Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ka bërë një reagim në lidhje me djegien e flamurit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Në postimin e tij në Facebook, ai shkruan se po e ndjekin nga afër situatën dhe se po veprojnë në përputhje me praktikën diplomatike.
“Po ndjekim me vëmendje situatën, jemi në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse, gjithë faktorin politik shqiptar dhe partnerët tanë. Ju siguroj që po veprojmë në përputhje me praktikën diplomatike.
Diplomacia nuk është një reality show; marrëdhëniet mes shteteve nuk ndërtohen mbi emocionet e individëve, çështjet shkojnë përtej asaj që duket. Qetësia dhe maturiteti mbeten udhërrëfyesit tanë”, ka shkruar Meidani.