Mes të dhënave demografike shqetësuese të Censit 2023 për popullsinë shqiptare, ka dy syresh që veçohen për shkak të përmirësimit të vazhdueshëm. Po flasim për trendin në ulje të vdekshmërisë amtare dhe foshnjore. Kjo ishte edhe tema e emisionit të pestë të ciklit “Shpopullimi”, i realizuar me mbështetjen e UNFPA Shqipëri.
Në çdo 1.000 lindje, 6.1 bebe shqiptare humbin jetën, dhe kjo është një shifër shumë e ulët dhe e krahasueshme me vendet shumë më të zhvilluara se Shqipëria. Ndërsa shifrat për vdekshmërinë amtare janë ulur ndjeshëm, madje në disa maternitete të vendit janë zero. Një i tillë është edhe materniteti “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë. Drejtuesja e tij, Eliona Demaliaj, u shpreh: “Vetë problematikat që ka shtatzënia janë të lidhura edhe me patologji të mëdha, të cilat ndonjëherë çojnë në humbjen e jetës së nënës, por rezultatet i kemi të mrekullueshme falë përvojës dhe angazhimit e profesionalizmit të mjekëve, e po kështu falë zbatimit të protokolleve klinike etj. Ulja e vdekshmërisë foshnjore dhe e të porsalindurit nuk është e lehtë, nuk bëhet me një ditë; duhet më shumë punë dhe shumë sakrifica, e gjithashtu duhet të kemi pajisje mjekësore bashkëkohore e mbi të gjitha përvojën e personelit shëndetësor.”
Në studion e emisionit “Shpopullimi”, ekspertët vunë theksin në rëndësinë e informimit dhe ndërgjegjësimit të nënave të reja, si mënyra më efikase për të ulur sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë. Edhe në këtë fushë, vlen parimi “më mirë parandalojmë se sa kurojmë.” Mjeku neonatolog Edi Tushe theksoi se vëmendja duhet të fokusohet te momentet e para kur foshnjet vijnë në jetë, pasi ato janë përcaktuese jo vetëm për jetën e tyre, por edhe për dëmtime që mund të ndikojnë mirëqënien shëndetësore në të ardhmen.
Dr. Edi Tushe thekson se “Problematika kryesore e vdekshmërisë foshnjore është vdekshmëria e të porsalindurit. Rreth 70% e vdekjeve ndodhin te të porsalindurit. Kjo tregon që jeta e fëmijës në momentet e para pas lindjes është tepër e rrezikuar. Arsyet që e përcaktojnë atë nuk janë vetëm shkaqet socio-ekonomike, por edhe shkaqet biologjike, raporti i të cilave është 1 me 1. Disa nga shkaqet mund të shmangen; e vecanërisht ato që kanë të bëjnë me infeksionet, me kequshqyerjen, me përdorimin e qumështit artificial në krahasim me qumështin e nënës, etj.”
Nëse shohim të dhënat e publikuara nga INSTAT, në 2023 janë regjistruar 144 vdekje foshnjore; 52,1% janë vdekjet neonatale të hershme 0-6 ditë pas lindjes, 18,0% vdekjet neonatale të vonshme 7-27 ditë pas lindjes dhe 29,9% janë vdekjet postneonatale 28-365 ditë pas lindjes, pra deri në një vit pas lindjes.
Por cilat janë disa masa që duhen marrë në këtë drejtim? Dorina Toçaj, Analiste Programi në zyrën e UNFPA Shqipëri, renditi disa prej tyre:
“Një nga rezultatet kryesore që ne duam të arrijmë si UNFPA në nivel global është zero vdekje amtare të cilat mund të jenë të parandalueshme. Është tepër e rëndësishme që të sigurohet akses i barabartë ndaj shërbimeve shëndetësore për të gjitha gratë dhe vajzat, pra të adresojmë edhe ato nevoja të grupeve të margjinalizuara. Cilësia e shërbimeve shëndetësore, pra fuqizimi i aftësive dhe njohurive të personelit shëndetësor në çdo nivel shërbimi duhet të prioritizohen. Rëndësi të vecantë merr kujdesi shëndetësor parësor krahas kujdesit spitalor për të fuqizuar edhe në këtë nivel shërbimi aftësitë e personelit për një kujdes sa më të mirë për gratë shtatzëna. Po kështu duhet vazhduar puna për të përmirësuar nivelin e njohurive dhe aftësive të personelit shëndetësor në maternitetet e vendit përsa i përket diagnozave kryesore me rrezik të lartë për shëndetin e nënës dhe të foshnjes si Hemorragjia pas lindjes, Eklampsia, Pre-Eklampsia, e të tjera. Po kështu, hartimi dhe unifikimi i udhëzuesve e protokolleve klinike duhet prioritizuar, krahas audtit klinik / supervizimit mbështetës për të dhënë mbështetjen e nevojshme drejt përmirësimit të vazhdueshëm të treguesve të shëndetit amtar dhe foshnjor.”
Mjekët në studio ngritën alarmin edhe për rritjen e numrit të lindjeve cezariane (me operacion) në maternitetet shqiptare.
Dr. Mirela Rista thekson se “Nënat, nga një frikë e pashpjegueshme ose nga një natyrë jo luftarake, marrin këtë vendim. Por janë edhe të painfomuara sa duhet për lindjen natyrale e për faktin që nuk ka pasoja për jetën e saj ose të bebit, nëse gruaja është ndjekur gjate shtatzënise nga personeli shëndetësor. Ndonjëherë gratë e zgjedhin lindjen me operacion si më të shpejtën, mbase pa sakrifikuar ato orët e dhimbjes për të fituar gjënë e tyre më të shtrenjtë. Në të tilla situata, kur nuk ka ardhur momenti, pra ajo ora biologjike e lindjes, lindja me operacion mund të shkaktojë tek bebi vështirësi më pas në jetën e tyre.”
Në bazë të analizave të kryera, kequshqyerja është akoma e dukshme te fëmijët shqiptarë, veçanërisht në zonat rurale të pazhvilluara dhe grupet me të ardhura më të ulëta. Fakti që ka pabarazi në shëndetin dhe të ushqyerit e fëmijëve kërkon dhënie përparësie në procesin e planifikimit të mbulimit shëndetësor universal për nënat dhe fëmijët në vështirësi. Rekomandimet janë që Shqipëria duhet të hartojë programe specifike për të adresuar pasojat e problemeve të dyfishta të nën-dhe mbiushqyerjes. Demografi Arjan Gjonça e sqaroi kështu këtë fenomen:
“Para 10 apo 15 vitesh, ne kemi pasur problematika të lidhura me peshën e fëmijës në lindje apo gjatësinë e tij; të dy janë tregues të të mosushqyerit, ngushtësisht të lidhura me shtatzaninë e nënës, dhe mosushqyerjen e saj. Këta dy tregues janë shumë të rëndësishëm e na tregojnë se një nga gjërat më kryesore për t`u fokusuar është veçanërisht periudha e shtatzënisë tek nëna, sepse kjo është shumë e rëndësishme jo vetëm për shëndetin e nënës por edhe të fëmijëve.”
Ekspertët kërkojnë vëmendje të vecantë për zbatimin e ndërhyrjeve që kanë në fokus shëndetin amtar dhe foshnjor. Edhe pse treguesit e vdekshmërisë amtare dhe foshnjore janë në përmirësim te vazhdueshëm në nivel vendi, duhet bërë më shumë për uljen e sëmundshmërisë amtare dhe foshnjore duke përmirësuar cilësinë e shërbimeve në cdo nivel kujdesi, duke fuqizuar aftësitë e personelit shëndetësor e duke rritur ndërgjegjësimin në popullatë.