Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se gjatë natës kanë vazhduar reshjet e shiut duke sjellë rënie gurësh e materialesh në rrugë.
Situata ishte më problematike në aksin rrugor Skurraj-Burrel, por punëtorët e mirëmbajtjes pastruan trupin e rrugës dhe aktualisht rruga kalohet pa vështirësi.
Ndërkohë reshjet e borës kanë vijuar në zonën veriore dhe atë juglindore.
Në rajonin verior në akset Bajram Curri-Valbonë, Ura e Zapodit-Shishtavec, Peshkopi-Kuben-Vasije, në Bulqizë-Peshkopi, Kukës-Bushtricë, Kukes-Krumë, Hani i Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh, Bogë-Theth, gjatë natës ka pasur reshje dëbore me intensitet të lartë.
ARRSH bën të ditur se mjetet borëpastruese kanë vijuar punën për pastrimin e rrugëve për të siguruar që qarkullimi të kryhet pa probleme.
Në rajonin jugor në akset Korçë-Ersekë, kryesisht në Qafën e Qarrit, Bobshticë-Dardhë, Qafë Thanë kanë vazhduar reshjet e dëborës me intesitet mesatar, rrugët janë të pastruara dhe qarkullimi kryhet pa probleme.
ARRSH apelon drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit, për shkak të lagështisë në rrugë, ashtu sikurse kërkon nda drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në zonat malore me prezencë dëbore.