatë regjimit komunist në Shqipëri.

Genti Vokopola, prej 27 vitesh kryen herë pas here ndërhyrje restauruese në veprat e artit në këto objekte. Ai përmend disa prej rasteve ku janë evidentuar piktura të reja murale.

“Rastet e pikturave të reja murale të mbuluara nga gëlqerja dhe llaçi në periudhat e mëparshme janë të shumta. Në Kishën e “Shën Apostujve” në Hoshtevë në Gjirokastër, ku kanë dalë skena nga Apokalipsi në pjesën e narteksit, në Kishëne Shën Mërisë në Labovë të Kryqit në Gjirokastër ku kanë dalë figura murale, në Kishën e Shën Kollit në Mesopotam muajt e fundit janë zbuluar disa figura murale, në Xhaminë e Qafës së Pazarit në Gjirokastër janë zbuluar shumë piktura murale, apo në banesën “Belaj” në Gjirokastër dhe në vetë Pazarin e Gjirokastrës”.

Zoti Vokopola thotë se ndërhyrjet në pikturat murale të objekteve të kultit duhet të vijojnë në Shqipëri. Vitin e ardhshëm parashikohen, sipas tij, programe të reja.

“Janë parashikuar ndërhyrje me fonde të Ambasadës Amerikane në “Teqen e Dollmës” në Kalanë e Krujës apo dhe nga buxheti i shtetit në “Kishën e Shën Sotirit” (Kërçisht) të Peshkopisë.

Ndërhyrjet në “Kishën e Shna Ndout “ në Kepin Rodonit dhe në “Kishën e Manastirit të Rubikut” u mbështetën financiarisht nga Bashkimi Europian përmes Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Projekteve, UNOPS.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat