Flet për herë të parë babai i Alba Cenkos, 32-vjeçares që u vra nga bashkëshorti i saj në Ampelokipoi në Greqi.
Në një rrëfim për emisionin “Me Zemër të Hapur” për News 24, babai i të ndjerës tregon se si dhëndri mashtronte familjen e Albës, teksa mbante të fshehur trupin e saj të pajetë në papafingon e banesës.
“Kemi ndenjur 5 ditë s’kemi fol, na ka mashtru dhëndri, burri vajzës teme. Me Kastriotin kemi folur përditë, ai telefoninë e ka pas vetë. Na thoshte e ka goca telefonin nuk e hap. Mashtruse. Ai tha ka ikur vajza, a ka ardhur vajza te ty, më tha mua. Po pse cfarë u bë vajza thashë unë, pulë, erdhi gjeti kokërr gruri dhe e hëngri? Ne jemi shumë të revoltuar, neve e kemi lënë në dorë të ambasadës, të bëhet çfarë të bëhet.Denoncimin e kemi bërë në orën 7 e 30 ditën e hënë. Nipërit i kanë çuar te xhaja i madh”, tha babai i Alba Cenko nëpërmjet një telefonate për moderatoren Evis Ahmeti.
Si ndodhi ngjarja?
Kastriot Cenko fillimisht e goditi gruan e tij, Alba Cenko me çekiç në kokë, e vendosi karikuesin e telefonit në qafë dhe më pas e mbyti. Trupin e pajetë të 32-vjeçares e vendosi në dollapin e dhomës së gjumit dhe më pas në papafingo, ku edhe u gjet 7 ditë pas krimit më, 5 Dhjetor.
Teksa planifikoi se si do të justifikonte zhdukjen e saj, Kastriot Cenko përdori celularin e viktimës për të mashtruar djemtë e tyre të mitur dhe familjarët e Albës.
39-vjeçari u dërgoi mesazh dy fëmijëve të mitur me numrin e nënës së tyre ku i shkruante: “Mami u largua për të fituar para, kam ikur larg”.
Tronditëse janë faktet që dalin nga krimi makabër në familjen shqiptare. Prej kohësh autori ishte i bindur se gruaja e tradhtonte me një shok. Ditën e krimit, 39-vjeçari deklaroi se kishte dëgjuar gruan e tij duke folur në telefon. Ai tha se mendoi që Alba Cenko po fliste me të dashurin e saj dhe vendosi t’i merrte jetën.
Kastriot Cenko e vrau pa u vënë re aspak fëmijët që po flinin në dhomën tjetër dhe të nesërmen e çoi trupin e saj në papafingo. Madje, duke u shtirur si viktima, u dërgoi mesazhe djemve të tij duke përmendur në tekst fjalën “baba” të paktën 6 herë, si edhe duke theksuar rëndësinë e rolit të tij.
Dëshmia e Kastriot Cenkos
Në deklaratën e tij në polici, 39-vjeçari raportohet se ka thënë se konfliti me të shoqen ka nisur në mesnatë, ku ka dëgjuar se ajo po fliste në telefon me një burrë. Sipas tij, gruaja është shprehur se do të merrte djalin e madh dhe do të largohej nga banesa.
“Ndërsa fëmijët flinin diku rreth orës 01:30, u zgjova dhe pashë që ajo nuk ishte në krevat. Ajo ishte në banjë duke folur në telefon. E dëgjova të thoshte se do të merrte djalin tonë të madh dhe do të largohej, ndërsa zëri i një burri tingëllonte në anën tjetër të telefonit. I thashë të vinte në dhomë për të folur. E pyeta se kush ishte dhe ajo më tha se nuk ishte askush dhe se po shikonte video. Pas pak ajo pranoi se po fliste me një burrë dhe se do të merrte fëmijën e madh dhe do të largohej”, ka thënë ai në polici.
Shqiptari Kastriot Cenko ka dëshmuar se atë natë gruaja i ka thënë se djali i madh nuk ishte fëmija i tij, dhe në atë moment ka marrë çekiçin dhe e ka goditur.
“Më tha që nuk kam para dhe nuk do të rrinte me mua. E pyeta “pse po na merr djalin e madh?” dhe më tha që këtë fëmijë nuk e bëri me mua dhe vetëm djalin e vogël bëmë bashkë, u hutova plotësisht dhe hapa çantën që marr në punë, të cilën e kisha pranë shtratit tonë, mora çekiçin dhe e godita”, a dëshmuar ai para oficerëve sipas mediave greke.