KLSH: Spitalet psikiatrike, në kushte të rënda

Shqipëria

KLSH: Spitalet psikiatrike, në kushte të rënda

Më: 1 dhjetor 2024 Në ora: 15:59
Foto ilustrim

Të amortizuara, të dëmtuara dhe me lagështirë, këto janë pamjet e spitaleve psikiatrike në Shqipëri. Fotot janë bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Një auditim i ketij institucioni nxjerr në pah se infrastruktura fizike është jashtë standardeve. Nga 4 spitalet publike për të sëmurët me probleme të shëndetit mendor, gjendja paraqitet më e rëndë në Tiranë dhe Elbasan.

“Spitali psikiatrik në QSUNT sipas KLSH-së ka nevojë për ndërhyrje urgjente rikonstruksioni. Të tilla pamje tregojnë qartë kushtet në të cilat marrin shërbim dhe qëndrojnë prej vitesh pacientët me probleme mendore”, thotë gazetarja Dorina Halili.

Në Elbasan, përveç kushteve të rënda, dhomat janë të mbipopulluara dhe me pak hapësirë për privatësi, qetësi mendore e psikologjike.

“Kjo situatë ka ndikuar negativisht në gjendjen e përgjithshme të këtij spitali për arsye se, në këto kushte rritet agresiviteti i pacientëve të shtruar aty. Po kështu, mbipopullimi i dhomave me pacientë të diagnozave të ndryshme e bën më të vështirë rikuperimin e tyre gjatë trajtimit”, thuhet në raportin e KLSH.

Ndërsa Spitali Psikiatrik Vlorë është në fazë rikonstruksioni, por edhe godina me qira ku aktualisht janë të akomoduar pacientët burra është e amortizuar.

“Kjo godinë ka nisur të rikonstruktohet që prej Tetorit 2023, ndërkohë mësohet nga drejtoria e këtij institucioni se në Dhjetor të këtij viti pritet të përfundojë edhe godina e re ku do të akomodohen pacientët rezidentë burra”, raporton korrenspondentja e Tv Klan në Vlorë, Greta Haskaj.

Në shërbimin shëndetësor të specializuar me shtretër në Shkodër, situata paraqitet pak më e mirë.

Mungesat në staf janë po ashtu një tjetër shqetësim. Në Spitalin Psikiatrik Elbasan japin shërbim 4 mjekë psikiatër në një kapacitet prej 310 pacientësh.

Përgjatë vitit 2023, në 4 spitalet psikiatrike në vend ka pasur 3161 pacientë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat