Rama: Së shpejti, Shqipëria do të prodhojë në vend paratë

Shqipëria

Rama: Së shpejti, Shqipëria do të prodhojë në vend paratë

Më: 10 dhjetor 2024 Në ora: 15:59
Edi Rama

Shqipëria do të mund t’i prodhojë në vend paratë dhe letrat me vlerë brenda një periudhe të afërt. Qeveria shqiptare pritet të firmosë, siç pohon Kryeministri në pak javë një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara që synon transformimin e shtypshkronjës se letrave me vlerë.

Edi Rama: Ambicia jonë është që në një kohë jo të largët të arrijmë jo vetëm të prodhojmë në vend paratë, të prodhojmë në vend të gjitha llojet e letrave me vlerë përfshirë edhe të gjithë çfarë ka në botën dixhitale për sa i përket identifikimit përmes telefonit dhe jo më përmes një karte identiteti nëpër xhepa.

Një tjetër marrëveshje me Emiratet është dhe ajo për vendosjen e kamerave dixhitale për monitorimin e të gjitha rrugëve, por dhe institucioneve arsimore. Ndërsa një tjetër premtim është ai për përdorimin e inteligjencës artificiale për prokurimet publike. Për këtë të fundit, Rama është i sigurtë se do të përfundojë brenda mandatit të tij të 4 qeverisës.

Edi Rama: Me modelin e inteligjencës artificiale që po ndërtojmë, unë besoj që në mandatin tonë të katërt, rreth mesit të mandatit, ne do të jemi vendi i parë që do të realizojmë prokurime me 90% të procesit pa njeriun dhe me një nivel objektiviteti dhe transparence që është i pakonkurrueshëm dot nga çfarëdolloj komisioni prokurimesh që e bën këtë punë nga fillimi deri në fund.

Në konferencën rajonale “Formësimi i së Ardhmes së GovTech” Kryeministri foli për disa projekte të suksesshme falë përdorimit të teknologjisë, ku sipas tij Shqipëria ka lënë pas disa shtete përfshirë dhe Gjermaninë.

Edi Rama: Ra fjala i kemi lënë mbrapa bashkë me disa vende të tjera në atë që është një tjetër pikë ku na godasin rregullisht me shkopin e mësuesit në pastrimin e parave dhe këtë nuk e them unë se ndryshe nuk do isha normal por këtë e thotë Indeksi i Bazelit. ne nuk jemi të kënaqur me këtë dhe ne i mirëpresim të gjitha goditjet dhe të gjitha leksionet se ne duam të bëhemi shumë më të mirë dhe për këtë arsye me inteligjencën artificiale ne po punojmë që të integrojmë në sistemin e monitorimit të lëvizjes së parasë një model i cili praktikisht është dhe ai një model që do të çojë në një nivel tjetër të gjithë procesin e transparencës.

Një tjetër projekt në proces ku do të përdoret inteligjenca artificiale është dhe gjurmimi i transaksioneve që do t’i bashkangjitet sistemit të fiskalizimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat